Zbardhet axhenda e Komunitetit Politik Evropian më 16 Maj
Me datë 16 Maj, drejtuesit e shteteve evropiane do të mblidhen në Tiranë në kuadër të Samitit Politik Evropian, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, i cili ende nuk është i konfirmuar zyrtarisht pasi procesi i numërimit të votave nuk ka përfunduar ende. Dita e evropianeve pritet të jetë tepër e zënë, duke nisur që […]

Me datë 16 Maj, drejtuesit e shteteve evropiane do të mblidhen në Tiranë në kuadër të Samitit Politik Evropian, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, i cili ende nuk është i konfirmuar zyrtarisht pasi procesi i numërimit të votave nuk ka përfunduar ende.
Dita e evropianeve pritet të jetë tepër e zënë, duke nisur që në mëngjes për të përfunduar pasdite.
Më poshtë do të gjeni axhendën e Komunitetit Politik Evropian me datë 16 Maj:
10:00: Arritjet dhe pritjet
11:00: Ceremonia hapëse
11:30: Foto familjare
11:45: Seanca e parë plenare
13:00: Dreka
14:30: Mbledhja në tryeza tematike
15:45: Takime bilaterale midis krerëve të delegacioneve
17:30: Mbyllje e seancës plenare
18:30: konferencë e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë dhe kryeministrin e Danimarkës (ky i fundit do të jetë pritësi i radhës i këtij samiti)
E ndërsa Shqipëria është në pritje të shpalljes së kryeministrit të vendit, deri më tani në rezultate Partia Socialiste ndodhet në avantazh me 82 mandate të sigurta në Kuvendin e ri, ndërsa Partia Demokratike me 52 mandate. Kjo e fundit duket se nuk pranon këtë humbje, duke shpallur se me datë 16 Maj, do të mbahet një protestë paqësore në kryeqytet.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se kjo protestë do të ketë për qëllim sensibilizimin e ndërkombëtarëve që do jenë të pranishëm në Tiranë për krimet elektorale.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore“, tha Berisha.
Për mbarëvajtjen e samitit, uniformat blu kanë ndërmarrë masa duke bllokuar ose devijuar disa akse kryesore.
Të premten (16 Maj) nga ora 06:00 deri më 18:00 do të ketë bllokim të plotë të qarkullimit të automjeteve dhe këmbësorëve në zonën ku do të zhvillohet Samiti, përfshirë: Nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan d’Ark” deri në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri”, segmentin e rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri në kryqëzimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombi”, rrugën “Ibrahim Rrugova” nga kryqëzimi me rrugën “Myslym Shyri” deri në kryqëzimin me rrugën e Kavajës, rrugën “Ded Gjo Luli”, rrugën “Urani Pano” në vazhdim rrugën e Barrikadave deri në kryqëzimin me rrugën “George W. Bush” dhe bulevardi “Zogu i I” deri te tuneli i “ish-Cirkut”.