Konfliktet në Lindjen e Mesme, Trump: Heqja e uraniumit të pasuruar nga Irani, proces i gjatë dhe i vështirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se heqja e uraniumit të pasuruar nga Irani pritet të jetë një proces “i gjatë dhe i vështirë”, pas operacioneve ushtarake të ndërmarra nga SHBA. Në një postim në platformën Truth Social, Trump iu referua operacionit të koduar “Çekani i Mesnatës”, duke theksuar se ai rezultoi […]

Prill 21, 2026 - 10:30
Konfliktet në Lindjen e Mesme, Trump: Heqja e uraniumit të pasuruar nga Irani, proces i gjatë dhe i vështirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se heqja e uraniumit të pasuruar nga Irani pritet të jetë një proces “i gjatë dhe i vështirë”, pas operacioneve ushtarake të ndërmarra nga SHBA.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump iu referua operacionit të koduar “Çekani i Mesnatës”, duke theksuar se ai rezultoi në “zhdukje të plotë dhe totale” të vendeve të lidhura me programin bërthamor iranian.

Sipas tij, dëmet e shkaktuara nga ky operacion e bëjnë të vështirë rikuperimin apo nxjerrjen e materialeve bërthamore nga zonat e goditura. Operacioni në fjalë, i zhvilluar në qershor të vitit të kaluar, përfshiu rreth 125 avionë ushtarakë amerikanë, të cilët goditën tre objekte kryesore bërthamore në Iran: Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Ai deklaroi se mediat “nuk arrijnë t’u japin aviatorëve tanë të shkëlqyer meritat që meritojnë”, ndërsa i akuzoi për përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar suksesin e operacionit.

Deklaratat e presidentit vijnë në një kohë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa çështja e programit bërthamor iranian vijon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në arenën ndërkombëtare.