Mickoski: Planifikojmë ta ndërpresim procedurën për shkarkimin e Kocevskit, t’u japim shans prokurorëve të punojnë

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se do të ndërpritet procedura për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski. Procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila është iniciuar nga Qeveria në shkurt të këtij viti, sipas kryeministrit, duhet të mbetet në fazën në të cilën është aktualisht, për shkak të tragjedisë në Koçan, e cila po […]

Mars 25, 2025 - 18:00
 0  5
Mickoski: Planifikojmë ta ndërpresim procedurën për shkarkimin e Kocevskit, t’u japim shans prokurorëve të punojnë
Hristijan Mickoski/ Foto: Qeveria

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se do të ndërpritet procedura për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski. Procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila është iniciuar nga Qeveria në shkurt të këtij viti, sipas kryeministrit, duhet të mbetet në fazën në të cilën është aktualisht, për shkak të tragjedisë në Koçan, e cila po hetohet nga një ekip prej 11 prokurorësh, transmeton Portalb.mk.

Në këtë kuptim, Mickoski tha se duhet t’u jepet shans prokurorëve që punojnë në rastin e Koçanit të punojnë së bashku. Ai thotë se puna e përbashkët e Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në kuadër të hetimeve për tragjedinë e Koçanit rezulton me sigurimin e 34 personave.

“Por publiku është i ndjeshëm edhe për disa raste nga e kaluara. Duhet të shohim, të presim, nëse Prokuroria Publike ka ambicie të konstatojë disa parregullsi nga e kaluara dhe nëse ka mundësi t’i rishikojë ato raste, kështu që le të shohim nëse vërtet jemi të gjithë për drejtësi apo ajo drejtësia duhet të jetë selektive”, tha Mickoski.

Ai shtoi se Qeveria inkurajon Prokurorinë që të veprojë në këtë drejtim dhe se kushdo që ka punuar kundër ligjit duhet të sanksionohet.

Ndryshe, procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski e ka iniciuar Qeveria në shkurt të këtij viti, pikërisht një vit pasi ai ka marrë këtë pozitë. Pas kalimit të seancës së qeverisë, propozimi për shkarkimin e Kocevskit mbërriti në Këshillin e Prokurorëve Publikë në fillim të marsit.

Propozimin për shkarkimin e tij Kocevski e ka marrë më 6 mars, dhjetë ditë para tragjedisë në Koçan. Në ndërkohë ai është dashur të vendosë për mocionin për shkarkim, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë është dashur të japë mendim brenda 15 ditëve.