Berisha nga Astiri: Çiftet me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi

Nga Astiri kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka premtuar heqjen e mesatares për në universitet që këtë vit. Gjatë takimit me biznese dhe banorë të zonës, Berisha premtoi gjithashtu se qeveria do të ofrojë grante 30 mijë euro për çiftet e reja që do të paguajnë interesin e kredisë, ndërsa ata që do të […]

Prill 30, 2025 - 22:00
 0  4
Berisha nga Astiri: Çiftet me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi

Nga Astiri kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka premtuar heqjen e mesatares për në universitet që këtë vit.

Gjatë takimit me biznese dhe banorë të zonës, Berisha premtoi gjithashtu se qeveria do të ofrojë grante 30 mijë euro për çiftet e reja që do të paguajnë interesin e kredisë, ndërsa ata që do të bëhen me 3 fëmijë nuk do të paguajnë asnjë qindarkë kredi.

“U jap fjalën këtyre të rinjve se mesatarja për universitet do hiqet që vitin që vjen. Në shtator nuk do ketë mesatare. Se tarifat do të jenë 4 herë më të ulëta. Se bursa do jetë 200 euro. Se pas mbarimit të shkollës, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do t’i paguhet një vit sigurimet e tij shoqërore dhe të gjitha shpenzimet për kualifikimet e tyre. Të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese do të përfitojnë grante, kredi të buta dhe për çdo çift të ri një çati. Qeveria do garantojë grante 30 mijë euro me të cilat çiftet e reja do paguajnë interesin e kredisë. Çiftet që bëhen me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi, do ua paguajë shteti”.

Kreu demokrat garantoi bizneset për uljen e çmimit të energjisë dhe ujit, si edhe një klimë miqëesore për të shtuar investimet.

“Bizneseve të Astirit dhe mbarë Shqipërisë u premtoj vendosjen e taksës së sheshtë 10 përqind nga 23 përqind që është. Uljen e TVSh-së në 15 përqind. Uljen e çmimit të energjisë elektrike në 6 lekë. Përgjysmimin e tarifës së ujit. Ndalimin me ligjin të bashkive, të cilat nuk do mund të vendosin kurrë më shumë se 1 përqind të xhiros taksa lokale për bizneset. Garantoj bizneset e vogla se përveç energjisë dhe ujit, hapësira publike që u shitet me 1500 lekë do zbresë në 120 lekë. Se tavanet për tatim fitimin dhe TVSH-në do rriten nga 100 mijë dhe 140 mijë që janë sot, në 180 mijë euro. Biznesi pra do ketë klimën më miqësore, do mund të shtojë investimet dhe punësimin. Astiri madhështor, Tirana madhështore është Tirana dhe Astiri i qytetarëve që kanë besim tek e ardhmja e tyre. I qytetarëve që përballojnë me dinjitet jetën. I qytetarëve që u rritet çdo vit mirëqenia. I qytetarëve që u shkollohen dhe u punësohen fëmijët e tyre në Shqipëri”.