“Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese”, Spiropali për opinionin e Venecias: Nuk ishte çështje politike apo partiake

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka bërë një sqarim mbi opinionin e Komisionit të Venecias, në lidhje me mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka. Ajo theksoi se Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese duke respektuar sovranitetin parlamentar dhe se e ka trajtuar këtë proces mbi baza juridike dhe jo mbi baza interesash. […]

dhjetor 12, 2024 - 23:00
 0  9
“Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese”, Spiropali për opinionin e Venecias: Nuk ishte çështje politike apo partiake

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka bërë një sqarim mbi opinionin e Komisionit të Venecias, në lidhje me mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka.

Ajo theksoi se Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese duke respektuar sovranitetin parlamentar dhe se e ka trajtuar këtë proces mbi baza juridike dhe jo mbi baza interesash.

“Kjo, ishte një çështje kushtetuese dhe ligjore, jo politike, jo partiake, asfare! Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ka respektuar sovranitetin parlamentar, duke e trajtuar këtë proces mbi akuza juridike dhe jo mbi baza interesash politike”, tha Spiropali.

Spiropali: Doja të thoja dhe unë dy fjalë, duke qenë se ka shumë abuzim këtu në seancë, por edhe në foltore partish dhe ekrane. Siç është e qartë për të gjithë dhe është shprehur disa herë dhe siç e vlerëson edhe Komisioni i Venecias, Kuvendi nuk e ka vënë dhe nuk e vë në dyshim fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo s’do mend. Këtë, bashkë me parimin e luajalitetit kushtetues, e kemi të qartë të gjithë, sepse e respektojmë çdo ditë në punën tonë.

Iu drejtova Komisionit të Venecias me pyetje konkrete, jo për mandatin e një deputeti, që në fakt duhet të ushtrohet lirshëm brenda kufijve kushtetues, pa u shqetësuar nga abuzivizmat dhe kjo është po aq e rëndësishme në demokraci, sa çdo parim tjetër, po për të qartësuar mënyrën si zbatohet një vendim urdhërues për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon një deputeti se si të votojë.

Kjo, ishte një çështje kushtetuese dhe ligjore, jo politike, jo partiake, asfare! Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ka respektuar sovranitetin parlamentar, duke e trajtuar këtë proces mbi akuza juridike dhe jo mbi baza interesash politike.

Venecia tha, dhe foli qartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese nëse Kushtetuta parashikon që një çështje shtrohet për votim, Parlamenti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar. Nuk bëhet politikë për një vendim gjykate dhe aq më tepër për Opinionin e Venecias që na vjen në ndihmë për trajtimin e këtyre rasteve. Opinioni ka 61 paragrafë dhe pa shkëputur fraza dhe për të kuptuar sensin e tij tërësor, duhet lexuar dhe rilexuar pa nxitim e me kthjelltësi, pa interesa dhe pasione politike, e për më tepër pa paragjykime dhe shpifje.

Leximi në tërësi, konkluzionet e Opinionit dhe vetë deklarata për shtyp e Komisionit të Venecias qartësojnë mbi pyetjet që unë i drejtova; dhe në fakt do të kisha qenë më e lumtur që çështjen ta kishim zgjidhur brenda Shqipërisë dhe pa shkuar në Komisionin e Venecias. Kjo, sepse siç e konstatoi edhe Komisioni i Venecias, 1/5-a e deputetëve mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit sipas përcaktimeve në ligj dhe këtë të drejtë nuk duhet t’i heqë apo mohojë kush.

Në lidhje me kërkesën e shtruar kështu siç e paraqisni nuk mund të jetë objekt trajtimi në këtë seancë plenare. Rregullorja nuk parashikon ndonjë procedurë që mund të zbatojmë më në këtë rast, siç kërkoni ju, sepse janë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit, madje edhe votimi në Kuvend. Përveçse me 1/10-ën e deputetëve ju mund t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për çdo rast dhe është e drejta juaj që 1/5-a e deputetëve, pra pakica të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Faleminderit dhe kjo është e fundit që unë them për këtë çështje.