Liderët e BE-së do të vijnë në Maqedoninë e Veriut, Rokas: Shpresoj të lëvizim përpara
Ka një aktivitet intensiv diplomatik për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë dhe në këtë drejtim liderët e Bashkimit Evropian do të vizitojnë Shkupin në muajt në vijim, informoi sot ambasadori evropian në vend, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk. “Në nivel të BE-së, ne po punojmë shumë në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut […]


Ka një aktivitet intensiv diplomatik për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë dhe në këtë drejtim liderët e Bashkimit Evropian do të vizitojnë Shkupin në muajt në vijim, informoi sot ambasadori evropian në vend, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk.
“Në nivel të BE-së, ne po punojmë shumë në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të kapërcyer të gjitha çështjet e mbetura para hapjes së negociatave. Ka një aktivitet intensiv diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje, përfaqësues të lartë të BE-së do të vizitojnë Shkupin në dy-tre muajt e ardhshëm dhe shpresoj se do të arrijmë të ecim përpara”, tha Rokas pas vendosjes së gurthemelit të pikës kufitare maqedono-greke “Markova Noga”.
Paralelisht me zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë, shtoi Rokas, duhet të vazhdohen përpjekjet për zbatimin e reformave që gjenden në Agjendën e Reformës, të miratuar në përputhje me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën pyetje, kryeministri Hristijan Mickoski tha se deri më tani ka dëgjuar shumë deklarata, por se duhet të merren parasysh veprimet dhe përkujtoi se përfaqësuesit e lartë të BE-së thanë se ndryshimi i emrit të vendit është gjëja e fundit që duhet bërë.
“Më kujtohet kur përfaqësues të lartë të BE-së, të shoqëruar nga përfaqësues të lartë të vendeve të tjera të botës, u ulën para meje dhe më thanë – emri është gjëja e fundit që duhet të bësh. Natyrisht që edhe atëherë ishim kundër, por edhe atëherë u thashë se nuk po thoshin të vërtetën dhe se nuk ishte gjëja e fundit. Duhet të shohim vepra, dhe veprat, për mendimin tim, përfaqësojnë njohjen e vendimeve të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për komunitetin maqedonas në Bullgari. Njohje e qartë dhe pa mëdyshje e identitetit shekullor maqedonas dhe njohje e qartë dhe pa mëdyshje e kulturës, traditës, zakoneve shekullore maqedonase dhe njohje e qartë dhe pa mëdyshje e gjuhës maqedonase, e cila është gjuhë zyrtare e OKB-së që nga viti 1945. Ne duhet të respektojmë parimet, përndryshe kemi një problem serioz”, tha Mickoski.
Ai theksoi se Maqedonia si shtet nuk ka problem me kombet e tjera, por përkundrazi i respekton ata.
“Nëse dikush ka një problem sepse dikush më i madh se ai i jep këshilla, dhe dikush e percepton si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran, atëherë ajo që po dëgjojmë nga fqinji ynë lindor, nëse nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran, nuk e di se çfarë është. Pra, ne nuk jemi një popull që kemi problem me kombet e tjera, përkundrazi, ne i respektojmë fqinjët tanë, si shqiptarët ashtu edhe serbët, grekët, bullgarët, por kërkojmë respekt të barabartë edhe për ne maqedonasit”, shtoi kryeministri.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Fillimisht negociatat, pastaj ndryshimet kushtetuese
- Lexo: Mickoski nga Uashingtoni: Evropa duhet të jetë parimore në vend që të ketë standarde të dyfishta
- LEXO: RMV: Të dhëna dëshpëruese për eurointegrimet, vetëm 20 përqind e qytetarëve janë pro ndryshimeve kushtetuese