Rezultatet e projektit “Mbrojtje nga korrupsioni” tregojnë rrugën se si të luftojmë kundër korrupsionit

Qendra për Komunikim Qytetare sot në Shkup përmes një konference ka prezantuar rezultatet kryesore të projektit “Mbrojtje nga korrupsioni”. Në panel për gjetjet e projektit dhe veprimet e institucioneve përkatëse kanë diskutuar: Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës, Toni Konjanovski, kryetar i Komunës së Manastirit, Tatjana Dimitriovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e […]

dhjetor 17, 2024 - 20:00
 0  6
Rezultatet e projektit “Mbrojtje nga korrupsioni” tregojnë rrugën se si të luftojmë kundër korrupsionit
Konferenca për Mbrojtje nga Korrupsioni: Perspektivat dhe zgjidhjet në nivel lokal. Foto: Xhenis Sulimani/Portalb.mk

Qendra për Komunikim Qytetare sot në Shkup përmes një konference ka prezantuar rezultatet kryesore të projektit “Mbrojtje nga korrupsioni”. Në panel për gjetjet e projektit dhe veprimet e institucioneve përkatëse kanë diskutuar: Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës, Toni Konjanovski, kryetar i Komunës së Manastirit, Tatjana Dimitriovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Dushica Perishiq, drejtore ekzekutive e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të RMV dhe Mlladen Cadikovski, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve, raporton Portalb.mk.

Konferencën me fjalim rasti e hapi ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Ozlem Xhanel. Ambasadorja kujtoi se korrupsioni i dëmton të gjithë dhe i njëjti vjen në forma të ndryshme, si nga mungesa e transparencës, dështimi i tenderëve, nepotizmi dhe favorizimi.

“Për shkak se korrupsioni është kaq i gjerë dhe prek shumë sektorë, lufta kundër tij nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm lufta e komisionit kundër korrupsionit. Janë vetëqeverisja lokale dhe qeverisja qendrore ato që duhet të sigurojnë që të mos ketë korrupsion në ndërtimet urbane dhe prokurimet publike. Është gjyqësori dhe prokuroria ata që kanë nevojë për llogaridhënien e institucionit në nivel qendror dhe lokal. OJQ-të dhe mediat janë zëri i qytetarëve dhe roje të shoqërisë”, tha ambasadorja holandeze Xhanel.

Para nisjes së debatit nga panelistët Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Qytetare ka prezantuar projektin gjetjet e projektit “Mbrojtje nga Korrupsioni”

Janë detektuar rreziqet nga korrupsioni për secilën vetëqeverisje lokale veçmas dhe janë paraqitur propozime për kapërcimin e tyre nëpërmjet 15 hulumtimeve thelbësore në fushat që janë konsideruar sit ë lëndueshme ndaj korrupsionit në nivel lokal bazuar në Strategjinë nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesave 2021-25.

Janë zgjeruar dituritë dhe kapacitetet e 377 përfaqësuesve të të gjithë faktorëve komunal, përmes realizimit të një totali prej 40 trajnimesh, punëtorish, debatesh dhe konferencash.

10 politika dhe praktika të reja janë inkorporuar për një mbrojtje më të madhe nga korrupsioni në secilën prej tetë vetëqeverisjeve lokale të përfshira në këtë projekt; Manastir, Kërçovë, Tetovë, Çair, Kumanovë, Shtip, Strumicë dhe Negotinë.

Secilës vetëqeverisje i janë dhënë rekomandime specifike për reduktimin e korrupsionit bazuar në hulumtimet paraprakisht të zhvilluara për detektim të korrupsionit në fushën e prokurimeve publike, dhënies së lejeve për ndërtim, shitjes së tokës ndërtimor, mbikëqyrjes inspektuese nga ana e komunave, dhënies së lejeve të integruara-B, menaxhimit me objektet për sport, shpërndarjes së mjeteve nga buxheti për shoqatat qytetare dhe prokurimeve në shkolla të financuara me para prej prindërve të nxënësve.

I kemi përfshirë të gjithë faktorët e nivelit lokal, përfshirë: komunat, sektorin afarist, OJQ-të, gazetarët dhe qytetarët”, ka thënë mes tjerash në prezantimin e saj Sabiq.

