Kemi arritur marrëveshje politike, ish-ushtarët e UÇK-së s’do të ndalohen më në kufi, deklaroi Mexhiti
Fletarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, sipas zëvendëskryeministrit atje, Izet Mexhiti. Një marrëveshje politike, sipas tij, është arritur në qeverinë maqedonase. Ai thotë se së shpejti do të marrin vendim “që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish-ushtarët […]


Fletarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, sipas zëvendëskryeministrit atje, Izet Mexhiti. Një marrëveshje politike, sipas tij, është arritur në qeverinë maqedonase. Ai thotë se së shpejti do të marrin vendim “që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish-ushtarët e UÇK-së mos të ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut”, raporton Koha.net.
Për shkak që Kosova nuk është anëtare e Interpolit – organizatës më të madhe policore globale, Serbia vazhdimisht i përditëson listat me emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së në këtë institucion të sigurisë, gjoja për “krime lufte”. Për shkak të kësaj, në korrik të vitit 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL-it dhe me pretendimin për krime lufte në vitin 1999 në Kosovë, ishte arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramdani.
“Meqenëse Serbia është anëtare e Interpolit dhe Kosova nuk është, prandaj vazhdimisht i azhurnon listat e ushtarëve, dhe kjo mandej paraqet problem. Këtë problem nuk e kanë zgjidhur për 20 vjet pushtetet e kaluara apo partitë e kaluara shqiptare. Tash mund të them ekskluzive për juve se kemi marrëveshje politike në qeveri. Kemi marrëveshje politike që kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore me modelin kroat, slloven dhe modelet evropiane. Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, po shohim vetëm cilin model të aplikojmë, dhe kjo do të jetë një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme, ushtarët që të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu si lëvizin në vendet e Evropës. Kemi marrëveshje politike. Duhet ta bëjmë zgjidhjen ose në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose në kuadër të qeverisë, ashtu si e ka zgjidhur Kroacia dhe Sllovenia. Dhe ne kemi marrëveshje politike që kjo të vlejë në kuadër të kësaj qeverie, duke e përmbyllur këtë çështje në mënyrë sistemore. Që ushtarët të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu siç lëvizin gjithandej në Evropë”, thekson ai.
Ndryshe, ministri i drejtësisë në RMV, Igor Filkov, ka thënë në muajin nëntor se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë, për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut.
Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.
- LEXO: Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t’i zbatojë fletarrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, paralajmëroi ministri i drejtësisë
- LEXO: Këshilli Gjyqësor nisi sërish procedurë përgjegjësie ndaj gjykatësit Pajazit Pajaziti
- LEXO: Pas vendimit të Supremes, pasiguri për pjesëtarët e UÇK-së që vizitojnë Maqedoninë e Veriut