RMV, ngulfatemi me ajrin e ndotur që e krijojmë vetë, raport i BE-së dëshmon se përgjegjësit nuk ndërmorën asnjë masë

Sezoni i ri i ngrohjes sapo ka filluar, ndërsa qytetet në Maqedoninë e Veriut që në muajin nëntor u gjendën në krye të  listave famëkeqe të matjes së cilësisë së ajrit në botë për nga ndotja e ajrit. As hulumtimi i fundit i UNDP-së për përcaktimin e burimeve të ndotjes së ajrit, si dhe as […]

Nëntor 23, 2024 - 13:00
 0  6
RMV, ngulfatemi me ajrin e ndotur që e krijojmë vetë, raport i BE-së dëshmon se përgjegjësit nuk ndërmorën asnjë masë
Ndotja e ajrit, foto nga Portalb.mk

Sezoni i ri i ngrohjes sapo ka filluar, ndërsa qytetet në Maqedoninë e Veriut që në muajin nëntor u gjendën në krye të  listave famëkeqe të matjes së cilësisë së ajrit në botë për nga ndotja e ajrit. As hulumtimi i fundit i UNDP-së për përcaktimin e burimeve të ndotjes së ajrit, si dhe as Raporti i Komisionit Evropian për progresin e reformave të vendit në vitin 2024, për momentin nuk kanë mjaftuar që politikanët dhe institucionet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin masa urgjente, raporton Media për BE, transmeton Portalb.mk.

Në Raportin e fundit të BE-së për vendin tonë thuhet se këtë vit autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk kanë bërë asgjë në luftën kundër ndotjes së ajrit që e thithim.

“Është arritur një progres shumë i kufizuar për sa i përket cilësisë së ajrit dhe nuk ka asnjë zhvillim legjislativ gjatë periudhës së raportimit. Është e nevojshme të përforcohet sistemi ekzistues i monitorimit dhe strukturat përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

Sa i përket ndotjes së ajrit nga Brukseli zyrtar dhe këtë herë kishin vërejtje të ngjashme si vitet e kaluara, me ç’rast autoritetet kritikohen se rrjeti automatik i monitorimit të stacioneve matëse që bëjnë monitorimin e ndotjes së ajrit ka kapacitet shumë të ulët, ndërsa rekomandimet të cilat i jep Komisioni Evropian nuk zbatohet nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut. E nevojshme është që të rritet kapaciteti i administratës dhe inspektoratit për mbrojtjen e mjedisit jetësor, në mënyrë që të mund të zbatohen rekomandimet nga Brukseli.

Gorjan Jovanovski, krijuesi i aplikacionit “Ajri im”, thotë se për ndotjen e ajrit janë bërë studime të shumta, ashtu siç janë definuar edhe burimet kryesore të ndotjes, ndërkohë që thotë se politika, kokëfortësia politike dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për zbatimin e politikave për ajër të pastër në qytete.

“Asgjë tjetër nuk na pengon që ta zgjidhim këtë problem, sepse ne nuk jemi të vetmit në botë, që të mos mund ta zgjidhim”, thotë Jovanovski.

Ai thotë se nuk bëhet lojë me ajrin e ndotur, sepse sëmundjet që e kërcënojnë shëndetin e njeriut janë të shumta.

“Nga problemet me organet e frymëmarrjes, deri tek kanceri, dobësimi i sistemit imunitar dhe infertiliteti, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Ajri është qenësor për jetën dhe kur është i ndotur ndikon në funksionimin e plotë të organizmit”, thotë Gorjan Jovanovski.

Edhe më alarmante janë rezultatet e hulumtimit të realizuar nga UNDP-ja në kuadër të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit”, i cili nxori në pah se ka nivele alarmante të ndotjes së ajrit si në mjedise të hapura ashtu edhe në mjedise të mbyllura. Përmes këtij hulumtimi gjatë një viti është bërë monitorim i cilësisë së ajrit dhe janë analizuar burimet e ndotjes së ajrit në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë.

Ndotja e ajrit, Foto: Portalb.mk
Ndotja e ajrit, Foto: Portalb.mk

Nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) për “Eurothink” i dërguan rezultatet e hulumtimit, të cilat tregojnë se në të pesë komunat burimi më i madh i ndotjes së ajrit është ngrohja, gjegjësisht ngrohja e amvisërive.

