RMV, kallëzime penale për personat që dyshohen për kryerjen e veprës penale “organizatë terroriste”
Sektori për luftimin e terrorizmit më datë 15.12.2024 ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar kundër katër personave: G.M. (21) nga Gostivari për veprën penale “organizatë terroriste” (neni 394 a paragrafi 1) dhe kundër H.B. (32) nga Struga, R.S. (38) nga Gostivari dhe T.M. (27) nga Gostivari për […]
Sektori për luftimin e terrorizmit më datë 15.12.2024 ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar kundër katër personave: G.M. (21) nga Gostivari për veprën penale “organizatë terroriste” (neni 394 a paragrafi 1) dhe kundër H.B. (32) nga Struga, R.S. (38) nga Gostivari dhe T.M. (27) nga Gostivari për kryerjen e veprës penale “organizatë terroriste” (neni 394 a, paragrafi 2) të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“Përkatësisht, G.M. në fillim të vitit 2024, krijoi një organizatë terroriste, anëtarët e së cilës përfshijnë H.B., R.S. dhe T.M., si dhe disa persona të tjerë aktualisht të panjohur, të gjithë së bashku formuan një organizatë terroriste – “celulë” bazuar në matricën ideologjike të organizatës së njohur terroriste ISIS, me qëllim të kryerjes së një akti terrorist kundër civilëve apo të ashtuquajturave caqe të buta, gjegjësisht objekte publike në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për të arritur këtë qëllim, G.M. formoi disa grupe në rrjetin social Telegram, në të cilat ndau materiale propagandistike të blera dhe përkthyer më parë të ISIS-it dhe rekrutoi anëtarë të rinj, tentoi të merrte armë zjarri dhe gjithashtu mori udhëzime për prodhimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara që ata më pas supozohej t’i përdornin për të kryer sulme terroriste. H.B., R.S. dhe T.M. ishin anëtarë të disa prej grupeve Telegram, ku u shpërndanë materiale të përkthyera që më parë ishin marrë nga media zyrtare të përdorura nga organizata terroriste ISIS, si “EN-Nebe” (gazeta zyrtare e ISIS)”, thonë nga Prokuroria.
Pas urdhrit për bastisje të lëshuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup, është kryer bastisje në banesën e G.M., ku sipas Prokurorisë janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë “gap” e kalibrit 8 mm me kornizë të zbrazët dhe aksesor metalik, dy kompjuterë laptop, karikues laptopi, dy telefona celularë me dy karta SIM dhe janë dorëzuar në Prokurorinë Publike për NKOK.
“Pas analizës së provave elektronike të siguruara që ndodheshin në telefonin e G.M., u konstatua se ai ka formuar dhe koordinuar aktivitete në cilësinë e “ushtarit të ISIS” për promovimin mediatik dhe mbrojtjen e organizatës terroriste, të destinuara për zonën shqipfolëse. Aktivitetet zhvillohen kryesisht në rrjetin social Telegram, ku G.M. përdor profilet e Telegramit me të cilat formon dhe administron grupe të shumta Telegram për organizimin dhe përpunimin e materialeve të marra nga mediat zyrtare të përdorura nga organizata terroriste ISIS, si: “AL-Hayat Media Center” (media zyrtare e ISIS), “EN-Nebe ” (gazeta zyrtare e ISIS) dhe “Al-Bayan-Radio” (kanali zyrtar radi i ISIS). Gjithashtu, G.M ka formuar disa grupe të tjera Telegram në të cilat koordinon aktivitetet për përhapjen e agjendës së ISIS. G.M. ka marrë disa fotografi që nxisin kryerjen e akteve terroriste gjatë festave të Vitit të Ri me synimin për t’i shpërndarë ato në grupet e Telegramit që ai ka krijuar për të inkurajuar kryerjen e sulmeve terroriste. Në bazë të urdhër bastisjeve të marra, më datë 15.12.2024, u krye kontrolli në banesë dhe në ambiente të tjera të personave, ku u gjetën disa telefona celularë, laptopë dhe kompjuterë desktop, një tablet, një memorie portative, një videoregjistrues, dokumentacione të ndryshme, fletë me mbishkrime në gjuhën arabe dhe shqipe, një unazë me emblemën e ISIS-it, libra me literaturë në gjuhën arabe etj. Të gjithë personat në të njëjtën ditë janë privuar nga liria dhe më datë 16.12.2024 janë sjellë para gjyqtarit për procedurë paraprake, i cili u ka caktuar masën e ndalimit prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, dje njoftoi se janë kryer bastisje në disa lokacione dhe se personat e përfshirë kanë qenë pjesë e organizatave terroriste, të cilët në bashkëpunim me persona jashtë vendit janë monitoruar nga organet kompetente të sigurisë për një kohë të gjatë dhe se për to është vepruar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë të vendit.
“Kemi mjaft prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona kanë vepruar me qëllim të organizimit të ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen që mund të kërcënojnë sigurinë e Maqedonisë dhe të vendeve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët mund të vepronin në përputhje me qëllimet e tyre”, tha Toshkovski.