Kur shteti unitar prodhon pabarazi: A po e shtyn Maqedonia federalizimin?

Shkruan: Muhamer Pajaziti Shteti unitar është një formë e organizimit shtetëror, ku i gjithë pushteti suprem dhe sovraniteti i përkasin qeverisë qendrore. Në këtë organizim politik ekziston vetëm një kushtetutë për të gjithë territorin. Kjo...

Korrik 26, 2026 - 11:30
Kur shteti unitar prodhon pabarazi: A po e shtyn Maqedonia federalizimin?

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Shteti unitar është një formë e organizimit shtetëror, ku i gjithë pushteti suprem dhe sovraniteti i përkasin qeverisë qendrore. Në këtë organizim politik ekziston vetëm një kushtetutë për të gjithë territorin.

Kjo formë e qeverisjes praktikohet nga shumica e shteteve në botë (rreth 170). Në disa raste kemi shtete të centralizuara, si Franca, ndërsa në disa raste të decentralizuara, si Holanda. Në rastin e parë, qeverisjet lokale ekzistojnë për të zbatuar politikat e qeverisë qendrore, ndërsa në rastin e dytë qeveritë lokale kanë më shumë kompetenca, por sërish, kur është e nevojshme, intervenon qeveria qendrore.

Por nuk është kjo thelbi. Thelbi është se shtetet unitare mund të jenë demokratike, por edhe autoritare. Dallimi qëndron në mënyrën se si udhëheqësit qeverisin. Në shtetet me tendenca autoritare mund të përballemi me sfida si pabarazitë rajonale, majorizimi dhe defekte të tjera, të cilat mund ta rrezikojnë këtë sistem, duke sjellë në shprehje modele të tjera federaliste.

Në rastin e Maqedonisë, për më shumë se 20 vite kemi tendencë për majorizimin e popullit shqiptar, i cili përbën më shumë se një të tretën e popullsisë së përgjithshme. Ky majorizim dhe kjo pabarazi burojnë edhe nga Kushtetuta e vendit, por edhe nga Marrëveshja e Ohrit, ku të drejtat e popullit shqiptar trajtohen me përqindje. Ata mund të gëzojnë më shumë të drejta kombëtare vetëm në rajonet ku janë mbi 20 për qind.

Gjuha e tyre nuk është e barabartë me maqedonishten, e cila e ka primatin që ia siguron Kushtetuta. Gjuha shqipe nuk garantohet në të gjithë territorin e vendit dhe, me këtë, vetëm sa konfirmohet karakteri i fuqishëm unitar i Maqedonisë. Elementi shqiptar gjithashtu nuk është i përfshirë në simbolet e shtetit, si flamuri, himni e kështu me radhë. Përfaqësimi i tyre në institucione varet nga përqindjet dhe disa mekanizma që nuk funksionojnë si duhet.

Taksat e qytetarëve nuk mbeten në buxhetet komunale, por shkojnë në buxhetin shtetëror, i cili më pas keqpërdoret nga populli shumicë. Kjo është pasojë e mungesës së decentralizimit fiskal.

Gjithashtu, vendimmarrja e shqiptarëve në qeveri nuk është e garantuar dhe, shpeshherë, ata aty janë vetëm për dekor, pa fuqi reale vendimmarrëse. Ka edhe shumë probleme të tjera, të cilat bëjnë që shqiptarët dhe komunitetet e tjera të mos jenë lojalë ndaj shtetit dhe të shohin alternativa të tjera.

Kur qeveria qendrore, e cila udhëhiqet nga maqedonasit, është dorështrënguar dhe mohon të drejtat e bashkëqytetarëve të saj, të cilët kontribuojnë në ekonomi, arsim, shkencë, kulturë, sport dhe në të gjitha aktivitetet e tjera, kjo sjell mosbesim, ndarje dhe ide për federalizim, qoftë edhe jo territorial.

Modeli i Tirolit të Jugut dhe modele të tjera mund të vijnë në shprehje në qoftë se kemi majorizim dhe shkelje të të drejtave të popullit shqiptar dhe komuniteteve të tjera në Maqedoni.

Tiroli i Jugut, ky rajon autonom me rreth një milion banorë, ku 60 për qind janë italianofolës dhe 35 për qind gjermanofolës, vlen të jetë nën thjerrëzën e shqyrtimit politik në Maqedoni, veçanërisht në planin e decentralizimit dhe në relacionet midis pushtetit qendror dhe atij lokal, duke përfshirë aspektet politike, financiare, kulturore dhe trashëgimore.

Modeli i Tirolit të Jugut do t’ua mundësonte shqiptarëve një vetëqeverisje territoriale, e cila konsiston në kompetenca të bartura ligjërisht dhe territorialisht për të ushtruar funksione të politikave publike (legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore), në mënyrë të pavarur nga burimet e tjera të autoritetit shtetëror, por që në përgjithësi i nënshtrohen rendit dhe ligjit shtetëror.

Formimi i një regjimi të tillë mund të përfshijë një gamë të gjerë strukturash institucionale, nga fuqizimi i vetëqeverisjes vendore deri te ushtrimi i të drejtave të plota simetrike dhe asimetrike të organizimeve federale, si dhe autonominë kulturore dhe personale joterritoriale.

Këto modele nuk i kanë imteresuar  klasës politike shqiptare për më shumë se 29 vite, klasë politike, e cila drejtohet nga një grup oportunistësh, që shkelnin parimet dhe zotimet dhe nuk mban llogari për kërkesat e atyre që i përfaqëson.

Derisa grekët arritën qëllimet e tyre me Marrëveshjen e Prespës dhe bullgarët po futen në Kushtetutën e Maqedonisë, shqiptarët duan ta ruajnë status quo-në.

Nuk e kanë guximin të mobilizohen për një marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase. Qëllimi i tyre është një drejtori apo një ministri, të cilat nuk kanë dhënë rezultate, pavarësisht se prej vitesh drejtohen prej tyre.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.