“Djegia e drurit, por edhe e mbeturinave në soba/kaldaja relativisht joefikase dhe të vjetra gjatë muajve të dimrit është mbase burimi kryesor që mund të lidhet me shfaqjen e episodeve të ndotjes ekstreme”, thonë nga UNDP-ja.

Nga atje shtojnë se gjatë muajve të verës komunikacioni dhe pluhuri mineral kanë një ndikim dukshëm më të madh në ndotjen e ajrit, ndërsa në numrin më të madh të komunave djegia e kashtës dhe mbeturinave të tjera është shkaktar i rëndësishëm i ndotjes së ajrit.

Nga UNDP-ja na i dërguan edhe rezultatet e matjeve në një nga lokacionet, nga ai në oborrin e shkollës fillore “Goce Dellçev” në Gostivar, në të cilin janë marrë mostra nga muaji mars i vitit 2023 deri në muajin prill të vitit 2024. Matjet për ndotësin më të rrezikshëm të ajrit – grimcave PM-2.5 tregojnë se përqendrimi mesatar vjetor i këtyre grimcave ka qenë 29.1 mikrogramë për metër kub, që është 16% më shumë se përqendrimi maksimal i lejuar i këtyre grimcave në ajër.

Hulumtimi i UNDP-së nxori në pah se ndotje të ajrit me grimca PM-2.5 mbi kufijtë e lejuar në Gostivar ka pasur gjatë gjithë vitit, me përqendrime maksimale dukshëm më të larta gjatë sezonit të ngrohjes.

“Gjatë muajve të pranverës, verës dhe vjeshtës nuk ka ndryshime të theksuara në përqendrimin e grimcave PM-2.5, as në bazë ditore dhe as në bazë javore. Për dallim nga kjo gjatë dimrit vihet re një ndryshim i dukshëm i përqendrimeve të grimcave PM-2.5 në bazë ditore, me dy kulminacione karakteristike, një në mëngjes dhe një në mbrëmje”, thuhet në hulumtimin e UNDP-së.

Kjo analizë e fundit e cilësisë së ajrit në pesë komunat e Maqedonisë tregoi përqendrime të larta, mbi kufijtë e lejuar me ligj, në ajrin ambiental të kopshteve të fëmijëve dhe shkollave ku fëmijët e ndjekin mësimin për çdo ditë.

“Përderisa përqendrimet mesatare të ndotësve të tjerë të përfshirë në hulumtim, gazrat si monoksidi i karbonit, dioksidi i karbonit dhe formaldehidi, janë pothuajse pa përjashtim brenda vlerave të lejuara, ndërsa pastërtia mikrobiologjike e ajrit në përgjithësi mund të vlerësohet si e pranueshme, përqendrimet mesatare të matura të grimcave PM-2.5 i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara për dy, madje edhe për tre herë”, tregon hulumtimi i UNDP-së për cilësinë e ajrit.

Dhe përderisa po grumbullohen të dhëna nga hulumtimet për ajrin e ndotur,  autoritetet kanë shumë pak veprime konkrete për ta parandaluar ndotjen e ajrit që do t’i zbatonin tani dhe menjëherë.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor për “Eurothink” thanë se janë duke zhvilluar aktivitete përgatitore për ngritjen e stacionit monitorues për matjen e nivelit të ndotjes në Shtip. Për zonat e tjera në vend nuk do të ketë ndryshime për matje më të mirë të cilësisë së ajrit gjatë këtij sezoni të ngrohjes, me përjashtim të mirëmbajtjes së stacioneve matëse ekzistuese.

Kjo ministri i mbështet komunat në Maqedoninë e Veriut në miratimin e planeve për cilësinë e ajrit që deri më tani janë miratuar për rajonin e Shkupit, Tetovës, Manastirit, Strumicës, Kumanovës, Kavadarit, Gostivarit, Prilepit, Velesit dhe Ohrit. Këshillat Komunalë duhet t’i miratojnë planet e përgatitura për Kërçovën, Koçanin, Strugën, Shtipin dhe Gjevgjelinë, ndërsa po vijon hartimi i këtij dokumenti edhe për Strumicën. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor thonë se Qeveria është duke përgatitur një dokument të ri me protokoll dhe masa të ngjashme që do të ndërmerren në rast të ndotjes alarmante të ajrit si plotësim i Protokollit për gjendje alarmante të miratuar nga Qeveria e Maqedonisë në vitin 2017.

