Kallëzime penale për ish-kryeministrin Kovaçevski, Grubin, Bajramin dhe 5 personat e tjerë të përfshirë në rastin “Lotaria”

Kallëzime penale kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë, ka dorëzuar sot në Prokurorinë Publike, Departamenti për luftimin e krimit të organizuar. Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe […]

dhjetor 17, 2024 - 20:00
 0  7
Kallëzime penale për ish-kryeministrin Kovaçevski, Grubin, Bajramin dhe 5 personat e tjerë të përfshirë në rastin “Lotaria”
Artan Grubi, Dimitar Kovaçevski dhe Përparim Bajrami. Foto ilustrim: Portalb.mk

Kallëzime penale kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë, ka dorëzuar sot në Prokurorinë Publike, Departamenti për luftimin e krimit të organizuar. Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”, transmeton Portalb.mk.

“Departamenti për luftimin e krimit të organizuar ka paraqitur në Prokurorinë Publike Shkup kallëzim penal kundër tetë personave, P.B, (31) për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat” parashikuar dhe dënuar sipas Kodit Penal, kundër A.G (47) nga Shkupi për “keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat”, kundër D.K (50) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, kundër M.D. (58) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” , kundër V.P. (41) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe veprën penale të vazhdueshme “marrje e ryshfetit”, kundër A.A. (36) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” të paraparë dhe të dënueshëm nga neni 353, ndaj N.H. (52) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4 dhe veprën penale “marrja e ryshfetit” e paraparë dhe e dënueshme nga neni 357 paragrafi 1 dhe kundër M.Z (38) nga Tetova për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4″, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Publike sot dha sqarim ku thuhej se ish-kryeministri dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë nuk janë përfshirë në hetimet për rastin “Lotaria”, por edhe se kallëzimet penale të ngritura kundër tyre nuk janë hedhur poshtë.

Konfuzioni në opinion lindi pasi Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër tetë personave në këtë rast, ndërsa Prokuroria dje ka njoftuar se është hapur hetim për gjashtë të dyshuar për vepra penale që kanë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit prej gjashtë milionë eurosh.

Ish-kryeministri dhe sekretari i përgjithshëm janë në mesin e personave kundër të cilëve janë ngritur kallëzime penale për veprat penale që kanë sjellë dëmin më të madh të buxhetit në rastin e Lotarisë, njoftoi ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në konferencën e djeshme për media.

Kujtojmë se Gjykata Penale pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike dhe caktoi masa sigurie për katër persona në rastin “Lotaria Shtetërore”, ndërsa për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin Përparim Bajrami, të cilët nuk ndodhen në vend, në mënyrë shtesë do të merret vendimi nëse do të pranohet masa e paraburgimit

“Gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për caktimin e masave të kujdesit ndaj katër personave të përfshirë në hetimin lidhur me “Lotarinë Shtetërore të RMV-së”, për veprën penale Shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autorizimit nga neni. 353 i Kodit Penal, e të cilët u dëgjuan në gjykatë gjatë natës, solli vendim me të cilin pranohet propozimi i Prokurorisë Publike dhe u vendos masa ndaj të 4 personave në përputhje me nenin 146 paragrafi 1 pika 2 dhe pika 3, përkatësisht konfiskimi i dokumentit të udhëtimit dhe detyrimi për t’u paraqitur herë pas here në gjykatë”, njofton Gjykata Penale.

Gjatë ditës u tha se do të merret vendim për Grubin dhe Bajramin, të cilët aktualisht janë të padisponueshëm për organet e rendit.

“Gjithashtu, gjyqtarit të procedurës paraprake i është dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të përfshirë në të njëjtin hetim, e cila masë fillon të zbatohet me zbulimin e tyre, për të cilin propozim gjykata është në procedim dhe për të cilat gjatë ditës Publiku do të informohet më tej. Kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankim në Këshillin Penal”, bëjnë të ditur nga Gjykata.

Të dy ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë denarë.

Ndryshe, dje (16 dhjetor) policia ka bastisur disa shtëpi për shkak të dyshimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Policia ka bastisur shtëpitë e ish zv/kryeministrit Artan Grubi dhe shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë, Përparim BajramiArtan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, siç ka njoftuar ai, ndodhet për vizitë familjare në Kosovë. Në shtëpi nuk është gjetur as i dyshuari Përparim Bajrami.

Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.