Kompania nga Tetova pronari i të cilës është punonjës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve përpunon plane urbanistike

Tetova është qyteti i cili që nga viti 2003 nuk ka miratuar Plan të Përgjithshëm Urbanistik. Në këtë qytet janë ndërruar shumë kryetarë, por asnjë nga ata nuk ia ka dalë mbanë ta zgjidhë kaosin me ndërtimet pa leje. Kryetari aktual, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2026 do […]

Jan 23, 2025 - 08:00
 0  6
Kompania nga Tetova pronari i të cilës është punonjës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve përpunon plane urbanistike
Ndërtime, ndërtesa, banesa, urbanizëm, Shkup, analiza ekonomike, ekonomi, beton

Tetova është qyteti i cili që nga viti 2003 nuk ka miratuar Plan të Përgjithshëm Urbanistik. Në këtë qytet janë ndërruar shumë kryetarë, por asnjë nga ata nuk ia ka dalë mbanë ta zgjidhë kaosin me ndërtimet pa leje. Kryetari aktual, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2026 do ta zgjidhë këtë problem. Ndërkohë, komuna përpunon Plane të Detajuar Urbanistikë për pjesë të qytetit të Tetovës dhe rrethinës. Një nga kompanitë e cila është angazhuar përmes shpalljeve publike është kompania “Pro – Inzhenering”, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2022 dhe vitin 2024 kjo kompani ka fituar dy tenderë për përpunimin e Planeve të Detajuar Urbanistikë në Tetovë.

Sipas asaj që mund të shihet nga të dhënat e Byrosë së Prokurimeve Publike kontrata e parë me kompaninë “Pro – Inzhenering”me vlerë pothuajse 100.000 euro është lidhur në korrik të vitit 2022 për përpunimin e Planeve të Detajuar Urbanistikë.

Në kontratë thuhet se bëhet fjalë për një prokurim të njëpasnjëshëm që nuk është e domosdoshme të kryhet në tërësi, ndërkohë që kjo kompani ka pasur çmimin më të ulët të shërbimeve.

Kontrata e dytë është gjithashtu për përpunimin e Planeve të Detajuar Urbanistikë dhe është nënshkruar në maj të vitit 2024 me një vlerë prej 78.000 euro.

PDU-të i përpunon person i punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve

Kompania “Pro – Inzhenering” nga Tetova ka dy pronarë, Ibraim Feratin dhe Musa Muslijën. Por Ferati në të njëjtën kohë është i punësuar edhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve si ndihmës udhëheqës i Sektorit në Drejtorinë për Siguri në Sistemin Hekurudhor.

Pikërisht kjo Ministri është ajo që u jep licenca kompanive për projektimin e ndërtimeve dhe për revizionin e dokumentacionit të projektit, për menaxherin e ndërtimit, kontraktorin, për mbikëqyrje dhe menaxhim të mirëmbajtjes, gjë që është pjesë e veprimtarive kryesore edhe të kësaj kompanie.

“Pro – Inzhenering” ka marrë licenca të tilla në vitin 2016 dhe në shkurt të vitit 2024, vetëm dy muaj para se kompania të fitonte tenderin për përpunimin e PDU-ve.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk e konsiderojnë këtë gjë si problem dhe për Radion Evropa e Lirë thanë se Ferati është punonjës i Ministrisë që nga viti 2005 , por që detyrat e tij të punës nuk janë në sektorin për urbanizëm.

“Personi në fjalë i kryen detyrat e tij të punës në Drejtorinë për Sistemin Hekurudhor dhe ajo nuk bashkëvepron me Sektorin e Planifikimit Urbanistik dhe Sektorin e Ndërtimit. Punonjësit e Ministrisë detyrat e punës dhe obligimet i kryejnë ekskluzivisht sipas rregulloreve ligjore, pa dallim se për cilin person juridik apo fizik bëhet fjalë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Përndryshe, sipas Ligjit për Administratën Shtetërore, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është i vetmi institucion në vend që lëshon licenca në fushën e urbanizmit dhe ndërtimit dhe ka kritere të definuara sipas të cilave i lëshon ato.

