Edhe pse Maqedonia e Veriut ka disa kushte në rrugën drejt BE-së, zyrtarët thonë se nuk po e kushtëzon BE-në
Ministri i Çështjeve Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, nuk mendon se Maqedonia e Veriut po e kushtëzon BE-së, por, sipas tij, vendi po shpreh shqetësime bazuar në të kaluarën e hidhur të shtetit. Por, pavarësisht nga perceptimi i ministrit rreth integrimit, realiteti është ndryshe. Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij […]


Ministri i Çështjeve Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, nuk mendon se Maqedonia e Veriut po e kushtëzon BE-së, por, sipas tij, vendi po shpreh shqetësime bazuar në të kaluarën e hidhur të shtetit. Por, pavarësisht nga perceptimi i ministrit rreth integrimit, realiteti është ndryshe. Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara, ishte i qartë me “vijat e kuqe” duke ritheksuar qëndrimin e tij se ndryshimet kushtetuese të kërkuara nuk garantojnë një rrugë të sigurt drejt BE-së, duke theksuar kështu kushtin për progresin e vendit në integrimin evropian, shkruan Portalb.mk.
“Procesi i integrimit të cilitdo vend, kandidat për në BE, bëhet me kërkesë tonën, kushtet i vendos Bashkimi Europian, ndërsa ne vetëm duhet t’i implementojmë të njëjtat. Nuk e ndaj mendimin e njejtë, pse perceptimin e njejtë me ju se ne vendosim kushte. Jo, absolutisht. Ne ngremë shqetësime duke e pasur të parasysh të kaluarën e hidhur për ne. Dhe, mundohemi që ajo e kaluar të na shërbejë si mësim për të ardhmen”, tha në konferencën e sotme ministri Murtezani, duke iu përgjigjur pyetjes së Portalb.mk se cili është reagimi i eksponentëve të BE-së ndaj rolit të ri të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila tash nuk është palë e kushtëzuar nga BE, por është pala që e kushtëzon BE-në në lidhje me eurointegrimet.
Megjithatë, edhe pse ministri i Çështjeve Europiane e mohon, gjendja faktike flet diçka tjetër. Mickoski në vizitën e fundit në SHBA, në fjalimin e tij në Këshillin Atlantik theksoi “vijat e kuqe” në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai ripërsëriti qëndrimin e tij, tashmë, të njohur se kërkesa e re në adresë të Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese nuk garanton siguri në rrugën drejt BE-së, duke nënvizuar kështu kushtin për të ecur vendi përpara në eurointegrime.
“Frustrimet mes qytetarëve të vendit tim janë jashtëzakonisht të mëdha. Dëshmoj se në një kohë kur ishim në opozitë në 2018-ën, shumë njerëz nga e gjithë bota, zyrtarë të lartë të BE-së, kryeministra nga shumë vende të fuqishme të NATO-s, presidentë, anëtarë të Komisionit Evropian, na vizituan dhe thanë, thjesht ndryshoni emrin, këtë herë do të bëheni menjëherë anëtar i NATO-s, do të filloni negociatat me BE-në dhe do t’i përfundoni brenda një periudhe 4-5 vjeçare dhe do të bëheni pjesë e BE-së. Ato 4-5 vite kanë kaluar para 2 vitesh dhe ne jemi në të njëjtën situatë si para 20 vitesh, por në ndërkohë kemi ndërruar flamurin, monedhën, emrin dhe gjithçka”, theksoi Mickoski.
Pas ardhjes nga Uashingtoni, Mickoski u ballafaqua me pyetjen se vallë gjatë vizitës në SHBA ka marrë mbështetje lidhur me rrugëtimin eurointegrues të vendit.
“Marrim ne nga të gjitha palët mbështetje konkrete, askush nuk ka thënë na falni por nuk ju mbështesim në eurointegrimet. Të gjithë i kuptojnë argumentet tona, të gjithë mbrapa perdeve na i shtrëngojnë duart dhe na thonë, kjo është e vërteta, mjaft me standarde të dyfishta, është e nevojshme të shkoni përpara, por për fat të keq, ja ka disa vende, më saktë një vend anëtare në BE, që tenton të na kthejë mbrapa në mesjetë, në vend që të punojmë në shekullin 21. Më pengon që 20 vite nuk mund të lëvizim asnjë milimetër, jo sepse nuk jam i mirë, por sepse dikush duhet të zgjidh çështje të shekullit 10, 11 tani në shekullin 21”, tha kryeministri Mickoski.
Kujtojmë se, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Fillimisht negociatat, pastaj ndryshimet kushtetuese
- Lexo: Mickoski nga Uashingtoni: Evropa duhet të jetë parimore në vend që të ketë standarde të dyfishta
- LEXO: RMV: Të dhëna dëshpëruese për eurointegrimet, vetëm 20 përqind e qytetarëve janë pro ndryshimeve kushtetuese
- LEXO: Radev e përsëriti qëndrimin e Bullgarisë: Nuk ka negociata pa përfshirë bullgarët në Kushtetutë