Në mesin e përgjigjeve që na i dërguan nga kjo ministri mund të vihen re disa projekte nga donatorë të huaj që punojnë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend, por edhe shumë pak aktivitete që financohen direkt nga buxheti i shtetit apo nga fondet e komunave e që zbatohen në bashkëpunim me shtetin.

Ndotje e ajrit, foto: Suad Bajrami
Ndotje e ajrit, foto: Suad Bajrami

Kështu pra në dy vitet e ardhshme BE-ja do ta financojë harmonizimin e legjislacionit tonë me rregulloren e BE-së për ajrin, ndërsa nëpërmjet Bankës Botërore po realizohet projekti për përmirësimin e efikasitetit energjetik në sektorin publik në vlerë prej 25 milionë eurosh. Me mbështetjen e Suedisë UNDP-ja siguroi mjete për zbatimin e një pjese të masave kundër ndotjes së ajrit në pesë qytete në vlerë prej 890.000 dollarësh amerikanë, dhe po aq mjete duhet të ndajë Kumanova, Gostivari, Struga, Kavadari dhe Strumica. Përmes projektit “BE për ajër të pastër”, për Shkupin janë blerë gjashtë autobusë ekologjikë, në katër qytete do të mbillen 6.000 fidane, si dhe do të ndërrohen edhe sistemet e ngrohjes në 40 objekte publike në Shkup, Manastir, Tetovë dhe Veles.

E përderisa donatorët e huaj po ndihmojnë, Gorjan Jovanovski konstaton se autoritetet nga të gjitha partitë dhe palët politike në 10 vitet e fundit kanë treguar se nuk kanë as dëshirë e as njohuri për ta zgjidhur problemin e ndotjes së ajrit. Ai pyet se ku janë zgjidhjet.

Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.

“Vlerësuam se në shtetin tonë brenda një viti shuhen 4.175 jetë si pasojë e ekspozimit ndaj cilësisë aktuale të ajrit ambiental (llogaritjet i referohen periudhës 2019-2021), që përbën 17,0% të mortalitetit të përgjithshëm”, thuhet në këtë dokument të Institutit të Shëndetit Publik.

Kështu, 176 vdekje si pasojë e sëmundjeve ishemike të zemrës në vit i atribuohen ndotjes së ajrit në mjediset në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shqetësuese janë edhe të dhënat për ndikimin e cilësisë së ajrit tek goditjet në tru, sidomos tek popullata e moshuar, si dhe tek vdekshmëria si pasojë e kancerit të mushkërive.

Në pritje të ndërmarrjes së veprimeve nga ana e institucioneve, qytetarëve u mbetet ta padisin shtetin për ta realizuar të drejtën e tyre për ajër të pastër dhe mbrojtje të shëndetit të tyre. Me vendimin të cilin e solli Gjykata Supreme në muajin tetor të vitit 2024  qytetarëve u hapet rruga që të ngrenë procedurë në Gjykatën Administrative për të zhvilluar një kontest kundër shtetit nëse rrezikohet shëndeti i tyre. Ky vendim i Gjykatës Supreme pasoi pas iniciativës së dorëzuar nga Organizata joqeveritare “Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike” dhe Shoqata e Avokatëve “Goxho, Kiçeec dhe Novakovski”.

Kujtojmë se kontrollet inspektuese të industrisë dhe kantiereve të ndërtimit, regjim i veçantë qarkullimi për mjetet e rënda të mallrave, reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare të administratës dhe lirimi nga detyrimet e punës të grupeve të ndjeshme dhe grave shtatzëna, janë pjesë e masave afatshkurtra që qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë përfshirë në Planin e ri të veprimit për uljen e ndotjes së ajrit. Për këto masa është miratuar urdhri që të zbatohet në rastet kur ndotja do të kalojë kufijtë e alarmit.