Kaluan në komisionin parlamentar propozimet e konsideruara antiligjore për anëtarë në Agjencinë e Mediave të RMV-së
Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime në seancën e sotme përcaktoi projektvendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive. Disa prej kandidatëve të propozuar konsiderohen antiligjorë, pasi paraprakisht kanë pasur funksione partiake, diçka që është e ndaluar me ligj. Tre kandidatët e parë u zgjodhën me 10 vota […]
Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime në seancën e sotme përcaktoi projektvendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive. Disa prej kandidatëve të propozuar konsiderohen antiligjorë, pasi paraprakisht kanë pasur funksione partiake, diçka që është e ndaluar me ligj. Tre kandidatët e parë u zgjodhën me 10 vota “për” me propozim të koordinatorit të VMRO-DPMNE-së, deputetit Nikolla Miceski, ndërsa me propozimin e deputetit të ZNAM-it, Daniel Stojçevskit, për kandidat në listën e anëtarëve të AShMAA-së u votua Cvetanka Minovska. Në vazhdim të seancës pas pushimit të dytë, kandidatet Afrona Vërzivolli dhe Nafije Selmani morën mbështetje për të qenë në listë me sugjerimin e deputetit Riad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.
Propozimi i deputetit Ljupço Nikollovski nga LSDM që në listën e kandidatëve për anëtarë të AShMAA-së të zgjidhet Arben Saiti nuk është pranuar sepse ka marrë vetëm tre vota “pro”. Bashkëpartiakja e tij Sanja Lukarevska si propozim të ri e dha Gordana Majnovën, e cila mori shumicën e nevojshme.
Deputetja nga radhët e Aleancës së Shqiptarëve Ilire Dauti ka braktisur seancën më herët duke akuzuar për politizim në zgjedhjen e Këshillit të AShMAA-së.
“Nuk ka asnjë arsye që ne të marrim pjesë në këtë lojë të paracaktuar nga partitë politike. Është e qartë se në këtë rast VMRO-DPMNE është koordinuar mirë me ZNAM-in, ndoshta edhe me LSDM-në, dhe në anën tjetër me të Majtën, ndoshta edhe me VLEN-in. Për të mos qenë pjesë e gjithë kësaj dhe për të deklaruar edhe një herë kundërshtimin ndaj ndërhyrjes së politikës në media, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të largohemi nga kjo seancë në shenjë proteste”, tha Dauti dhe u bëri thirrje deputetëve të Frontit Evropian që të largohen nga seanca.
Në konkursin publik për anëtar të Këshillit janë regjistruar 31 kandidatë, por një kandidat është tërhequr nga kandidatura. Nga 30 kandidatët e regjistruar, Komisioni votoi se gjashtë nuk i plotësonin kushtet, pasi nuk kishin dorëzuar certifikatën e shtetësisë, që ishte një nga kushtet.
Në listën e kandidatëve për anëtarë të këtij organi rregullator janë: Viktor Pavlovski, inxhinier i diplomuar për informatikë prodhimi nga Shkupi, Sasho Stefanovski, i diplomuar për art filmik dhe TV kameraman nga Shkupi, Petar Xhurovski, montazher i diplomuar për film dhe TV nga Shkupi, Cvetanka Minovska, gazetare e diplomuar nga Shkupi, Afrona Vërzivolli ekonomiste e diplomuar nga Shkupi, Nafije Selmani profesoreshë e diplomuar e gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Shkupi dhe Gordana Majnova e diplomuar për ekonomi dhe magjiste e komunikimit.
Kushtet për anëtarësim në AShMAA i plotësuan Sasho Stefanovski, Nafije Selmani, Dragica Ljubeska, Petar Xhurovski, Emilia Petreska Kamenjarova, Shaban Dalipi, Andriana Skerlev Çakar, Lazo Petrushevski, Zoran Fidanoski, Arben Saiti, Emilia Janevska, Davor Bashkoski, Dauti Dauti, Gordana Majnova, Viktor Pavlovski, Vladimir Gjorgjievski, Elena Stojkovska, Z;rijeta Hajro Jajaga, Cvetanka Minovska, Stojançe Naumov, Afrona V;rzivoli dhe Boris Arsov.
Propozimi i vendosur për vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele do të gjendet në seancën e Kuvendit, në të cilën për miratim kërkohet shumica e dy të tretave dhe shumica e Badenterit.
Në rendin e ditës të kësaj seance u përcaktua Propozim – Vendimi për shpalljen e thirrjes publike për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurim Publik.
Shumica e këtyre propozimeve bie ndesh me nenin nenin 5, alineja 3. Ligji ndalon që një person i emëruar nga Kuvendi ose Qeveria të zgjidhet anëtar i Këshillit. Ligji ndalon gjithashtu të zgjidhen anëtarë të Këshillit personat që kanë qenë anëtarë të organeve drejtuese të partive politike në 10 vitet e fundit. Ligji kërkon që kandidatët të kenë të paktën tetë vjet përvojë pune në këtë profesion dhe që janë dalluar në fushën e komunikimit, gazetarisë, informatikës, kulturës, ekonomisë apo drejtësisë.
Kujtojmë se anëtarët aktualë janë zgjedhur në vitin 2014 për një mandat 7-vjeçar. Më pas ligji u ndryshua për të shkurtuar mandatin në 5 vjet, por u bënë edhe ndryshime në mënyrë që mandati i anëtarëve aktualë të zgjasë deri në zgjedhjen e të rinjve. Prej vitesh Kuvendi nuk mund të votonte të reja, gjë që u vu re edhe në raportin e Komisionit Evropian për ecurinë e vendit.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, zvarritet prej vitesh, për faktin se partitë maqedonase nuk arrinin të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Kujtojmë se edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, u kërkua një gjë e tillë, pra të emërohen anëtarë të Këshillit Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.