Komision pak i njohur me buxhet 10,5 milion denarë raporton në Kuvend

Shkup, 3 shkurt – Komisioni Rregullator për Banim para deputetëve prezantoi raportin e punës gjashtëmujore për pjesën e dytë të 2025-ës. Ky komision ka për detyrë të kujdeset për nevojat…

shkurt 4, 2026 - 06:00
 0
Komision pak i njohur me buxhet 10,5 milion denarë raporton në Kuvend

Shkup, 3 shkurt – Komisioni Rregullator për Banim para deputetëve prezantoi raportin e punës gjashtëmujore për pjesën e dytë të 2025-ës. Ky komision ka për detyrë të kujdeset për nevojat kualitative banesore të ndërtesave, për ambientin përreth dhe natyrën. Këtë e bëjnë menaxherë të licencuar në bashkëpunim me pronarët e banesave dhe për çdo aktivitet mbahet evidencë.

Mirëpo nuk është se shumë qytetarë dinë për kompetencat dhe angazhimin e këtij komisioni edhe pse numri i ndërtesave që menaxhohen nga menaxherët e licencuar shënon 5600.

“Menaxherët si detyrë kryesore kanë që të lidhin marrëveshje me banorët në ndërtesa për menaxhim me ndërtesën kolektive. Kemi mirëmbajtje të rregullt të ndërtesave dhe fond rezerv. Mjetet nga fondi rezervë konsiderohen si pronësi të banorëve dhe përdoren për investime kapitale si për shembull për ndërrim të fasadave, kanalizimit, për rregullim të ashensorëve, derës hyrëse ose çatisë”, tha Zoran Maxhovski, Kryetar i KRB.

Numri i menaxherëve ndryshon vazhdimisht pasi disave u merren licencat e disa tërhiqen vet. Për të marrë licencë, deri në gusht të vitit të kaluar kushtonte 150 euro e nga gushti është shtrenjtuar në 1000 euro.

“Për momentin ekzistojnë 65 menaxherë të cilët posedojnë licencë për menaxhim me ndërtesa kolektive. Që të marrë licencën nevojitet të ketë të punësuar së paku 1 person me arsim të lartë dhe dy me arsim të mesëm. Duhet të ketë dhe formularët M1 dhe M2 dhe në konton e tij të posedojë së paku 5 mijë euro mjete financiare si garanci”, u shpreh Zoran Maxhovski, Kryetar i KRB.

Ky komision financohet nga buxheti i RMV-së dhe nga të hyrat e kryerjes së punëve që ka në kompetencë. Vitin e kaluar ky komision nga shteti mori 10,5 milion denarë. Komisioni Rregullator për Banim për momentin përbëhet nga kryetari dhe dy anëtarë.