Mexhiti për ligjin që presidentja refuzoi ta dekretojë: Ky është avancim i përdorimit të gjuhës shqipe

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot para mediave është prononcuar edhe për refuzimin e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova për ta nënshkruar dekretin për Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në të cilin konteston dispozitat që u referohen licencave për edukatorë në dy gjuhë, raporton Portalb.mk. Siç […]

Jan 9, 2025 - 19:00
 0  3
Mexhiti për ligjin që presidentja refuzoi ta dekretojë: Ky është avancim i përdorimit të gjuhës shqipe
Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami para mediave në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot para mediave është prononcuar edhe për refuzimin e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova për ta nënshkruar dekretin për Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në të cilin konteston dispozitat që u referohen licencave për edukatorë në dy gjuhë, raporton Portalb.mk.

Siç tha Mexhiti, presidentja konteston nenin i cili parasheh që edhe maqedonasit ta marrin në dy gjuhë licencën, në vende me shumicë maqedonase, si: Strumica apo Prilepi.  Kjo sipas  presidentes nuk është në përputhje me Ligjin për gjuhët dhe me amendamentin e Kushtetutës së RMV-së.

“Për hir të së vërtetës, duhet ta shohim se si ka qenë situata deri më tash. Edhe provimi edhe licencët janë dhënë krejtësisht në gjuhën maqedonase, edhe nëpër vendbanimet shqiptare. Ndërsa, me Ligjin të cilin e propozon ministri Fatmir Limani garantohet në çfarëdo forme që për herë të parë provimet të jenë në gjuhën shqipe dhe licencat të merren edhe në gjuhën shqipe. Pra, kjo praktikë deri tash nuk ka qenë. Ky është avancim i përdorimit të gjuhës shqipe”, tha Mexhiti.

Mexhiti ka garantuar se çdo i punësuar shqiptar në çerdhe, provimin do ta ketë në shqip dhe licencën do ta merr në gjuhën shqipe dhe jo si deri tash që e kanë marrë edhe punëtorët shqiptarë në gjuhën maqedonase.

Ndryshe, presidentja Siljanovska Davkova ka kërkuar rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të projektligjit. Siljanovska Davkova tha se nenet e parashikuara të ligjit duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve.

“Vetëm bëra thirrje që edhe një herë të shqyrtohen nenet 9 dhe 10, gjithashtu edhe njëherë të mendohet nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrje e licencës nuk do të lë hapësirë për autorizim diskrecional. Askush nuk konteston që kur të jepet provimi në gjuhën shqipe, licenca të merret në gjuhën shqipe. Ajo që për mua është kontestuese, është që është harruar, përskaj gjuhës maqedonase dhe shqipe, e kuptohet që kur jepni provim në gjuhën maqedonase, licencën ta merrni në gjuhën maqedonase”, tha presidentja Siljanovska- Davkova.

Ajo më tej ka shtuar se beson që Kuvendi, si bartës i pushtetit legjislativ do t’i ketë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e saj gjatë shqyrtimit të dispozitave të nenit 9 dhe nenit 10 të Ligjit për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili u miratua nga deputetët më 24 dhjetor 2024 dhe do të krijojë zgjidhje të qarta në përputhje me Kushtetutën.

Portalb.mk siguroi edhe nenet të cilat “i pengojnë” presidentes dhe çfarë konkretisht thuhet aty.

Pas refuzimit të presidentes për ta nënshkruar Ligjin në fjalë, pati reagime edhe nga partitë politike opozitare, sipas të cilëve, akti i presidentes është tentim për të degraduar gjuhën shqipe edhe pse e njëjta është e precizuar saktë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa nga Qeveria deklaruan se “ligji do të përpunohet dhe do tu prezantohet deputetëve në përputhje me procedurat ligjore”.

Kujtojmë se debatin për kushtetutshmërinë e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit të kaluar (2024) e solli Gjykata Kushtetuese, e cila më 11 dhjetor 2024, vendosi të caktojë seancë përgatitore me të cilën synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e Ligjit në fjalë, ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut. Seanca është caktuar të mbahet më 20 mars 2025.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.

Në një analizë të Portalb.mk, ekspertët juridik kanë treguar rrugën politiko-juridike që duhet ndjekur për tu mbyllur një herë e përgjithmonë çështja e gjuhës shqipe dhe debati për të njëjtën.