Komisioni Evropian reagoi për zgjedhjen e Bogojeskit, institucionet vendore heshtin
Asnjë institucion shtetëror duket se nuk do të rishqyrtojë zgjedhjen e Petar Bogojeskit drejtor të Agjencisë nacionale për programet evropiane për arsim dhe lëvizshmëri. Nga qeveria me përgjigjen e njëjtë The post Komisioni Evropian reagoi për zgjedhjen e Bogojeskit, institucionet vendore heshtin appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Asnjë institucion shtetëror duket se nuk do të rishqyrtojë zgjedhjen e Petar Bogojeskit drejtor të Agjencisë nacionale për programet evropiane për arsim dhe lëvizshmëri. Nga qeveria me përgjigjen e njëjtë të para disa ditëve, se ata nuk janë kompetent dhe se bordi drejtues që bëri zgjedhjen, ka autonomi në vendime.
“Vendimin e ka marrë Bordi drejtues i Agjencisë. Ai është në harmoni me procedurën ligjore dhe kompetencat e tyre. Qeveria nuk merr pjesë direkt në procesin e zgjedhjes, por e respekton autonominë e Bordit drejtues gjatë marrjes së këtyre vendimeve”, thonë nga Qeveria.
Në Bordin drejtues të agjencisë, sipas të dhënave në faqen zyrtare të internetit janë të gjithë të punësuar në Ministrinë e Arsimit ose Ministrinë e Financave.
Alsat drejtoi një sërë pyetjesh edhe në Ministrinë e Arsimit, a do të rishikohet vendimi pas reagimeve në opinion dhe me çfarë argumentesh ministrja Vesna Janevska do ta mbrojë para Komisionit Evropian zgjedhjen e Bogojeskit.
“Drejtori i Agjencisë Kombëtare zgjidhet nëpërmjet një konkursi publik të shpallur nga Bordi Drejtues. Aty përcaktohen kriteret e përzgjedhjes dhe, sipas informacionit nga bordi, përzgjedhja u bë pas shqyrtimit të dy aplikimeve të paraqitura brenda afatit të konkursit. Përparësi i jepet kandidatit që ka një nivel më të lartë arsimi dhe përvojë pune më të madhe në pozicione të larta drejtuese. Nëse lind ndonjë problem në funksionimin e institucionit, do të merren masat e duhura”, deklaruan nga Ministria e Arsimit.
Ministrja ditë më parë tha se drejtorët duhet të jenë mbipartiakë por se nuk mund të vlerësohet puna e një drejtori të zgjedhur dy ditë më parë. Ajo shtoi se veprimet e tij do të monitorohen që tani e tutje.
Komisioni Evropian një ditë më parë për Alsat tha se është i njoftuar për shqetësimet e ngritura në media, ka marrë parasysh reagimet dhe pret ta diskutojë këtë çështje me ministren e Arsimit. KE-ja tha se drejtori i Agjencisë që merret me programet evropiane për arsim duhet të jetë person që respekton vlerat evropiane.
Bogojeski është figurë kontraverse që përfaqëson pikërisht të kundërtën. Ai në qëndrimet e tij publike fyen dhe përhap gjuhë të urrejtjes kryesisht për shqiptarët, por edhe gratë, komunitetin LGBT dhe personat me HIV.
Ndaj zgjedhjes së tij reaguan organizata studentore, organizata për mbrojtje nga diskriminimi por edhe parti politike opozitare. Përfaqësuesit shqiptarë në qeveri publikisht nuk kanë kërkuar shkarkimin e tij, edhe pse deklaruan se ndajnë shqetësimet me opinionin. Nuk ka reaguar askush as nga klasa akademike shqiptare.
E deri sa opinioni vazhdon të reagojë, Bogojeski, i zgjedhur javën e kaluar por që nuk ka marrë akoma zyrtarisht postin në prani të përfaqësuesve evropianë, vazhdon aktivitetet prej drejtori, duke dërguar komunikata me vulë dhe numër arkivor dhe duke vizituar shkolla. /Alsat.mk
The post Komisioni Evropian reagoi për zgjedhjen e Bogojeskit, institucionet vendore heshtin appeared first on Flaka, në çdo lajm... .