Kongresi amerikan me shumicë të re, njohësit: Kosova duhet t’i mbajë të hapura dyert në të dyja partitë

Zhvillimet e fundit politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit 2026, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në balancat politike në Uashington. Demokratët kanë fituar shumicën në të dyja dhomat e ...

Nëntor 5, 2026 - 11:00
Kongresi amerikan me shumicë të re, njohësit: Kosova duhet t’i mbajë të hapura dyert në të dyja partitë

Zhvillimet e fundit politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit 2026, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në balancat politike në Uashington. Demokratët kanë fituar shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, duke hapur një kapitull të ri në raportet ndërmjet Kongresit dhe administratës së presidentit Donald Trump. Kongresi i ri pritet të nisë punën më 3 janar 2027.

Ky ndryshim i përbërjes politike në Uashington pritet të ndikojë në politikën e brendshme amerikane, veçanërisht në mbikëqyrjen e administratës, miratimin e ligjeve dhe vendimet buxhetore. Për Kosovën, zhvillimi kërkon vëmendje të veçantë diplomatike, pasi mbështetja amerikane mbetet një prej shtyllave kryesore të sigurisë, shtetësisë dhe orientimit euroatlantik të vendit.

Përtej përkatësisë partiake të udhëheqësve në Uashington, Kosova duhet të kujdeset që marrëdhëniet me SHBA-në të mos ndërtohen vetëm mbi raportet me një administratë apo një parti politike, por të kenë mbështetje të qëndrueshme në të dyja krahët e politikës amerikane.

Historia e marrëdhënieve Kosovë-SHBA dëshmon se përkrahja për vendin ka pasur karakter dypartiak. Në vitin 1999, ndërhyrja e NATO-s u zhvillua gjatë administratës së presidentit demokrat Bill Clinton, ndërsa njohja e pavarësisë së Kosovës, më 18 shkurt 2008, u bë gjatë administratës republikane të George W. Bushit. Kjo histori përbën një argument të rëndësishëm për nevojën e ruajtjes së miqësisë dhe konsensusit me të dyja partitë amerikane.

Në këtë kontekst, diplomacia e Kosovës përballet me sfidën e forcimit të kontakteve me përfaqësuesit e rinj të Kongresit, ruajtjes së komunikimit me administratën Trump dhe ndërtimit të një agjende konkrete të bashkëpunimit strategjik. Një rëndësi të veçantë merr edhe rikthimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në, i cili u pezullua në shtator të vitit 2025.

Sa mund të ndikojnë ndryshimet në Kongres në pozicionin e Kosovës në Uashington, a duhet Prishtina ta intensifikojë lobimin në të dyja partitë dhe cilat hapa duhet të ndërmerren për rikthimin e besimit dhe të Dialogut Strategjik me SHBA-në?

Për këto çështje, për “Bota sot” kanë folur opinionisti Agim Vuniqi dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nijazi Halili. Ata vlerësojnë se Kosova duhet të ndjekë një qasje të matur, profesionale dhe afatgjatë në raport me partnerin e saj strategjik.

Vuniqi: Ndryshimi i shumicës në Kongres nuk nënkupton ndryshim automatik të politikës amerikane ndaj KosovësDuke komentuar ndikimin e zgjedhjeve të fundit në SHBA dhe ndryshimin e përbërjes politike të Kongresit, opinionisti Agim Vuniqi vlerëson se rikthimi i demokratëve në kontrollin e të dyja dhomave krijon një konfigurim të ri politik në Uashington, por nuk duhet interpretuar si ndryshim automatik i politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës.

Sipas tij, Prishtina duhet t’i analizojë këto zhvillime me realizëm, duke kuptuar se ndryshimi i shumicës parlamentare mund të krijojë mundësi të reja diplomatike, por marrëdhëniet me SHBA-në vazhdojnë të varen nga një sërë faktorësh institucionalë dhe strategjikë.

“Zgjedhjet e fundit për Kongresin amerikan, me rikthimin e demokratëve në kontrollin e të dyja dhomave sipas raportimeve të deritanishme, ndryshojnë ekuilibrin politik në Uashington. Por për Kosovën, ky rezultat duhet lexuar me realizëm: ndryshimi i shumicës parlamentare krijon mundësi të reja diplomatike, pa nënkuptuar vetvetiu ndryshim të politikës amerikane ndaj saj. Kongresi i ri do ta ushtrojë mandatin nga janari 2027.

