Mickoski sulmon LSDM-në për borxhin publik: “Opozitë banditeske, vazhdimësi e një pushteti banditesk”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të LSDM-së lidhur me borxhin publik dhe huamarrjen e Qeverisë, duke i cilësuar argumentet e opozitës si “absurde” dhe rezultat të mungesës së njohuriv...
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të LSDM-së lidhur me borxhin publik dhe huamarrjen e Qeverisë, duke i cilësuar argumentet e opozitës si “absurde” dhe rezultat të mungesës së njohurive ekonomike.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se kishte ndjekur konferencën për shtyp të deputetëve të LSDM-së dhe akuzoi opozitën se po paraqet të dhëna pa e kuptuar kuadrin ligjor të borxhit publik.
“U paraqitën dy teza që në vetvete janë absurde dhe tregojnë hapur mungesë njohurie”, tha Mickoski.
Ai u ndal te pyetja pse kreditë e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore nuk ishin evidentuar në borxhin publik, duke iu referuar Ligjit për Borxhin Publik.
Sipas tij, kreditë janë të përcaktuara në një kornizë dhe tërheqja e tyre bëhet në varësi të progresit të punimeve dhe faturave që dorëzohen.
“Këto kredi janë të përcaktuara në kornizë, pra, në varësi të ecurisë së punimeve në terren dhe përfundimit të aktiviteteve, dorëzohen faturat, tërhiqen kreditë dhe më pas bëhen pagesat”, deklaroi kryeministri.
Euroobligacioni i vitit të ardhshëm
Mickoski iu përgjigj edhe kritikave për vendimin e Qeverisë të 31 gushtit për huamarrje në tregun ndërkombëtar, duke shpjeguar se kjo nuk ishte përfshirë në ribalancin e buxhetit për shkak se bëhet fjalë për një euroobligacion që planifikohet të emetohet vitin e ardhshëm.
Sipas tij, qëllimi është shlyerja e detyrimeve të marra nga qeveritë e mëparshme.
“Bëhet fjalë për emetimin e një euroobligacioni vitin e ardhshëm, në mënyrë që të mund t’i shlyejmë borxhet e tyre”, tha Mickoski.
Kryeministri e shoqëroi këtë argument me akuza të drejtpërdrejta ndaj LSDM-së dhe BDI-së për mënyrën se si kanë menaxhuar financat publike.
Ai përmendi edhe borxhin e marrë gjatë krizës së koronavirusit, duke e lidhur atë me menaxhimin e pandemisë dhe blerjen e vaksinave.
“Përveç vjedhjes, asgjë tjetër nuk kanë në matricën politike”
Në deklaratën e tij, Mickoski përdori një gjuhë të ashpër politike ndaj opozitës.
“Kur bëhet fjalë për ekonominë, përveç vjedhjes, asgjë tjetër nuk kanë në matricën e tyre politike”, deklaroi ai.
Në fund, ai e përshkroi LSDM-në si vazhdimësi të qeverisjes së mëparshme, duke përfshirë edhe BDI-në.
“Ja, kjo është opozita që kemi sot në Maqedoni. Pra, një opozitë banditeske e cila vazhdon të jetë vazhdimësi e një pushteti banditesk, në periudhën kur LSDM-ja dhe BDI-ja ishin në pushtet në Maqedoni”, tha Mickoski.
Deklaratat vijnë në një kohë kur niveli dhe struktura e borxhit publik janë kthyer në një nga temat kryesore të përplasjes mes Qeverisë dhe opozitës. Gazeta Flaka
The post Mickoski sulmon LSDM-në për borxhin publik: “Opozitë banditeske, vazhdimësi e një pushteti banditesk” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.