Koalicioni VLEN i kënaqur me vendimin e Kushtetueses: Gjithçka mbaroi

Koalicioni VLEN është i kënaqur me epilogun e sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pas mbajtjes së seancës, nga ky koalicion thanë gjuha shqipe nuk është ndaluar, anipse Gjykata Kushtetuese, vetëm tani për tani vendosi të mos votojë për ngritjen e iniciativës për ligjin e gjuhës shqipe, dhe se për këtë do të vendoset në një seancë […]

dhjetor 11, 2024 - 18:00
 0  6
Koalicioni VLEN i kënaqur me vendimin e Kushtetueses: Gjithçka mbaroi
Rijad Shaqiri nga koalicioni "VLEN" / foto printscreen nga video e "360 gradë"

Koalicioni VLEN është i kënaqur me epilogun e sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pas mbajtjes së seancës, nga ky koalicion thanë gjuha shqipe nuk është ndaluar, anipse Gjykata Kushtetuese, vetëm tani për tani vendosi të mos votojë për ngritjen e iniciativës për ligjin e gjuhës shqipe, dhe se për këtë do të vendoset në një seancë tjetër, transmeton Portalb.mk.

“Atë që kemi thënë javë më parë, sot u konfirmua. Sot nuk ndodhi asgjë dhe asnjëherë nuk do të lejojmë degradimin e gjuhës shqipe. Sot triumfoi faktorizimi i VLEN-it, si pjesë e kësaj qeverie demokratike. Kur ne thamë që shqipja nuk do të preket kështu edhe ndodhi. Ne sot nga këtu e themi se shqipja do të avancohet edhe më shumë edhe më mirë”, tha Rijad Shaqiri nga VLEN.

Ai madje porositi se gjuha shqipe do të avancohet edhe më shumë, edhe më mirë.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi kapacitet të plotë dhe besueshmëri politike. E thamë qartë dhe me zë të lartë se shqiptarët mund të jenë të qetë sepse nuk do të lejojmë që disa njerëz që vodhën dhe manipuluan të shkatërrojnë të ardhmen e një kombi të tërë. Çdo tentativë për manipulim dhe krim do të përfundojë aty ku i takon, pra para drejtësisë”, tha Shaqiri.

Paraprakisht, krerët e VLEN-it dërguan komunikata për media, ku pretendojnë se “loja ka mbaruar” dhe se gjuha shqipe nuk është ndaluar.

Izet Mexhiti, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka shkruar që mbaroi loja.

“ MBAROI LOJA! Gjuha shqipe nuk u ndalua, Ligji për gjuhën shqipe nuk u abrogua, Lista e zezë për korrupsion u konfirmua. Rrini rahat. Qeveria punon”, ka shkruar Mexhiti.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami poashtu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka shkruar se përfaqësuesit e BDI-së e dinin se Koalicioni VLEN nuk lejon ndalimin e Gjuhës Shqipe, por po bënin show me tenda dhe nxisnin qytetarët për destabilizim!

“VLEN kujdeset për shqiptarët! Është koha e përgjegjësisë tani!”, ka shkruar Kasami.

Zeqirija Ibrahimi, një nga liderët e VLEN-it gjithashtu ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ibrahimi ka shkruar që pos garancës që ashtu ndodhi që shqipja e avancuar nuk u prek, mbeti vetëm lista e zezë me bedelin e Ahmetit.

“Nga gjithë zhurma rreth gjuhës shqipe, përveçse Gjykata Kushtetuese sot u deklarua siç pritej – se gjuha shqipe e avancuar nuk preket, në fund mbeti vetëm lista e zezë amerikane me bedelin e Ali Ahmetit në të. Kaq!”, ka shkruar Zeqirija Ibrahimi.

Kujtojmë se pas diskutimeve të gjykatësve kushtetues, gjykata votoi që të mbahet seancë përgatitore me qëllim dëgjimin e shumë palëve, ekspertëve juridik në këtë rast, që mund të shprehin këndvështrime të ndryshme rreth Ligjit në fjalë. Tani për tani, nuk dihet data e saktë për mbajtjen e seancës përgatitore.

Gjykatësja Elizabeta Dukoska ka kërkuar seancë përgatitore, ku do të ftohen ekspertë nga jashtë dhe do të shqyrtohen në detaje të gjithë pjesët e Ligjit për Gjuhët, me qëllim sqarimin e saktë të gjendjes faktike dhe juridike.

Sipas kryetarit të gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski propozimi duhet pranuar për ta bind opinionin për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Nga ana tjetër gjykatësja Dobrilla Kacarska është shprehur kundër këtij lloji të seancës, sepse, sipas saj, gjykata është ajo që duhet ta thotë fjalën përfundimtare, sepse është çështje juridike dhe jo mendim për ndonjë lëmi tjetër.

Ana Pavllovska Daneva ka përkrahur propozimin që të ketë seancë përgatitore. “Unë jam 20 vjet eksperte e Kushtetutës, por ka fusha që unë s’i di, dhe nuk është negative nëse kemi rastin të dëgjojmë edhe profesorë tjerë të Kushtetutës dhe t’i dëgjojmë argumentet e tyre. Fundja, jemi gjykatë dhe duhet t’i dëgjojmë të dy anët. Pse mbahen seancat përgatitore? Për t’i dëgjuar dy anët”.

Seanca e Gjykatës Kushtetuese ka nisur në mungesë të dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Në fillim te seancës gjykatësi Fatmir Skender ka kërkuar që seanca të shtyhet për dy javë, ku prezent do të jenë edhe dy gjykatësit shqiptarë dhe përbërja e gjykatës do të jetë e plotë.

Propozimi i gjykatësit Skender është votuar kundër, ky i fundit ka lëshuar seancën, ndërsa ajo vazhdoi pa prezencën e tij.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.