Në vlerësimin tim, ndikimi më i drejtpërdrejtë i këtyre zgjedhjeve do të ndihet në politikën e brendshme amerikane: në përballjen për buxhetin, legjislacionin dhe kontrollin parlamentar të administratës. Politika ndaj Kosovës mund të ndikohet nga ky raport i ri forcash, por nuk duhet të supozojmë se ajo do të bëhet prioritet i përplasjes ndërmjet demokratëve dhe presidentit republikan”, deklaroi Vuniqi për “Bota sot”.

Duke folur për kompetencat e institucioneve amerikane dhe ndikimin që mund të ketë Kongresi në politikën e jashtme, Vuniqi thekson se presidenti mbetet aktori kryesor në drejtimin e diplomacisë, por roli i Kongresit nuk duhet nënvlerësuar.Ai vlerëson se për Kosovën është e rëndësishme të kuptojë mekanizmat vendimmarrës në SHBA dhe të mos e kufizojë diplomacinë vetëm në kontaktet me Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti mbetet aktori qendror në drejtimin e politikës së jashtme. Administrata e tij udhëheq diplomacinë, përcakton qëndrimet negociuese dhe menaxhon marrëdhëniet e përditshme me qeveritë e tjera. Megjithatë, kjo kompetencë nuk është pushtet pa kufizime: Kongresi miraton ligje dhe financime, mbikëqyr ekzekutivin, ndërsa Senati ka rol në konfirmimin e emërimeve të larta dhe miratimin e traktateve.

Prandaj, mbështetja kongresionale ka peshë, por nuk e zëvendëson marrëdhënien funksionale me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit”, u shpreh ai.

Sipas Vuniqit, një Kongres me shumicë demokrate mund t’i ofrojë Kosovës hapësirë më të madhe për t’i paraqitur interesat dhe shqetësimet e saj, por polarizimi politik në SHBA mund ta vështirësojë shndërrimin e mbështetjes në vendime konkrete.

Ai paralajmëron se Kosova duhet të shmangë çdo perceptim se po pozicionohet në njërën anë të përplasjeve të brendshme politike amerikane.

“Këtu qëndron ndjeshmëria për Prishtinën. Një Kongres me shumicë demokrate mund të ofrojë më shumë hapësirë për dëgjimin e shqetësimeve të Kosovës, por polarizimi amerikan mund ta bëjë edhe më të vështirë shndërrimin e mbështetjes politike në vendime konkrete. Kosova duhet të kujdeset që çështja e saj të mos perceptohet si instrument në përplasjen e brendshme amerikane. Ajo ka nevojë për miq në të dyja partitë dhe për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me administratën në detyrë”, theksoi Vuniqi.

Duke iu referuar historisë së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, opinionisti rikujton se mbështetja amerikane për Kosovën nuk është e lidhur me një parti të vetme politike. Ai përmend njohjen e pavarësisë nga administrata republikane e George W. Bushit si dëshmi se partneriteti me SHBA-në duhet të jetë mbi kalkulimet partiake.

“Edhe historia e shtetësisë së Kosovës e mbështet këtë qasje. Njohja amerikane e pavarësisë u bë nga administrata republikane e George W. Bushit, më 18 shkurt 2008. Ky fakt duhet të shërbejë si kujtesë se partneriteti me Amerikën është më i gjerë se afërsia me një parti apo figurë politike”, deklaroi ai.

Në këtë drejtim, Vuniqi konsideron se diplomacia kosovare duhet të zgjerojë kontaktet me udhëheqësitë e reja të Kongresit, duke ruajtur njëkohësisht komunikimin me republikanët dhe institucionet e administratës amerikane.

Sipas tij, lobimi nuk duhet të kufizohet në takime dhe deklarata simbolike, por duhet të shoqërohet me punë profesionale dhe kërkesa konkrete në fushat me interes strategjik për Kosovën.

“Diplomacia kosovare duhet, rrjedhimisht, t’i zgjerojë kontaktet me udhëheqësitë e reja të Kongresit, duke ruajtur lidhjet me republikanët dhe duke paraqitur kërkesa të qarta për sigurinë, investimet dhe integrimin ndërkombëtar. Takimet dhe deklaratat miqësore marrin vlerë kur pasohen nga punë profesionale, koordinim institucional dhe rezultate”, u shpreh Vuniqi.

