Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim për mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Përmes një reagimi publik, BE-ja ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa i përket përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të parimeve themelore të sundimit të ligjit.
Sipas BE-së, këto shqetësime kanë të bëjnë veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale, si dhe garantimin e llogaridhënies efektive.
Zyra e BE-së ka ngritur pikëpyetje edhe lidhur me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara.
Në reagim bëhet e ditur se, që nga momenti kur ligji është kthyer në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, BE-ja ka qenë e angazhuar në komunikimin e shqetësimeve dhe pritjeve të saj me autoritetet kosovare.
Në këtë kontekst, Zyra e BE-së ka ritheksuar se para miratimit të çfarëdo ndryshimi duhet të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




