Lufta në Gaza, Izraeli: Mbi 71 mijë palestinezë të vrarë

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se gjatë luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës kanë humbur jetën mbi 71 mijë qytetarë palestinezë, shifër kjo e raportuar më herët nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi. Gazeta izraelite Haaretz shkruan se kjo shënon herën e parë që Izraeli pranon publikisht shifrat […]

Jan 30, 2026 - 17:30
 0
Lufta në Gaza, Izraeli: Mbi 71 mijë palestinezë të vrarë

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se gjatë luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës kanë humbur jetën mbi 71 mijë qytetarë palestinezë, shifër kjo e raportuar më herët nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Gazeta izraelite Haaretz shkruan se kjo shënon herën e parë që Izraeli pranon publikisht shifrat e dhëna nga autoritetet brenda enklavës palestineze, të cilat më parë ishin hedhur poshtë nga Tel Avivi zyrtar, duke u cilësuar si të pabesueshme dhe propagandë e Hamasit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga grupi militant palestinez, që nga nisja e ofensivës izraelite më 7 tetor 2023 janë regjistruar 71.667 viktima. Ushtria izraelite thekson se këto shifra nuk përfshijnë personat e zhdukur, të cilët dyshohet se mund të ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë njofton se të paktën 492 palestinezë kanë humbur jetën që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë raportuar se katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të grupeve militante palestineze.

Pas publikimit të lajmit nga Haaretz, një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite refuzoi të komentojë më tej, duke deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen vetëm nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit përmes kanaleve të tyre zyrtare të komunikimit.