Aktakuza e re e Speciales, Thaçi do të deklarohet të martën
Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi me 6 dhjetor një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit. Ata akuzohen për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe
Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi me 6 dhjetor një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.
Ata akuzohen për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Siç njoftohet ndaj tyre do të nisin seancat brenda dy javësh nga ngritja e aktit akuzues.
Kjo përbën një fazë të re në procesin gjyqësor, ku dyshimet për fajësinë mbeten pezull, përfshirë ato të lëna të hapura nga vetë Thaçi dhe Smakaj.
Prokuroria, përmes Joshua Hafetz, pritet të njoftojë numrin e dëshmitarëve që do të thirren, si dhe do të paraqesë provat që kanë çuar në konfirmimin e aktakuzës nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Aktakuza përfshin akuza të rëndësishme si pengimi i administrimit të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurave dhe mosbindje të gjykatës.
Pjesë e këtij procesi janë disa përgjime, të cilat janë përdorur për të mbështetur aktakuzat.
Një prej këtyre përgjimeve ka të bëjë me udhëzimin e Thaçit për dëshminë e një personi kyç, i cili ka ndikuar në zhvillimin e ngjarjeve.
Pas ngritjes së aktakuzës ndaj pesë të akuzuarve, në Kosovë ka mbërritur edhe kryeprokurorja Kimberly West.
Ajo ka filluar takimet nga e marta, ndërkohë që ka njoftuar se kjo është vizita e saj e dytë në Kosovë brenda dy muajve.
Ndryshe, Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë një ditë më vonë, tha gjykata.
Gjykata shtoi se Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.