Sa i përket Dialogut Strategjik, ai vlerëson se rikthimi i këtij mekanizmi duhet të jetë ndër prioritetet e diplomacisë së Kosovës. Sipas tij, pezullimi i tij në shtator 2025 dëshmoi se miqësia historike nuk i përjashton mospajtimet politike dhe se Prishtina duhet t’i trajtojë me seriozitet shqetësimet e shprehura nga Uashingtoni.

“Pezullimi i dialogut të planifikuar në shtator 2025 tregoi se miqësia historike nuk i përjashton mospajtimet politike. Rikthimi i tij kërkon trajtimin e shqetësimeve të shprehura nga Uashingtoni dhe një agjendë konkrete bashkëpunimi”, theksoi ai.

Në përfundim, opinionisti nënvizon se ndryshimet në Kongres duhet të shërbejnë si mundësi për zgjerimin e mbështetjes amerikane dhe jo si arsye për të riorientuar marrëdhëniet e Kosovës sipas përkatësive partiake në SHBA.“Për Kosovën, suksesi diplomatik do të matet me aftësinë për të ruajtur besimin amerikan edhe kur institucionet e SHBA-së drejtohen nga parti të ndryshme. Ndryshimi në Uashington është një mundësi për ta zgjeruar këtë mbështetje; përgjegjësia e Prishtinës është ta kthejë mundësinë në marrëdhënie të qëndrueshme shtetërore”, përfundoi Vuniqi për “Bota sot”.

Halili: Diplomaciae Kosovës duhet të forcojë lidhjet me republikanët dhe demokratët, rikthimi i Dialogut Strategjik prioritet

Në anën tjetër, profesori Nijazi Halili, studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shkencave Politike dhe Diplomacisë, vlerëson se ndryshimet në Kongresin amerikan përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm për politikën e jashtme të SHBA-së dhe për interesat strategjike të Kosovës.

Sipas tij, fitorja e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit krijon një konfigurim të ri politik në Uashington, por Prishtina nuk duhet ta trajtojë këtë zhvillim si fitore të njërës parti apo humbje të tjetrës. Ai thekson se interesi i Kosovës duhet të jetë ruajtja e mbështetjes dypartiake dhe forcimi i marrëdhënieve me të gjithë faktorët politikë amerikanë.

“Ndryshimet politike në Kongresin amerikan pas zgjedhjeve të 3 nëntorit 2026 përbëjnë një zhvillim me rëndësi për dinamikën e politikës së jashtme amerikane. Demokratët kanë fituar kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke krijuar një konfigurim të ri politik në Uashington për dy vitet e fundit të mandatit të presidentit Donald Trump.

Për Kosovën, ky zhvillim duhet të shihet jo vetëm përmes kalkulimeve partiake në Uashington, por mbi të gjitha përmes interesave afatgjata strategjike të shtetit tonë.

Kongresi amerikan ka rol të rëndësishëm në përcaktimin e politikave të jashtme, në mbikëqyrjen e administratës, në miratimin e buxhetit dhe në mbështetjen e partneriteteve ndërkombëtare. Ndryshimi i shumicës politike krijon mundësi të reja për Kosovën, por njëkohësisht kërkon diplomaci më aktive dhe më të organizuar.

Kosova nuk duhet ta trajtojë këtë ndryshim si një fitore apo humbje të ndonjërës parti amerikane. Interesi ynë shtetëror duhet të jetë ndërtimi i marrëdhënieve të qëndrueshme me të gjithë faktorët politikë amerikanë. Mbështetja për Kosovën duhet të mbetet çështje e interesit strategjik amerikan, e sigurisë euroatlantike dhe e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë një faktor vendimtar në çlirimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo marrëdhënie nuk mund të reduktohet në raportet me një administratë apo një parti politike, sepse ajo mbështetet në një histori të gjatë bashkëpunimi dhe interesash të përbashkëta”, deklaroi Halili për “Bota sot”.

Duke folur për mënyrën se si duhet të veprojë diplomacia e Kosovës për ta ruajtur mbështetjen e të dyja partive amerikane, Halili thekson se Prishtina duhet të kalojë nga një qasje kryesisht reaktive në një diplomaci aktive, profesionale dhe strategjike.

