Koçani “shpëtoi” kryeprokurorin Kocevski
Kryeprokurorit shtetëror, Lupço Kocevski do t’i jepet edhe një shansë dhe nuk do të shkarkohet nga detyra, të paktën jo tani për tani. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi sot se, procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila në shkurt të këtij viti u inicua nga Qeveria, do të mbetet në fazën në të cilën gjendet momentalisht, […]

Kryeprokurorit shtetëror, Lupço Kocevski do t’i jepet edhe një shansë dhe nuk do të shkarkohet nga detyra, të paktën jo tani për tani. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi sot se, procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila në shkurt të këtij viti u inicua nga Qeveria, do të mbetet në fazën në të cilën gjendet momentalisht, për shkak të tragjedisë në Koçanë, e cila po hetohet nga 11 prokurorë. Mickoski tha se, prokurorëve që punojnë në këtë rast, duhet t’u jepet shansë të bëjnë punën e tyre.
Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së
“Por, gjithashtu publiku është i ndjeshëm edhe në disa raste nga e kaluara. Duhet të shohim, të presim, nëse Prokuroria Publike ka ambicie të konstatoj disa parregullësi nga e kaluara dhe nëse ndoshta mund t’i rishikojë ato raste dhe të shohim nëse me të vërtetë jemi të gjithë për drejtësi apo ajo drejtësi duhet të jetë selektive. Të shohim nëse me të vërtetë ajo drejtësi ndonjëherë është marrë apo ka qenë selektive”.
Qeveria në mbledhjen e 25 shkurtit e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Lupço Kocevski dhe pas përfundimit të procedurave qeveritare, ai iu dërgua Këshillit të Prokurorëve Publikë në fillim të muajit mars.
Propozimin për shkarkimin e tij Kocevski e ka marrë më 6 mars, dhjetë ditë para se të ndodhte tragjedia në Koçan. Në ndërkohë ai është dashur të japë mendimin e tij për propozimin për shkarkim, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë është dashur të japë mendim brenda 15 ditëve.
Kocevski duke komentuar iniciativën për shkarkimin e tij, tha se, nuk ekziston bazë që vërteton shkelje të rëndë disciplinore.
Deri tani Qeveria nuk e ka publikuar përmbajtjen e propozimit për shkarkimin e Kocevskit. Por nga ajo që është e njohur deri tani, në propozimin që e përgatiti Ministria e Drejtësisë thuhet se prokurori publik republikan ka vepruar në disa lëndë, në të cilat, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime për paanshmërinë e tij, si dhe ka pasur konflikt interesi.