Mesazh i ri nga Osmani: “Më shumë vlerë ka të qëndrosh i qetë pas humbjes sesa të fitosh me zhurmë”
Ish-ministri i Jashtëm dhe kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, ka thyer heshtjen e tij pas zgjedhjeve lokale duke reflektuar hapur mbi humbjen, politikën dhe kuptimin e lidershipit. Në The post Mesazh i ri nga Osmani: “Më shumë vlerë ka të qëndrosh i qetë pas humbjes sesa të fitosh me zhurmë” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Ish-ministri i Jashtëm dhe kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, ka thyer heshtjen e tij pas zgjedhjeve lokale duke reflektuar hapur mbi humbjen, politikën dhe kuptimin e lidershipit. Në një shkrim të gjatë dhe introspektiv, Osmani e përshkruan periudhën pas humbjes si “një kohë qetësie që të mëson më shumë se çdo fitore”.
“Ekziston një heshtje që vjen pas humbjes, një heshtje që asnjë fitore nuk mund të të mësojë. Në atë heshtje, më në fund i dëgjon qartë njerëzit, zërat, lodhjen që e ke fshehur, dhe kupton se politika shpërblen paraqitjen më shumë se ndershmërinë,” – shkruan Osmani.
Ai kujton se humbja në Çair nuk ishte përvoja e tij e parë me dështimin. Me profesion kirurg, Osmani thekson se aty humbjet kanë peshë të vërtetë, sepse “përgjegjësia nuk matet me kolltuk, por me jetë njerëzish”.
“Edhe atë natë tetori, kur erdhën numrat, nuk ndjeva as tronditje, as zemërim, vetëm kthjelltësi, sikur rrëfimi ku isha të hapej në kapitullin tjetër,” shton ai.
Osmani përmbledh reflektimin e tij në disa “mësime” që thotë se i ka nxjerrë nga kjo periudhë:
1. Fitoret nuk janë të tuat, përvojat po.
“Në politikë çdo sukses duket personal derisa të humbësh, dhe kupton se asnjë fitore nuk është pronë, por fryt i përbashkët. Fitoret i ndan me të gjithë; humbjet i kthen te vetja.”
2. Heshtja nuk është humbje, por reflektim.
“Pas zgjedhjeve nuk bëra deklarata, nuk kërkova arsyetime. Zgjodha heshtjen për të dëgjuar më thellë dhe për të parë më qartë. Lidershipi nuk matet me atë se sa njerëz të dëgjojnë, por me gatishmërinë për të dëgjuar vetë.”
3. Humbja është provë dhe rivlerësim i motiveve.
“Kur pushon duartrokitja, mbeten vetëm marrëdhëniet dhe vlerat e vërteta. Kur motivi yt është shërbimi, jo interesi, humbja bëhet pastrim, jo ndëshkim.”
4. Fillimi i ri është bekim.
“U ktheva në kirurgji jo për t’i ikur politikës, por për t’u rikthyer ekuilibrit. Në sallën e operacionit nuk ka spin, nuk ka audiencë, ka punë, përqendrim dhe përgjegjësi. Lidershipi nuk varet nga pozicioni, por nga qëndrimi.”
Në fund të reflektimit të tij, Osmani thekson se humbja është një fazë që të ndihmon të kuptosh më shumë për veten dhe për qëllimet e tua të vërteta.
“Humbja nuk është fund, është rikalibrim i drejtimit. Ajo të mëson dhe jep edhe më shumë durim, empati dhe një ambicie të re: jo për t’u ngjitur, por për të ndërtuar. Sot besoj se ka më shumë vlerë të qëndrosh i qetë dhe i ndershëm pas humbjes sesa të fitosh me zhurmë.”
Ai mbyll me një mesazh të qartë për të ardhmen:
“Unë nuk jam tërhequr; jam rikalibruar. Jam këtu, me më shumë përvojë, më shumë qetësi dhe më shumë bindje se rruga e vërtetë nuk është ajo që të ngre përkohësisht, por ajo që të mban i drejtë përgjithmonë.” Gazeta Flaka
The post Mesazh i ri nga Osmani: “Më shumë vlerë ka të qëndrosh i qetë pas humbjes sesa të fitosh me zhurmë” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .