Kush do ta ndalë skandalin e “Penko”-s? Kush në Qeveri do ta anulojë vendimin kundër nxënësve shqiptarë?
Fejzi HAJDARI A ka kush në këtë shtet që mund ta ndalë një vendim që, nëse konfirmohen faktet e bëra publike, duket si një shembull flagrant i standardeve të dyfishta ndaj nxënësve shqiptarë? A ka ndonjë institucion që do të ngrejë zërin ku...
Fejzi HAJDARI
A ka kush në këtë shtet që mund ta ndalë një vendim që, nëse konfirmohen faktet e bëra publike, duket si një shembull flagrant i standardeve të dyfishta ndaj nxënësve shqiptarë?
A ka ndonjë institucion që do të ngrejë zërin kur në një shkollë ku rreth 90 për qind e nxënësve janë shqiptarë, mbyllet një paralele me mësim në gjuhën shqipe, edhe pse ekziston interesim i madh i prindërve për regjistrim, ndërsa në të njëjtën shkollë lejohen të funksionojnë paralele në gjuhën maqedonase me nga dy, katër apo disa nxënës?
Nëse këto të dhëna janë të sakta, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një “riorganizim” të zakonshëm të procesit mësimor.
Kemi të bëjmë me një vendim që kërkon llogari, transparencë dhe përgjegjësi institucionale, sepse nuk mund të quhet “optimizim” një proces ku, sipas të dhënave të bëra publike, një paralele në gjuhën shqipe mbyllet përkundër interesimit të prindërve, ndërsa paralele të tjera lejohen të vazhdojnë me numër minimal nxënësish.
Këtu lind pyetja më e thjeshtë: Cili është kriteri?
Nëse kriteri është numri i nxënësve, atëherë pse lejohen paralele me vetëm dy nxënës?
Nëse kriteri është vendbanimi, atëherë pse për vite me radhë shkolla ka pranuar nxënës që jetojnë në afërsi të saj, pavarësisht kufirit administrativ mes Butelit dhe Çairit?
Dhe nëse kriteret janë të njëjta për të gjithë, pse rezultatet e zbatimit të tyre duken kaq të ndryshme kur bëhet fjalë për paralelet në gjuhën shqipe dhe ato në gjuhën maqedonase?
Këto nuk janë pyetje retorike. Janë pyetje që kërkojnë përgjigje publike., sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë, sepse pas çdo “riorganizimi”, “optimizimi” apo vendimi administrativ nuk qëndrojnë vetëm tabela, statistika dhe numra. Qëndrojnë fëmijë, prindër, mësimdhënës dhe e drejta e tyre për arsimim.
Dhe këtu bëhet edhe më shqetësuese mungesa e përgjigjeve.
Sipas kronikës së publikuar (nga Alsat), janë bërë përpjekje të shumta për të kontaktuar drejtoreshën e shkollës, por ajo nuk është përgjigjur. Në një situatë kaq të ndjeshme, heshtja nuk është përgjigje. Përkundrazi, ajo vetëm i shton dyshimet dhe shqetësimin e opinionit.
Një drejtor shkolle që merr një vendim me pasoja të drejtpërdrejta për dhjetëra fëmijë, duhet të jetë i gatshëm ta shpjegojë atë vendim.
Publikisht. Qartë. Me kritere. Me dokumente…Nuk mjafton të thuhet “riorganizim”.
Prindërit kanë të drejtë të dinë pse fëmijët e tyre nuk mund të regjistrohen në një shkollë që e kanë në prag të shtëpisë, ndërsa në të njëjtën shkollë funksionojnë paralele me numër minimal nxënësish.
Dhe mbi të gjitha, shteti ka detyrimin të sigurohet që çdo vendim administrativ të zbatohet me të njëjtat standarde për të gjithë.
Prandaj, përgjegjësia nuk përfundon te drejtoria e “Penko”-s.
Ku është Komuna? Ku është Ministria e Arsimit? Ku janë institucionet që duhet të mbikëqyrin nëse vendimet e shkollave janë në përputhje me ligjin dhe me parimin e trajtimit të barabartë?
Dhe pyetja më e drejtpërdrejtë:
A ka kush në Qeveri që do të kërkojë anulimin ose rishqyrtimin e këtij vendimi, nëse konstatohet se ai është marrë me standarde të dyfishta?
Për shkak se nëse një vendim prek në mënyrë disproporcionale nxënësit shqiptarë, ndërsa për nxënësit e gjuhës tjetër përdoren kritere më tolerante, atëherë heshtja institucionale nuk është më neutralitet.
Është dështim.
Nuk mund të flitet për barazi, multietnicitet dhe të drejta të barabarta vetëm në konferenca, fjalime dhe deklarata politike. Barazia testohet pikërisht në raste të tilla.
Testohet kur një prind shqiptar troket në derën e shkollës dhe kërkon që fëmija i tij të mësojë në gjuhën e vet. Testohet kur një paralele shqipe mbyllet, ndërsa një tjetër funksionon me dy nxënës.Testohet kur një vendim administrativ prek një komunitet shumë më tepër se një tjetër…
Dhe pikërisht këtu institucionet duhet të tregojnë nëse ligji është vërtet i njëjtë për të gjithë apo vetëm shkruhet i tillë në letër.
Prandaj, ky rast nuk duhet të mbyllet me një heshtje të drejtorisë dhe as me një arsyetim të thatë për “riorganizim”. Duhet të ketë hetim institucional, transparencë dhe përgjigje konkrete.
Nëse vendimi është i ligjshëm dhe i bazuar në kritere të njëjta për të gjithë, le të publikohet arsyetimi dhe të shpjegohet para prindërve dhe opinionit. Por nëse konstatohet se janë përdorur standarde të dyfishta, atëherë vendimi duhet të korrigjohet.
Për shkak se fëmijët shqiptarë nuk janë numra që mund të hiqen nga një tabelë sa herë dikujt i leverdis një “optimizim”.
Dhe një paralele shqipe nuk mund të mbyllet vetëm sepse institucionet mendojnë se askush nuk do të kërkojë llogari.
Tani është momenti që dikush të kërkojë llogari.
Jo nesër. Jo pas zgjedhjeve. Jo pasi prindërit të detyrohen të dorëzohen.
Sot.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.