Maqedonia do të kërkojë të importojë 18 lloje të mbeturinave jo të rrezikshme nga BE-ja, kryesisht metale, por edhe naftë, letër dhe qelq
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se Bashkimi Evropian ka miratuar një Rregullore të re të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 11 Prill 2024 për dërgesat e mbeturinave, e cila ka hyrë në fuqi më 20 maj 2024, transmeton Portalb.mk. Sipas rregullores, duke filluar nga 21 nëntor 2026, do të ndalohet plotësisht eksporti i […]
![Maqedonia do të kërkojë të importojë 18 lloje të mbeturinave jo të rrezikshme nga BE-ja, kryesisht metale, por edhe naftë, letër dhe qelq](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/02/Foto-65.png?fit=960%2C540&quality=80&ssl=1)
![Mbeturina dhe deponi në Malin Sharr. Foto: PK "Mali Sharr"](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/02/Foto-65.png)
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se Bashkimi Evropian ka miratuar një Rregullore të re të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 11 Prill 2024 për dërgesat e mbeturinave, e cila ka hyrë në fuqi më 20 maj 2024, transmeton Portalb.mk.
Sipas rregullores, duke filluar nga 21 nëntor 2026, do të ndalohet plotësisht eksporti i mbeturinave plastike deri më 21 maj 2029, duke përfshirë mbeturinat plastike jo të rrezikshme (B3011). B3011 është një kod specifik mbeturinash sipas Konventës së Bazelit që klasifikon lloje të caktuara të mbeturinave plastike për riciklim.
“Qëllimi i Rregullores së re është të përforcojë zbatimin e legjislacionit në drejtim të parandalimit të eksporteve të paligjshme të mbeturinave nga shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet e treta, si dhe për të siguruar menaxhim të shëndoshë ekologjik të dërgesave të mbeturinave brenda dhe jashtë BE-së.
Rregullorja vendos rregulla të reja për import/eksport/transit të mbeturinave edhe për vendet që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), grupit të cilit i përket Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Duke filluar nga data 21 maj 2027, njofton ministria e Mjedisit Jetësor, Bashkimi Evropian prezanton rregulla më të rrepta për eksportin e mbeturinave jo të rrezikshme. Gjegjësisht, shkruan më tutje, eksporti i mbeturinave jo të rrezikshme, ose të njohura si mbeturinat e “listës së gjelbër”, përgjithësisht do të ndalohet në vendet që nuk janë anëtare të OECD.
“Përjashtim nga ky rregull do të bënin vendet që, megjithëse nuk janë anëtare të OECD-së, kanë kapacitete që plotësojnë kërkesat e mbrojtjes së mjedisit për përpunimin e këtyre mbeturinave. Përkatësisht, të gjitha vendet që dëshirojnë të importojnë mbeturina jo të rrezikshme nga BE-ja, duhet të njoftojnë Komisionin Evropian për gatishmërinë e tyre dhe të konfirmojnë aftësinë e tyre për të menaxhuar mbeturinat në një mënyrë të shëndoshë ekologjike në përputhje me rregullat e legjislacionit të BE-së.
Megjithëse Rregullorja e re ka hyrë në fuqi më 20 maj 2024, shumica e dispozitave do të zbatohen nga 21 maj 2026 dhe shumica e rregullave të eksportit do të zbatohen nga 21 maj 2027.
Pas kësaj periudhe (21 maj 2029), vendet jo anëtare të OECD-së të interesuara për importimin e meturinave plastike do të ftohen të njoftojnë Komisionin Evropian dhe të demonstrojnë kapacitetin e tyre për të menaxhuar këto meturina në një mënyrë të shëndoshë ekologjike, në mënyrë që të përfshihen në listën e vendeve jo anëtare të OECD-së në të cilat meturinat plastike mund të eksportohen nga BE-ja. Kjo Kërkesë për Import të Meturinave Plastike nga BE-ja do të jetë në gjendje të mbulojë vetëm meturinat plastike jo të rrezikshme (B3011)”, thuhet në njoftim.