‘Industrialja’ i mbushi një vit e gjysmë nga nisja e punimeve: Kasami nganjëherë ngatërron datat pastaj fajëson motin, pritet të përfundojë në prill

Hapjes së bulevardit “Vidoe Smileski Bato’ (Industrial) nuk i shihet fundi edhe pse aktivitetet e para të punimeve për vazhdimin e tij filluan që prej para një viti e gjysmë, pavarësisht se kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se nuk ka as një vit që kanë filluar punimet, shkruan Portalb.mk.  Punimet për vazhdimin […]

Jan 9, 2025 - 19:00
 0  3
‘Industrialja’ i mbushi një vit e gjysmë nga nisja e punimeve: Kasami nganjëherë ngatërron datat pastaj fajëson motin, pritet të përfundojë në prill
Punimet për vazhdimin e bulevardit V.S. Bato (Industrial) në Tetovë. Foto: Portalb.mk (9 janar 2025)

Hapjes së bulevardit “Vidoe Smileski Bato’ (Industrial) nuk i shihet fundi edhe pse aktivitetet e para të punimeve për vazhdimin e tij filluan që prej para një viti e gjysmë, pavarësisht se kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se nuk ka as një vit që kanë filluar punimet, shkruan Portalb.mk. 

Punimet për vazhdimin e bulevardit “Vidoe Smileski Bato’ (Industrial) nga pjesa në Kazermën e qytetit filluan më 16 korrik 2023.

Ishte pikërisht Kasami i cili e bëri këtë njoftim përmes një videoje ku shkroi: 

“Gjithçka gati nga hapja e një arterie tjetër të qytetit. Bulevardi “VS Bato” i cili do të vazhdojë deri në fshatin Poroj”. 

Foto: Printscreen nga faqja zyrtare e Bilall Kasamit në Facebook
Foto: Printscreen nga faqja zyrtare e Bilall Kasamit në Facebook

Megjithatë pas një viti e gjysmë punimet ngelin ende larg përfundimit. Sot, pikërisht në këtë lokacion i pyetur nga Portalb.mk se pse ende nuk kanë përfunduar punimet, Kasami tha se ka më pak se një vit që kanë filluar punimet.

“Nuk janë dy vite, as një vit nuk është”, tha Kasami. 

Gjatë deklaratës për media i kujtuam Kasamit edhe datën fikse dhe se bëhet fjalë për një vit e gjysmë, më 16 korrik 2023, por Kasami përsëri këmbëngulte se nuk ka as një vit. 

“As një vit nuk është, këtu domethënë është rrugë që shpejtë janë realizuar punimet. Tash për shkak të kushteve atmosferike, përkohësisht janë ndërprerë. Nga momenti i parë kur do të ngrohet koha do të vazhdohet me punë, është një segment i bulevardit V.S. Bato dhe ne besojmë që nëse na premtojnë kushtet atmosferike, nga marsi prilli rruga do të jetë e asfaltuar. Të gjitha nivelet tjera të projektit janë realizuar, infrastruktura në rrugore, ndriçimi. Tash është faza e tamponimit dhe asfaltimit”, tha Kasami,. 

Fillimisht do të asfaltohet vetëm një segment i bulevardit, pastaj nga ajo pikë do të vazhdojë në dy krahë, njëra do të lidhë këtë bulevard me qarkoren Trebosh-Jazhincë dhe krahu tjetër do të vazhdojë drejt fshatit Poroj. 

tetor të vitit 2023 kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami u arsyetua se procesi vonohet nga procedurat pronësore juridike.

Hapjen e këtij bulevardi që moti kohë e kërkojnë qytetarët të cilët jetojnë përgjatë vendbanimeve Tetovë – Jazhincë.

Punimet për vazhdimin e bulevardit “Vidoe Smileski Bato’ (Industrial) nga pjesa në Kazermën e qytetit filluan më 16 korrik 2023.

Vazhdimin e bulevardit “Industrial”, Kasami e paralajmëroi edhe në nëntor të vitit 2022.

Ndërkaq, hapja e bulevardit “Industrial” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska” është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.