Lojërat rreth zyrtarizimit të shqipes të marrin fund, s’ka më vend për relativizime, interpretime apo kalkulime të pafundme politike

Shkruan: Muja Zllatku Lojërat rreth zyrtarizimit të gjuhës shqipe duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Nuk ka më vend për relativizime, interpretime apo kalkulime të pafundme politike. Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë rreth 30% të popullsisë, gjuha shqipe nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet në terma numrash dhe përqindjesh. Ajo është realitet […]

Prill 19, 2026 - 01:30
Lojërat rreth zyrtarizimit të shqipes të marrin fund, s’ka më vend për relativizime, interpretime apo kalkulime të pafundme politike

Shkruan: Muja Zllatku

Lojërat rreth zyrtarizimit të gjuhës shqipe duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.

Nuk ka më vend për relativizime, interpretime apo kalkulime të pafundme politike. Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë rreth 30% të popullsisë, gjuha shqipe nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet në terma numrash dhe përqindjesh. Ajo është realitet shoqëror, politik dhe institucional dhe si e tillë duhet të jetë zyrtare pa ekuivoke.

Kategorizimi i gjuhës mbi baza numerike, siç vazhdon të praktikohet, është i papranueshëm dhe paraqet një përbuzje ndaj një komuniteti të tërë.

Nëse shteti do të përdorë përqindjet për të kategorizuar një të drejtë, atëherë le të vlejnë ato në nivel lokal për komunitetet më të vogla të cilat të gjitha së bashku numërojnë sa gishtat e një dore. Por në nivel shtetëror, shqipja duhet të trajtohet si gjuhë zyrtare e barabartë e jo si statistikë.

Përgjegjësia kryesore bie mbi klasën politike shqiptare. Kompromiset e stërzgjatura, të justifikuara në emër të stabilitetit, kaluan çdo kufi më. Për tri dekada me radhë, këto justifikime janë përdorur më shumë për mbijetesë politike sesa për zgjidhje reale.

Kjo qasje duhet të marrë fund. Qytetarët nuk kanë më arsye të pranojnë zvarritje dhe paqartësi për një çështje që duhej të ishte zgjidhur prej kohësh.

Gjuha shqipe nuk është temë për negociata të pafundme. Është e drejtë që duhet të garantohet plotësisht.