Këshilli Gjyqësor zgjodhi Zoran Dimitrievskin, Tatjana Dukovskën dhe Maja Markovën për gjyqtarë të Gjykatës Supreme të RMV-së

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor në seancën e sotme zgjodhën Zoran Dimitrievskin dhe Tatjana Dukovskën për gjyqtarë penalë të Gjykatës Supreme. Dimitirevski dhe Dukovska janë gjyqtarë nga Gjykata e Apelit – Shkup. Në seancë, u zgjodh edhe Maja Markova për gjyqtare civile të Gjykatës Supreme, por nuk u zgjodhën kandidatët Jetmir Ajdini Boshnjakov, Natasha Savoska Dimitrovska […]

Prill 30, 2025 - 23:00
 0  6
Këshilli Gjyqësor zgjodhi Zoran Dimitrievskin, Tatjana Dukovskën dhe Maja Markovën për gjyqtarë të Gjykatës Supreme të RMV-së
Gjykata Supreme e RMV-së, foto: Suad Bajrami

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor në seancën e sotme zgjodhën Zoran Dimitrievskin dhe Tatjana Dukovskën për gjyqtarë penalë të Gjykatës Supreme. Dimitirevski dhe Dukovska janë gjyqtarë nga Gjykata e Apelit – Shkup. Në seancë, u zgjodh edhe Maja Markova për gjyqtare civile të Gjykatës Supreme, por nuk u zgjodhën kandidatët Jetmir Ajdini Boshnjakov, Natasha Savoska Dimitrovska nga Gjykata e Apelit e Shkupit dhe Rafiz Idrizi nga Gjykata e Apelit e Gostivarit, transmeton Portalb.mk.

Siç informoi në fillim të seancës Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, Këshilli Gjyqësor publikoi shpalljen për zgjedhjen e gjashtë gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, tre gjyqtarëve për çështje civile dhe tre gjyqtarëve për çështje penale, të publikuar në Gazetën Zyrtare. Siç tha ai, pas procedurës, Komisioni në Këshill paraqiti raport me një listë përfundimtare renditjeje të kandidatëve.

Raportuesja dhe kryetarja e Komisionit, Pavlina Crvenkovska, tha se lista e kandidatëve për gjyqtarë në fushën penale përbëhet nga dy kandidatë, Zoran Dimitrievski dhe Tatjana Dukovska, gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Shkupit.

Anëtarja Vesna Dameva kërkoi përjashtim nga zgjedhja e gjyqtarëve penalë në Gjykatën Supreme, me arsyetimin se dy kandidatët, Zoran Dimitrievski dhe Tatjana Dukovska, kanë marrë pjesë në lëndën në të cilin kundër një personi juridik, që paraqitet si palë e dëmtuar, bashkëshorti i saj është person përgjegjës.

Lidhur me kandidatët e mbetur për zgjedhjen e gjyqtarëve, Maja Markova, Jetmir Ajdini Bosnjakov, Natasha Savoska Dimitrovska dhe Rafiz Idrizi, Vesna Dameva kërkoi që shpallja të anulohet dhe menjëherë të nxirret shpallje e re.

“Për shkak të rrethanave të caktuara që ekzistojnë, besoj se sot nuk ka kushte për zgjedhjen e gjyqtarëve civilë. A mund të bëhet një zgjedhje realiste dhe objektive në një situatë të tillë sot? Bëhet fjalë për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve në gjykatën më të lartë në vend. Nuk do të votoj në këtë moment dhe në këto rrethana për asnjë kandidat, sepse personalisht besoj se nëse mbahen zgjedhjet, ato nuk do të jenë objektive”, tha Dameva.

Kryetarja e Komisionit, Pavlina Crvenkovska, tregoi se beson që nuk ka pengesa ligjore për zgjedhjen e gjyqtarëve.

“Unë besoj se nuk ka pengesa ligjore që të bëjmë zgjedhje sot bazuar në këtë listë renditjeje, përveç gjyqtarëve të caktuar për të cilët ka rrethana që nuk mund t’i shprehim publikisht, por kjo nuk do të thotë se është pengesë që ne të mos bëjmë një zgjedhje”, tha Crvenkovska.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kambovski, e la në fuqi propimin e anëtares Vesna Dameva që të anulohet shpallja për zgjedhjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në fushën civile, pas së cilës dy anëtarë votuan “pro” dhe 10 votuan “kundër”. Pas kësaj, vazhdoi përzgjedhja e kandidatëve.

Kandidatët Jetmir Ajdini Bosnjakov, Natasha Savoska Dimitrovska nga Gjykata e Apelit e Shkupit dhe Rafiz Idrizi nga Gjykata e Apelit e Gostivarit nuk u zgjodhën. Kandidatët nuk morën nominim, për shkak të, siç u tha nga disa prej anëtarëve që votuan “kundër”, mungesës së integritetit dhe besueshmërisë.

Gjithashtu, anëtarët e Këshillit Gjyqësor në seancën e sotme zgjodhën Natasha Andreeva për gjyqtare në Gjykatën Themelore Veles, Derim Polisi për gjyqtar në Gjykatën Themelore Strugë, ndërsa Emilija Borisavleviq Aleksandrovska, Jasna Ushkovska, Zvezda Ilieska, Elena Lukareva, Marko Krzhdanovska Grozdanovska, u zgjodhën për gjyqtarë të Gjykatës Themelore Civile – Shkup.

Për gjyqtarë në Gjykatën Themelore Penale – Shkup janë zgjedhur Aleksandra Ademi, Bernisa Rahiq, Irena Janiq, Robert Mitevski, Biljana Todorovska, Sulejman Sulejmanovski, Sibil Sefejdinova, Fatus Jusufi dhe Fitim Lloga.

Anëtarët sot zgjodhën Miroslav Georgievskin për Kryetar të Gjykatës Themelore të Kratovës me 12 vota “pro”.