Kryetarët e komunave për korrupsionin: Jemi pjesë aktive e luftës kundër korrupsionit

Toni Konjanovski, kryetar i Komunës së Manastirit në diskutimin e tij, ka vlerësuar bashkëpunimin me Qendrën për komunikime qytetare. Konjanovski ka theksuar digjitalizimin e shërbimeve, si mjet për ta luftuar korrupsionin.

“Punojmë në digjitalizimin e shërbimeve. Minimizohet kontakti i kërkuesit të shërbimit dhe vetëqeverisjes lokale. Po i ndjekim edhe përvojat ndërkombëtare. Debatet e këtilla janë të miresëardhura. Nuk ka gjë më të mirë sesa transparenca ndaj qytetarëve. Përpiqemi të jemi maksimalisht transparent”, tha i pari i komunës së Manastirit, Konjanovski.

I pari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në fjalën e tij veçoi se komuna me të cilën udhëheq ai është pjesë aktive e luftës kundër korrupsionit.

“Nëse në mënyrë aktive nuk luftohet korrupsioni, efektet nuk do jenë ato të dëshiruarat. Kam bërë publik borxhin e komunës, që nuk ka ndodhë në shumicën e rasteve. Gjithashtu, ndër të parët, ndër të rrallët që kam parashtruar, disa padi penale për menaxhmentin paraprak të komunës, për keqpërdorime të pozitës zyrtare. Kam dorëzuar në prokurorinë e Tetovës së paku katër padi me vlera të keqpërdorimit të Komunës, mbi një milion euro, çdonjëra. Fatkeqësisht nga asnjëra nga ato s’ka pasur përgjigje pozitive. Po përmend një shembull, për mua banale. Prokuroria nuk ka ngritur procedurë për keqpërdorim vetëm nga shkaku që mjetet të cilat janë shfrytëzuara në këtë rast kanë qenë nga buxheti i Komunës, nga mjetet burimore të Komunës. Prokuroria nuk qenka e autorizuar të veprojë për rast kur bëhet fjalë për mjetet e komunës, por vetëm mjetet që vijnë nga buxheti qendror”, deklaroi Kasami.

KSHPK jep rekomandime se si të luftohet korrupsioni

Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit rekomandoi që një herë në vit duhet të bëhet vlerësimi i rreziqeve nacionale nga korrupsioni, të vërtetohet niveli i rrezikut dhe të bëhet një regjistër i rreziqeve që do të përmbajë aktivitete për zvogëlimin e tyre.

“Kur bëhet fjalë për sinjalizimin, dyshimet për korrupsion në njësitë e vetëqeverisjes lokale, nga periudha 2021-24, kanë mbërritur 285 kallëzime, dyshime për korrupsion. Më shumë kallëzime ka nga fusha e urbanizmit, pasojnë prokurimet publike, tenderët e dyshimtë, financimi i projekteve lokale, veprimin e inspektorëve lokal… Mënyra e vetme të ballafaqohemi ose të kemi sukses, duhet të krijojmë një sistem për qasje që çon në zvogëlimin e rreziqeve. Përgatitjen e një Ligji të ri, ndryshim ose plotësim të Ligjit, organet kompetente detyrimisht t’i referohen analizave që i bëjmë dhe japim rekomandime. Që lufta të mos mbetet vetëm deklarative”, tha Dimitrovska.

Edhe për Dushica Perishiq, nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të RMV, digjitalizimi është instrument i mirë me të cilin mund të luftojmë kundër korrupsionit.

“Shteti ynë është i para në Europë dhe i dyti në botë që solli sistem elektronik për dhënien e lejes për ndërtim. Me cka maksimalisht kemi rritur transparencën, sepse nuk ka më “kam harruar një dokument, por ja një paketë me ndonjë denarë”.

Mlladen Çadikovski, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve, përshëndeti punën e Qendrës për Komunikim Qytetar në raport me gazetarët dhe inicimin e projektit ku shtatë gazetarë do të jenë të angazhuar për të ndihmuar në zbulimin e fenomeneve devijuese, si korrupsioni.

Kujtojmë se raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.