LSDM pyet: Pse drejtori aktual i Inspektoratit të Tregut nuk është përfshirët në hetimin e Koçanit?
Serioziteti i tragjedisë në Koçan që preku mbarë Maqedoninë dhe në të cilën humbëm 59 jetë të rinj kërkon me zë të lartë një hetim të paanshëm për të gjetur përgjegjësinë nga të gjithë, pa përjashtim, njoftoi sot LSDM, duke shtuar se mbështesin fuqishëm një hetim të pavarur, të plotë dhe jo selektiv që do […]


Serioziteti i tragjedisë në Koçan që preku mbarë Maqedoninë dhe në të cilën humbëm 59 jetë të rinj kërkon me zë të lartë një hetim të paanshëm për të gjetur përgjegjësinë nga të gjithë, pa përjashtim, njoftoi sot LSDM, duke shtuar se mbështesin fuqishëm një hetim të pavarur, të plotë dhe jo selektiv që do të gjejë përgjegjësi për të gjithë funksionarët aktual dhe të dikurshëm, zyrtarët dhe politikanët, transmeton Portalb.mk.
“Shteti, institucionet duhet të tregojnë kapacitetin për të vënë drejtësinë deri në fund. Ne ia kemi borxh familjeve të viktimave, qytetarëve dhe brezave të ardhshëm. Tmerr i tillë, tragjedi të tilla nuk duhet të përsëriten më. Nga ajo që po ndodh deri më tani gjatë hetimit dhe për çfarë kemi informacione, shprehim shqetësim të thellë se hetimi zhvillohet në mënyrë selektive dhe se i drejtohet vetëm ish-funksionarëve dhe zyrtarëve”, tha në një konferencë për media Jon Frçkoski, drejtor i Qendrës për Hulumtime dhe Analiza.
Ai vlerësoi se deri më tani janë injoruar plotësisht ata që ishin në detyrë në kohën kur ndodhi tragjedia në Koçan.
“Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, dy ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) janë të përfshirë në hetim për gjoja mosveprim. Logjikisht shtrohet pyetja pse drejtori aktual i ISHT-së, Vllatko Stojkoski, nuk është i përfshirë në hetim? Edhe pse ai mban përgjegjësi edhe më të madhe për mbikëqyrjen e objektit “Pulsi” në periudhën para dhe gjatë ngjarjes penalo-juridike. Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kompetencë të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, si dhe ka detyrim ligjor që të caktojë ndalim pune prej 30 ditësh nëse nuk plotësohen kushtet ligjore. A u zbatua e gjithë kjo gjatë mandatit të drejtorit aktual të ISHT-së? A kishte dijeni për shkelje të ligjit? Apo dikush nuk ka vepruar qëllimisht? Këto janë pyetje legjitime të cilave hetimi duhet tu përgjigjet”, tha Frçkoski.
Ndryshe, Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.