A mundet BE-ja të gjejë zgjidhje për ngërçin Sofje-Shkup, siç bën me Hungarinë për sanksionet ndaj Rusisë?
Tre javë më parë, Hungaria hoqi veton e saj dhe të lejoi rinovimin e sanksioneve që Bashkimi Evropian kishte vendosur ndaj më shumë se 2400 individëve dhe subjekteve, kryesisht nga Rusia, në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Duke tërhequr paralele me këtë rast, lind pyetja a mundet që BE-ja të gjejë kompromis me Bullgarinë […]


Tre javë më parë, Hungaria hoqi veton e saj dhe të lejoi rinovimin e sanksioneve që Bashkimi Evropian kishte vendosur ndaj më shumë se 2400 individëve dhe subjekteve, kryesisht nga Rusia, në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Duke tërhequr paralele me këtë rast, lind pyetja a mundet që BE-ja të gjejë kompromis me Bullgarinë për të tejkaluar ngërçin disavjeçar me Shkupin? Ekspertët për Portalb.mk, janë të ndarë në mendime për këtë çështje. Përderisa Malinka Ristevska Jordanova mendon se BE-ja mund të gjejë një zgjidhje të tillë, Selim Ibrahimi i qëndron mendimit se BE-ja ia ka bërë të qartë Shkupit detyrat që duhet t’i kryejë për të ecur përpara në rrugën eurointegruese dhe se tani për tani një mekanizëm i tillë është jashtë loje.
Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane thotë se BE-ja mund të gjejë zgjidhje në këtë situatë, megjithatë ajo mendon se Shkupi ka lejuar që Bullgaria të përfitojë nga pozicioni i saj i favorshëm, duke e trajtuar ngërçin në mënyrë bilaterale.
“Sigurisht që BE-ja mundej të gjente dhe mund të gjejë mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë, gjegjësisht ta përjashtojë atë nga procesi i anëtarësimit, gjë që do të ishte vetëm në përputhje me Strategjinë e zgjerimit. Problemi është se nuk ka vullnet politik për atë. Ne vetë kontribuuam më tej në një zhvillim të tillë të ngjarjeve duke e trajtuar mosmarrëveshjen në mënyrë dypalëshe, duke lejuar Bullgarinë të përfitojë nga pozicioni i saj më i favorshëm si shtet anëtar dhe të na vendosë kushte shtesë përtej Marrëveshjes së Miqësisë. Është shumë e gabuar teza dhe kërkesa për garanci se nuk do të ketë kërkesa të tjera përveç ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese janë vetëm një nga kushtet që Bullgaria ka përfshirë deri më tani në proces – veçanërisht përmes protokolleve të komisioneve ndërshtetërore në të cilat thirren konkluzionet e Këshillit të BE-së. Pra, të gjitha këto janë kushte “të vjetra” për Bullgarinë, ndërsa shumë kushte të tjera do të lindnin nga zbatimi i ndryshimeve kushtetuese. Prandaj, duhet të mendojmë shumë më gjerë dhe më larg se sa pranimi i “taktikave të sallamit” të imponuara, evidente përmes fokusit aktual në ndryshimet kushtetuese”, nënvizon Jordanova.
Nga ana tjetër, analisti Selim Ibraimi thotë se ky mekanizëm tash për tash është jashtë loje deri ku Maqedonia e Veriut do të jetë gati t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Pas këtij procesi ndoshta nëse dalin pengesa nga Sofja do të mund të vijë në konsideratë.
“Besoj që BE e përdor këtë mekanizëm sipas rastit apo gjendjes dhe nuk mund të përgjithësohet në BE dhe jashtë unionit. Tek problemi në mes Shkupit dhe Sofjes, BE tashmë e ka bërë të qartë se çka duhet të bëjë qeveria në Shkup dhe lëvizja pritet po nga Shkupi e jo nga Sofja zyrtare”, thotë Ibraimi.
Kërkesat e reja që i ka parashtruar Qeveria e kryeministrit Mickoski, sipas tij janë jashtë kornizës së BE-së dhe anëtarëve të saj që janë pajtuar për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe me Bullgarinë.
“Shkurt kërkesat e palës maqedonase thjesht burojnë nga një gjendje që pritet të jetë në favor të Shkupit zyrtarët pra këtë e pret Qeveria e Maqedonisë së Veriut e jo BE në raport me Bullgarinë dhe rrethanat ndërkombëtare. Andaj ky mekanizëm tash për tash është jashtë loje deri ku Maqedonia e Veriut do të jetë gati t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Pas këtij procesi ndoshta nëse dalin pengesa nga Sofja do të mund të vijë në konsideratë”, theksoi Ibraimi.
Ai shton se procesin integrues liderët në Shkup duhet ta shohin larg lidhjeve dhe preferencave rajonale.
“Sa më parë t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese aq më mirë për Maqedoninë e Veriut e për stabilitetin e brendshëm”, përfundoi Ibraimi.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian, vazhdimisht duhet të pranojë disa kushte të Hungarisë që ajo të heqë veton e saj për tema dhe sanksione të caktuara ose BE-ja ta kushtëzojë atë për tema që nuk mund të bien në ujdi.
Udhëheqësit e BE-së së fundmi arritën ta bindin Hungarinë për të vazhduar sanksionet ndaj Rusisë, por kjo u bë pasi BE-ja pranoi kërkesën e Budapestit që disa emra të hiqen nga lista e zezë.
Sa i përket situatës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski përmend “vijat e kuqe” duke ritheksuar qëndrimin e tij se ndryshimet kushtetuese të kërkuara nuk garantojnë një rrugë të sigurt drejt BE-së, duke theksuar kështu kushtin për progresin e vendit në integrimin evropian.
Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.