Memli Krasniqi viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, në shenjë solidariteti në pesëvjetorin e dërgimit të tyre në Hagë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se kjo vizitë u bë për të shprehur mbështetje dhe ngushëllim për mallin e familjeve


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, në shenjë solidariteti në pesëvjetorin e dërgimit të tyre në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se kjo vizitë u bë për të shprehur mbështetje dhe ngushëllim për mallin e familjeve që prej vitesh janë ndarë nga më të dashurit e tyre.
“Në pesëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit, vizituam familjet e tyre për të shprehur solidaritetin tonë të plotë me mallin dhe vuajtjen e tyre për më të dashurit që u mungojnë prej një kohe të gjatë. Familjet Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, megjithatë, kanë shumë më tepër arsye për të qenë krenare për bijtë e tyre, sepse ata u takojnë të gjithëve, e mbi të gjitha, Kosovës”, tha Krasniqi.
Mes tjerash, ai ka shkruar se “ata ishin bashkë në luftë, bashkë në ndërtimin e shtetit, dhe sot janë bashkë në përballjen me padrejtësinë, me të njëjtin dinjitet që i ka përcjellë gjithmonë”.
“Urojmë që ky proces, i dalë prej binarëve të drejtësisë dhe arsyes, të përfundojë sa më shpejt me verdiktin që e presim të gjithë, lirinë e çlirimtarëve, që ata të kthehen te familjet dhe te populli i tyre. Kosova ju pret”./Telegrafi/
