KAS pranoi kërkesën e PS, reagon PD-ja: Votat e Greqisë janë të manipuluara
Partia Demokratike reagoi pas vendimit të KAS që pranoi ankimimin e Partisë Socialiste për të mos veçuar numërimin e votave të Greqisë. Marash Logu, përfaqësues i PD-së në Parkun Olimpik, aty ku po zhvillohet numërimi i zarfeve të ardhura nga diaspora, tha se votimi në Greqi është manipuluar. “Ajo që unë duhet t’ju them fillimisht […]

Partia Demokratike reagoi pas vendimit të KAS që pranoi ankimimin e Partisë Socialiste për të mos veçuar numërimin e votave të Greqisë.
Marash Logu, përfaqësues i PD-së në Parkun Olimpik, aty ku po zhvillohet numërimi i zarfeve të ardhura nga diaspora, tha se votimi në Greqi është manipuluar.
“Ajo që unë duhet t’ju them fillimisht ka të bëjë me çështjen e votave apo zarfeve që kanë ardhur nga Greqia. Ka dy fakte që ne i dimë, siç e dimë, se që sot ka diell përjashta. Fakti i parë ka të bëjë me faktin që në shkelje flagrante të kontratës që operatori i shërbimit postar DHL kishte lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk e ka kryer vetë procedurën e shpërndarjes dhe marrjes në dorëzim të zarfeve zgjedhore që vijnë nga Greqia, por e ka bërë me nënkontraktim.
Ndërkohë që në kontratë thuhej shprehimisht, nuk lejohet nënkontraktimi. Pra, i gjithë ky proces është kryer së pari, ka filluar me një shkelje flagrante të kontratës nga operatori i shërbimit postar. Elementi i dytë dhe mund t’i referoni për këtë, apo fakti i dytë, dhe mund t’i referoni edhe shifrave zyrtare që ka dhënë KQZ-ja, nga data 17 prill deri në datën 4 maj, ne nga Greqia kemi pasur vetëm 17 mijë zarfe, me mesatare ditore rreth 1 mijë zarfe në ditë. Në datën 4 maj, keni një deklaratë të kryeministrit në Gjirokastër, që thotë procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit në Greqi u bë mish-mash.
Jo UPex, jo Spedeksi, jo DHL-ja, kështu me radhë. Po atë ditë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste, së bashku me grupe patronazhimi janë nisur drejtë Greqisë dhe ju keni parë pamjet se është shfaqur edhe vetë për mediat, nga pika të caktuara nga qendra të caktuara të DHL-së në Greqi, herë në Athinë, herë në Selanik, herë në Kretë, herë në Kavalla, për të angazhuar marrjen në mënyrë të paautorizuar nga patronazhistë të Partisë Socialiste të zarfeve që kishin shkuar për zgjedhësin shqiptar në Greqi për t’i plotësuar dhe dërguar në Shqipëri.
Dhe nga data 5 maj deri në datën 11 maj për 6 ditë, ne kemi parë 36 mijë zarfe që kanë ardhur nga Greqia. Nga 1 mijë zarfe në ditë, shkuam në 6 mijë zarfe. Kjo anomali në vlerësimin tonë nuk shpjegohet ndryshe, përveçse me manipulimin që i është bërë votuesve shqiptarë që jetojnë në Greqi, votuesve nga diaspora që jetojnë në Greqi. Jeni të gjithë dëshmitarë, pamjet janë transmetuar në media, në rrjetet sociale dhe kudo, se si në Greqi është shkelur masivisht protokolli i sigurisë”, tha ai.
Sipas tij, protokolli i sigurisë parashikonte që zarfi t’u shkonte në shtëpi njerëzve ose ata ta tërhiqnin vetë, por kjo nuk ka ndodhur.
“Kemi video deri me qindra zarfe, i njëjti person, i plotësonte dhe i dorëzonte vetë, pa u identifikuar askund dhe pa nënshkruar askund. Ne i kemi kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve na vër në dispozicion, të gjitha nënshkrimet e 53 mijë zarfeve që kanë ardhur nga Greqia, sepse në qoftë se nuk provohet që këta zgjedhës i kanë marrë personalisht zarfet me materialet zgjedhore dhe po personalisht i kanë kthyer pranë pikës së shërbimit postar, atëherë në këtë rast, këta zgjedhës, këto, jo këta zgjedhës në fakt, po këto zarfe materiale zgjedhore nuk mund t’i nënshtrohen as numërimit dhe as vlerësimit, qofshin vota për këdo subjekt megjithëse ju e kuptoni shumë mirë se për këtë subjekt kanë qenë këto vota”, tha Logu.
Kujtojmë se më herët KAS vendosi që votat e diasporës nga Greqia të numërohen njëjtë me votat nga shtetet e tjera.