Ljubço Georgievski: Na mbrojnë nga bullgarët, nga shqiptarët dhe nga BE-ja, vetëm nga serbët nuk na mbrojnë
Ish-kryeministri Ljubço Georgievski, në paraqitjen e tij të fundit, ka kritikuar ashpër atë që e cilëson si nacionalizëm irracional dhe populist, i cili prej vitesh kultivohet në skenën politike maqedonase. Ai vuri në dukje hipokrizinë poli...
Ish-kryeministri Ljubço Georgievski, në paraqitjen e tij të fundit, ka kritikuar ashpër atë që e cilëson si nacionalizëm irracional dhe populist, i cili prej vitesh kultivohet në skenën politike maqedonase. Ai vuri në dukje hipokrizinë politike të strukturave të caktuara.
Duke iu referuar së kaluarës, Georgievski solli si shembull qeverisjen e Nikolla Gruevskit, duke theksuar paradoksin në marrëdhëniet me partnerin e koalicionit, BDI-në.
“Gruevski qeverisi 11 vjet me BDI-në, por herë pas here krijonte atmosferë anti-shqiptare dhe përdorte retorikë nacionaliste. Ata që sot gjoja e mbrojnë Maqedoninë nga BDI-ja, për 11 vjet ishin ulur me ta në të njëjtën qeveri. Këta nacionalizma populistë tashmë i njohim mirë”, theksoi Georgievski.
Narrativa e rreme e “shpëtimtarëve”
Georgievski nuk i kurseu kritikat as ndaj narrativave aktuale politike, duke akuzuar se të njëjtat matrica politike vazhdojnë të shesin një patriotizëm të rremë.
Ai komentoi me ironi retorikën për “mbrojtjen” e shtetit nga të gjithë fqinjët, me përjashtim të njërit.
“Tani këta vazhdojnë njësoj – përsëri gjoja na e mbrojnë emrin dhe po na e kthejnë. Tashmë shoh se e kanë kthyer, apo jo, sipas deklaratave të fundit. Tani do të na mbrojnë nga bullgarët, përsëri na mbrojnë nga shqiptarët… Vetëm nga serbët nuk na mbrojnë. Nga të gjithë të tjerët na mbrojnë”, tha ai.
“Komploti” i Bashkimit Evropian
Në fund, Georgievski u ndal edhe te raporti me Bashkimin Evropian dhe krijimi i frikës artificiale te qytetarët.
Sipas tij, është absurde të shpiken armiq aty ku nuk ekzistojnë.
“Na mbrojnë edhe nga ndonjë komplot i Bashkimit Evropian, edhe pse Bashkimi Evropian nuk mund të jetë më i qartë në mesazhet e tij ndaj nesh”, përfundoi Georgievski.
Ai paralajmëroi se vazhdimësia e një nacionalizmi të tillë irracional i shkakton dëm interesave shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.