Licencat kontrollohen, por vetëm nga aspekti i plotësimit të kritereve të kërkuara për lëshimin e tyre, thonë nga Ministria. Nga atje shtojnë se vendimi nëse një PDU do ta kalojë filtrin e tyre varet nga ajo nëse është në përputhje me parametrat e Planit të Përgjithshëm Urbanistik.

Ferati është njoftuar nga Komuna për pyetjet e parashtruara

Pronari i kompanisë “Pro – Inzhenering”, Ibrahim Ferati, në një bisedë telefonike për RLE-në tha se nuk ka kurrfarë ndikimi në lëshimin e licencave për kompaninë e tij, ku thotë se është vetëm themelues dhe se nuk ndërhyn në punën e kompanisë edhe pse është pronar.

Por në të njëjtën bisedë, që para se t’i bëhej ndonjë pyetje, ai e dinte se çfarë ishte objekti i interesimit të RLE-së në pyetjet e dërguara pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe Komunës së Tetovës.

Në pyetjen se nga i ka marrë informacionet për pyetjet e Radios Evropa e Lirë që u janë dërguar institucioneve, ai tha se ashtu si edhe ne, “edhe ai i ka burimet e veta” dhe se “është informuar nga dikush nga komuna”.

“Ju i keni dërguar pyetje komunës apo diku… Ashtu siç ju ka njoftuar juve dikush, ashtu më kanë informuar edhe mua. Po, për pyetjet tuaja më kanë informuar nga komuna. Nuk mund të them se jam armik i komunës dhe as i ndonjë komune tjetër në vend”, tha Ferati.

Radio Evropa e Lirë që më 14 janar i ka dërguar pyetje edhe Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ndër të tjera edhe për përpunimin e PDU-it për Lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit dhe për dy parcela të kontestueshme për të cilat kishte informacion të pakonfirmuar se u ishte rritur sipërfaqja për ndërtimin e hoteleve.

Në bisedën për RLE vetë Ferati e pranoi se është në dijeni për këto çështje.

“Thuhet sikur Planin për Kodrën e dillit e kemi fituar ne. Ai plan është filluar që në kohën kur kryetar i Komunës ishte Bexheti dhe nuk ishim ne ata që e bënin përpunimin e tij. Pas tij dy mandate ishte Teuta Arifi, pastaj mandati i parë i Bilall Kasamit dhe tani na del sikur ne po e fitojmë tenderin përmes… Mendoj se disa gjëra nuk kanë lidhje”, thotë Ferati.

Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën as në pyetjet e para, e as në ato shtesë për atë se kush e informon pronarin e kompanisë që fiton tenderë pikërisht nga komuna për atë se çfarë pyetjesh i ka dërguar Radio Evropa e Lirë komunës dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve janë të prerë se nga atje nuk ka dalë asnjë informacion për ndihmës udhëheqësin e tyre.

Licenca pune për kompaninë “Pro – Inzhenering” të lëshuara nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në vitin 2016 dhe në vitin 2024

Dy parcela për hotele kanë fituar sipërfaqe më të mëdha?

Një nga PDU-të për të cilin është angazhuar kompania “Pro – Inzhenering” dhe për të cilin u interesua RLE është Lagjja e uikend shtëpizave në Kodrën e Diellit dhe fshatrat Lisec dhe Gajre, që ndodhen në rrëzë të Kodrës së Diellit. Për këtë PDU janë realizuar disa diskutime publike dhe anketa, por ende nuk është finalizuar dhe nuk është votuar nga Këshilli i Komunës.

Por, për t’i kaluar të gjitha procedurat, PDU-ja duhet ta kalojë edhe filtrin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e cila duhet ta miratojë, ndërsa pikërisht në këtë Ministri Ferati është zëvendës udhëheqës i Sektorit.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë që dëshiruan të mbeten anonimë, pikërisht në Kodrën e Diellit ka dy parcela të kontestueshme. Në ato është planifikuar të ndërtohen hotele, ndërsa në njërën prej tyre tashmë ka një objekt. E dyshimtë është edhe sipërfaqja e tyre, për të cilën ka dyshime se me kalimin e viteve është rritur.

