Nga vrulli në prolongim, VLEN i hëngri disa herë fjalët e veta: Nuk u bëhet vonë për Ligjin për përfaqësim të drejtë
Ligji për përfaqësim të drejtë mbetet një premtim tjetër i shkelur i koalicionit VLEN pas afatit kohor të shkelur për ndryshimet kushtetuese. Nga deklaratat e njëpasnjëshme se ligji që do të rregullojë përfaqësimin etnik nëpër institucione është gati, nga aty tani thonë se ligji është prolonguar, shkruan Portalb.mk. Pas shfuqizimit të instrumentit ‘Balancues’, punësimet në […]
Ligji për përfaqësim të drejtë mbetet një premtim tjetër i shkelur i koalicionit VLEN pas afatit kohor të shkelur për ndryshimet kushtetuese. Nga deklaratat e njëpasnjëshme se ligji që do të rregullojë përfaqësimin etnik nëpër institucione është gati, nga aty tani thonë se ligji është prolonguar, shkruan Portalb.mk.
Pas shfuqizimit të instrumentit ‘Balancues’, punësimet në institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut tani e tre muaj bëhen pa asnjë mekanizëm i cili garanton përfaqësim të drejtë etnik.
Pavarësisht zotimeve disa mujore të koalicionit VLEN të cilët janë pjesë e Qeverisë, se këtë problematikë do ta rregullojnë me Ligjin për përfaqësim të drejtë, ky ligj nuk është prezantuar ende para publikut.
Madje dje (22 janar 2025) deputeti i VLEN-it Rijad Shaqiri në një prononcim për TV21 tha se ligji është prolonguar.
“Është më mire të prolongohet dhe të sillet një ligj gjithëpërfshirës se sa të bëhet një ligj që do të pësojë ndryshime të vazhdueshme në etapa të caktuara. Unë ndaj mendimin se më mire është të përpunohet më gjatë dhe të jetë më gjithëpërfshirës se sa të bëhet shkel e shko. Ky ligj ngërthen në vete përfaqësimin e drejt dhe adekuat në të gjitha institucionet e shtetit. Kemi pasur institucione të caktuara që deri tani nuk kanë qenë të përfshirë nga shqiptarët. Disa nga institucionet kanë qenë të paprekura, tabu për shqiptarët dhe me këtë ligj mundësohet kjo”, tha Shaqiri.
Për këtë deklaratë të deputetit reaguan nga Aleanca për Shqiptarët (grupi i Ziadin Selës). Ata thonë se VLEN u dorëzua, ndërsa Mickoski dhe Dimitrievski realizuan planin, punësimet e reja pa shqiptarët.
Kronologji e afateve të shkelura nga VLEN
Ligji për përfaqësim të drejtë nga koalicioni VLEN filloi të përmendet që nga hapja e debatit për shfuqizimin e instrumentit ‘Balancues’. Që atëherë përfaqësuesit e koalicionit kanë dhënë disa herë deklarata dhe afate të ndryshme.
Portalb.mk përgatiti kronologji të deklaratave të zyrtarëve të VLEN-it për këtë ligj.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti sqaroi se në Qeveri ka harmoni për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë.
“Në nivel qendror, mundet maqedonasit të deklarohen si shqiptarë, na nivel lokal shqiptarët si maqedonas. Ashtu që “balancuesi” është jashtë funksionit. Kemi marrëveshje politike që kjo të rregullohet me Ligjin për përfaqësim të drejtë, por edhe cilësor”, deklaroi Mexhiti.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se javën që vjen do të nisë debato publik për Ligjin për përfaqësim të drejtë.
“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat e kemi pjesë të marrëveshjes së koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Ky projektligj në këtë fazë është gati. Do të shihni javën e ardhshme se do të nisim një debat publik në lidhje me miratimin e ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat, i cili do të eliminojë mundësitë e abuzimeve me deklarata të rrejshme të përkatësisë kombëtare, ndërsa do të krijojë mekanizma zbatimi, që janë detyrimore për institucionet”, tha Fetai.
Koalicioni VLEN në një deklaratë për Portalb.mk tha se propozim ligji për përfaqësim të drejtë është gati dhe se javët në vazhdim do të organizojnë debat publik.
“Pas të cilës propozim ligji do të futet në procedurë parlamentare”, thanë nga VLEN.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se,“VLEN” po e përgatit ligjin për përfaqësim të drejtë, për të cilin, siç kanë paralajmëruar, javën e ardhshme do të mbahet debat publik.
“Veçmë punojmë intensivisht dhe e kemi përgatitur Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Jo veç për përfaqësim të drejtë por edhe gjinorë dhe të kategorive të tjera të ndryshime të margjinalizuara në shoqëri. Kemi kërkuar edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë mendime. Unë besoj se nuk shkon më shumë se dy-tre javë dhe ligji do të dorëzohet në Parlament, por në ndër kohë ne të jemi të sinqertë duhet të koordinohemi edhe me partnerët e koalicionit”, u shpreh Taravari.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai tha se nuk shqetësohet për vakumin kohor, ai theksoi se është praktikë ndërkombëtare që të merret një opinion nga Komisioni i Venecias.
“Me rëndësi është që më në fund do të sillet një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do e përkthejë në obligime ligjore për institucionet me mekanizma kontrolli dhe mekanizma zbatimi, të cilat kanë munguar deri më tani”, tha Fetai.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se është mirë që versioni i parë të dërgohet në Komisionin e Venedikut.
“Çfarë do të përmbajë, nuk mund të themi, por mund të them se do të ketë një debat publik. Do të përfshihen akademikë nga të gjitha universitetet, profesionistë, gjithçka në funksion të gjetjes së zgjidhjes më të mirë, e cila do të jetë një zgjidhje afatgjatë dhe që nuk mund të kontestohet nga askush nesër-pasnesër. Duhet të kemi kujdes për kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu të mos shkojmë në përplasje me Kushtetutën dhe të mos pësojmë sërish situata të tilla”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai njoftoi se janë në fazën finale të përgatitjes së ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Ligji në fjalë të cilin do e diskutojmë sot në takimin e radhës të grupit punues të koalicionit qeveritar synon të ofrojë zgjidhje konkrete ligjore, mekanizma kontrolli, mekanizmi zbatimi si dhe mekanizma sanksioni aty ku nuk zbatohet i njëjti nga institucionet në fjalë. Tani për tani nuk dua të hy në detaje për sa i përket mekanizmit të ligjit vetëm se dua të njoftoj se jemi në fazën finale. Me takimin e sotëm uroj që të gjejmë dakordimin dhe konsensusin final brenda koalicionit qeveritar”, tha Fetai.
Përndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski ka thënë se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë kushtetuese dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri e ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.