Kurti përkujton masakrën e Lubizhdës së Hasit: Lavdi dëshmorëve dhe martirëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës në Lubizhdë të Hasit, duke rikujtuar krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Në një postim, Kurti ka rikthyer në vëmendje ngjarjet e 12 prillit 1999, kur forcat e ushtrisë jugosllave rrethuan zonën ku ishin strehuar banorët e fshatit dhe kryen ekzekutime

Prill 12, 2026 - 14:30
Kurti përkujton masakrën e Lubizhdës së Hasit: Lavdi dëshmorëve dhe martirëve
kurti-perkujton-masakren-e-lubizhdes-se-hasit:-lavdi-deshmoreve-dhe-martireve

kurti-perkujton-masakren-e-lubizhdes-se-hasit:-lavdi-deshmoreve-dhe-martireve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës në Lubizhdë të Hasit, duke rikujtuar krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim, Kurti ka rikthyer në vëmendje ngjarjet e 12 prillit 1999, kur forcat e ushtrisë jugosllave rrethuan zonën ku ishin strehuar banorët e fshatit dhe kryen ekzekutime të civilëve.

“Si sot, 27 vite më parë, më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, i rrethuan malet ku ishin strehuar shumë nga banorët e fshatit Lubizhdë të Hasit. Pasi i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre, ushtarët serbë filluan t’i torturonin teksa i radhitën në rresht për t’i pushkatuar”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se sipas dëshmive të të mbijetuarve, masakra është shoqëruar me tortura, maltretime dhe krime të rënda ndaj popullatës civile.

“Gjatë atyre ditëve të mesit të prillit të vitit 1999, nga fushatat kriminale të spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ndërkaq, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve, ranë dëshmorë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka theksuar ai.

Në fund, Kurti ka nderuar të rënët për liri, duke e cilësuar sakrificën e tyre si themel të shtetit.

“Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë vlerë sublime në themelet e lirisë së popullit dhe shtetndërtimit të republikës sonë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e atdheut!”, ka përfunduar ai.