Ai vlerëson se kontaktet me administratën amerikane duhet të plotësohen me angazhim të vazhdueshëm në Kongres, Senat, komisionet për politikë të jashtme dhe institucionet e tjera me ndikim në vendimmarrjen amerikane.

“Diplomacia e Kosovës duhet të kalojë nga një qasje kryesisht reaktive në një diplomaci aktive, profesionale dhe strategjike. Marrëdhëniet me Uashingtonin nuk duhet të ndërtohen vetëm përmes kontakteve me Shtëpinë e Bardhë, por edhe përmes Kongresit, Senatit, komisioneve për politikë të jashtme, institucioneve të sigurisë dhe qendrave amerikane të studimeve strategjike.

Prishtina duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi me republikanët dhe demokratët, duke krijuar një rrjet të qëndrueshëm të miqve dhe mbështetësve të Kosovës në të dyja partitë. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka edhe forcimi i rolit të diasporës shqiptaro-amerikane, e cila për dekada ka kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Njëkohësisht, diplomacia jonë duhet të jetë më e përgatitur në aspektin profesional, me diplomatë që njohin institucionet amerikane, mekanizmat vendimmarrës dhe prioritetet gjeopolitike të Uashingtonit.

Kosova duhet të ofrojë argumente konkrete se është partnere e besueshme e SHBA-së, kontribuuese në sigurinë rajonale dhe faktor i orientuar drejt paqes, demokracisë dhe integrimit euroatlantik”, u shpreh ai.

Një prej çështjeve që Halili e konsideron me rëndësi të veçantë është rikthimi i Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Ai vlerëson se pezullimi i këtij mekanizmi në shtator të vitit 2025 ishte një sinjal serioz diplomatik dhe se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë për krijimin e kushteve të nevojshme për rifillimin e tij.

Sipas tij, ky dialog nuk duhet të trajtohet vetëm si një mekanizëm formal i komunikimit ndërmjet dy shteteve, por si një platformë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme strategjike.

“Pa asnjë dyshim, rikthimi i Dialogut Strategjik duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës. Pezullimi i këtij mekanizmi në shtator 2025 ishte një sinjal serioz diplomatik, të cilin institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë me përgjegjësi dhe realizëm.

Duhet të theksohet se edhe në deklarimet e tetorit 2026, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përsëritur se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb.

Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë diplomatikë dhe institucionalë, duke respektuar Kushtetutën, të drejtat e komuniteteve dhe obligimet ndërkombëtare. Dialogu nuk duhet parë si proces formal, por si mekanizëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes, energjisë, investimeve, teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik.

Rikthimi i tij do të krijonte mundësi për një partneritet më të strukturuar dhe do të dëshmonte se Kosova është e gatshme të harmonizojë interesat e saj shtetërore me përgjegjësitë që burojnë nga partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.

Në vlerësimin e profesorit, marrëdhëniet me SHBA-në duhet të trajtohen si një prej shtyllave themelore të politikës së jashtme dhe sigurisë së Kosovës, veçanërisht në një periudhë të karakterizuar nga rivalitetet gjeopolitike dhe ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai nënvizon se ndryshimet në Uashington duhet të shërbejnë si nxitje për rishikimin e qasjes diplomatike të Prishtinës, duke kërkuar më shumë koordinim institucional dhe një vizion të përbashkët për marrëdhëniet me partnerin strategjik.

“Përfundimisht, Kosova duhet ta kuptojë se aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm një marrëdhënie diplomatike, por një prej shtyllave themelore të sigurisë dhe orientimit të saj euroatlantik. Në një realitet ndërkombëtar të karakterizuar nga rivalitetet gjeopolitike, konfliktet dhe rikonfigurimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prishtina duhet të dëshmojë maturi politike, unitet institucional dhe vizion strategjik.

Ndryshimet në Uashington nuk duhet ta gjejnë Kosovën të papërgatitur. Përkundrazi, ato duhet të shërbejnë si një mundësi për rishikimin dhe avancimin e diplomacisë sonë, duke e shndërruar miqësinë historike me Amerikën në një partneritet edhe më të qëndrueshëm institucional dhe strategjik.

Amerika mbetet partneri ynë strategjik, ndërsa përgjegjësia për ta ruajtur dhe forcuar këtë aleancë është detyrë e çdo institucioni dhe gjenerate politike në Kosovë”, përmbylli Halili për “Bota sot”


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.