Me muaj pritje pa rezultat: Komuna e Kumanovës ‘dështon’ në përgatitjen e dokumentacionit për rrugën në “Zonën Industriale”
Kanë kaluar pesë muaj dhe ende nuk është përgatitur dokumentacioni i projektit për rregullimin e rrugës në “Zonën Industriale” në Kumanovë. Nga kjo komunë për Portalb-in sërish thonë se dokumentacioni është ende në proces. Nga ana tjetër, banorët dhe afaristët që punojnë në këtë zonë tregojnë se ata vetë i mbulojnë gropat e mëdha të […]


Kanë kaluar pesë muaj dhe ende nuk është përgatitur dokumentacioni i projektit për rregullimin e rrugës në “Zonën Industriale” në Kumanovë. Nga kjo komunë për Portalb-in sërish thonë se dokumentacioni është ende në proces. Nga ana tjetër, banorët dhe afaristët që punojnë në këtë zonë tregojnë se ata vetë i mbulojnë gropat e mëdha të cilat ua dëmtojnë automjetet, megjithatë kërkojnë zgjidhje afatgjate, gjegjësisht të bëhet rikonstruimi i rrugës, shkruan Portalb.mk.
Komuna e Kumanovës me muaj të tërë nuk është në gjendje të përgatisë dokumentacionin për rinkonstruimin e rrugës në “Zonën Industriale”, pavarësisht kërkesave dhe ankesave të vazhdueshme të qytetarëve.
Banorët dhe afaristët që punojnë në “Zonën Industriale” në Kumanovë thonë se nuk është zgjidhje fakti që janë duke i mbuluar gropat nga xhepi i tyre, dhe se çdoherë kur bie shi ato gropa kthehen përsëri në gjendje të njëjtë.
Edhe shoferët theksojnë se për t’iu ikur gropave ka raste kur duhet t’i bien rrugës së gjatë për të mos e dëmtuar automjetet. Sipas tyre, kjo rrugë duhet të rregullohet sa më shpejtë, për shkak se është rrugë e cila frekuentohet shumë si nga banorët e Komunës së Kumanovës, po ashtu edhe nga banorët e Komunës së Likovës.
Portalb.mk pyeti Komunën e Kumanovës se a është bërë gati dokumentacioni i projektit për rrugën “Zona Industriale” në Kumanovë, për të cilin në muajin tetor 2024 thanë se e kanë porositur të njëjtin.
“Ju njoftojmë se është në proces përgatitja e dokumentacionit të projektit për rrugën e sipërpërmendur. Pas marrjes së miratimit të ndërtimit, do të fillojë zbatimi”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Nga kjo komunë nuk tregojnë se kur konkretisht dokumentacioni do të jetë gati dhe kur do të fillojnë punimet për këtë rrugë.
Dhjetorin e 2024 Portalbi bisedoi me disa nga afaristët të cilët punojnë në rrugën “Zona Industriale” në Kumanovë, ata theksuan se kanë pengesa dhe vështirësi gjatë lëvizjeve me automjete dhe se ka mbi tre dekada që nuk është investuar në këtë rrugë.
Madje më 10 maj 2024, banorët dhe afaristët që punojnë në rrugën “Zona Industriale” në Kumanovë, përmes një peticionit kanë kërkuar nga Komuna e Kumanovës për rikonstruimin e kësaj rruge. Por, e njëjta ishte refuzuar nga ata me arsyetimin se kjo rrugë nuk është pjesë e programit të tyre të vitit 2024 për ndërtim të rrugëve.