Komisioni Antikorrupsion, Xhafaj: Konsulentë vendas për të monitoruar punën e institucioneve të pavarura
Ekspertët e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion diskutuan në mbledhjen e radhës për mekanizmat që mund të vendosen në ligj për të monitoruar të gjitha institucionet e pavarura. Në kushtet kur Kuvendi nuk ka kapacitete të ndjekë nëse rekomandimet e tij përmbushen ose jo vete kryetari Xhafaj propozon që kjo të bëhet përmes konsulencave private. “Kuvendi […]

Ekspertët e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion diskutuan në mbledhjen e radhës për mekanizmat që mund të vendosen në ligj për të monitoruar të gjitha institucionet e pavarura. Në kushtet kur Kuvendi nuk ka kapacitete të ndjekë nëse rekomandimet e tij përmbushen ose jo vete kryetari Xhafaj propozon që kjo të bëhet përmes konsulencave private.
“Kuvendi duhet ta kontraktojë një operator të caktuar. T’u japë mundësinë e monitorimit gjithëvjetor sepse Kuvendi sot nuk e bën. Kuvendi këtë e bën një herë në vit. Nuk ka kapacitete ta përballojë vetë këtë gjë. Pra ndihmon përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e atij institucionit që monitorohet. Mos të harrojmë që vijnë misionet këtu dhe mbajnë një paradë suksesesh. 99% dëgjoja njërin sot. Është një dokument i rrjedhur prej tyre ndërkohë sepse nuk kanë me çfarë ballafaqohen”, tha Xhafaj.
Një propozim tjetër erdhi nga vetë kreu i komisionit lidhur me ndryshimin e ligjit të partive politike, por dhe numrit të mandateve të deputetëve.
“140 deputetë në një vend që ka 2 milionë zgjedhës. Në pikëpamjen time kryetarët e bashkive nuk do duhej të kufizoheshin sa kohë që i zgjedh populli edhe 10 mandate. Mos ka nevojë të kemi një kufizim mandatesh që nuk mund të rrish përjetësisht deputet?”, tha Xhafaj.
Xhafaj propozon që dhe krerët e institucioneve të pavarura siç është Avokati i Popullit të mos vijnë më si propozime politike, por nga një mekanizëm me një përfaqësim më të gjerë që do të sillte kandidatura të pakontestueshme dhe me integritet./ Tv Klan