Nga Komuna e Tetovës nuk dhanë përgjigje konkrete në pyetjet e Radios Evropa e Lirë.

“Procesi i miratimit të Planit të ri të Detajuar Urbanistik për Kodrën e Diellit ka kaluar nëpër disa faza të rëndësishme dhe për momentin ndodhet në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për miratim. Gjatë shqyrtimit Ministria ka pasur disa vërejtje teknike dhe ligjore lidhur me përmbajtjen e planit, të cilat janë adresuar nga Komuna jonë, ndërsa dokumentacioni i përmirësuar është ridërguar për rishqyrtim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet komunale në Kodrën e Diellit ka më shumë se 120 objekte pa leje. Me përpunimin e PDU-së dhe PPU-së duhet të përfshihen ato që mund të legalizohen, por sipas një deklarate të kryetarit Kasami, për ato ndërtime që nuk do të përfshihen në këto plane do të duhet të ndërhyhet në pajtim me Ligjin për Ndërtimet pa Leje.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit hapi lëndë

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit deri më tani nuk ka pranuar raportim për një konflikt të mundshëm interesi për Ibraim Feratin si udhëheqës sektori dhe njëkohësisht pronar i një kompanie. Por pas pyetjeve të parashtruara nga Radio Evropa e Lirë, nga atje thonë se do të hapin lëndë.

“Në kolegjiumin e mbajtur më 20 janar të vitit 2025, KSHPK-ja vendosi që me vetëiniciativë, pas zërit të arritur, të hapë lëndë lidhur me pretendimet e parashtruara në pyetjen Tuaj. Nëse dispononi me informacion shtesë për prokurimet publike konkrete në të cilat kompania në pronësi të personit të lartpërmendur është përzgjedhur si ofertues më i favorshëm, Ju lutemi që të na i dërgoni”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.

Përndryshe, sa i përket ekzistimit të konfliktit të interesit në rastet kur një kompani në pronësi të personit të lartpërmendur ka fituar tenderë për përpunimin e PDU-ve për disa komuna dhe tenderë për shërbime të tjera që kanë të bëjnë me sektorin e urbanizmit, nga KSHPK-ja thonë se duhet të shqyrtohen nga këndvështrimi i çdo rasti individual në të cilin kompania në fjalë ka marrë pjesë në procedurën e prokurimit publik dhe është përzgjedhur si ofertuesi më i mirë.

Përndryshe pronari i dytë, Musa Muslija, në vitin 2016 ka marrë paralajmërim publik nga KSHPK-ja për shkak se gjatë kohës që ka qenë menaxher i kompanisë ka qenë edhe anëtar i Bordit të drejtorëve të Sh.A. “Ujësjellësi i RM-së” – Shkup. Paralajmërimi publik i është shqiptuar për shkak se ai nuk ka vepruar sipas kërkesës së KSHPK-së për të hequr dorë nga pozita e menaxherit të kompanisë, gjë që ishte në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Pas paralajmërimit publik, ai hoqi dorë nga pozicioni i menaxherit, por jo edhe nga struktura e pronësisë.

“Pro – inzhiniering” përpunon PDU edhe për komuna të tjera

Sipas të dhënave nga Rrjeti i bizneseve, kompania “Pro – inzhiniering” nga viti 2015 ka fituar gjithsej 80 tenderë, nga të cilët 11 në vitin 2024. Mirëpo, janë realizuar 34 dhe vlera e përgjithshme e tyre është mbi 2 milionë euro, nga të cilat gjysmë milion janë nga realizimi i vitit të kaluar. Këta tenderë kryesisht janë fituar nga komuna e Gostivarit, Sarajit, Zhelinës, Likovës, Bërvenicës, Bogovinës, Haraçinës dhe Vrapçishtit.

Një pjesë e prokurimeve të fituara janë pikërisht për shërbime për përpunimin e Planeve të Detajuar Urbanistikë dhe atë për komunën e Gostivarit, Haraçinës dhe Vrapçishtit.