Mickovski kërkon por Lloga numëron pasojat nëse shkarkohet Këshilli Gjyqësor
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi të enjten se deputetët e partisë së tij, VMRO-DPMNE, do të paraqesin një mocion në Kuvend për shkarkimin e një pjese të The post Mickovski kërkon por Lloga numëron pasojat nëse shkarkohet Këshilli Gjyqësor appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi të enjten se deputetët e partisë së tij, VMRO-DPMNE, do të paraqesin një mocion në Kuvend për shkarkimin e një pjese të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilin e quajti “bastion korrupsioni dhe padrejtësie”.
Mickoski theksoi në një postim në rrjetin social Facebook se “shteti dhe qytetarët kanë nevojë për drejtësi, dhe Maqedonia [e Veriut] duhet të luftojë kundër kënetës së saj të korruptuar”.
Ai tha më vonë për gazetarë se “goditja në ballë nënkupton që gjithçka që është nën kompetencat e Kuvendit, është emërimi i atyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Atje ku zgjidhen të votohet edhe mocioni i mosbesimit”.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i befasuar nga synimi i kryeministrit, tha se shpreson se Kuvendi dhe Qeveria do të punojnë sipas Kushtetutës.
“Për herë të parë e dëgjova këtë nga ju. Deri tani ishim në seancë. Kam dhënë deklarata, për sa i përket shkarkimit të Këshillit Gjyqësor, vendi i vetëm ku është parashikuar është në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Iniciativat mund të dorëzohen në Kuvend, çdokush mund të dorëzojë iniciativa”, tha Kambovski.
Kambovski, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 28 janar, kishte theksuar se, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, vetëm ky këshill mund t’i shkarkojë anëtarët e tij.
“Nuk kam hasur në ligje të tjera që parashikojnë një mundësi të tillë për shkarkimin në një procedurë tjetër”, tha Kambovski.
Iniciativa e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me pesë anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi.
“Ne nuk mund të bëjmë një shpërbërje të plotë, as të zbulojmë anomalitë në një kohë kaq të shkurtër, por mund të zgjedhim një Këshill Gjyqësor që objektivisht, pa kushtëzime partiake, do të mund ta sqarojë këtë moçal politik dhe të jetë një lloj monitoruesi se si sillen gjyqtarët, çfarë vendimesh marrin dhe pse”, tha Mickoski.
Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut përbëhet nga 15 anëtarë.
Përzgjedhja e tyre bëhet në disa mënyra: tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi me shumicë votash, dy të tjerë propozohen nga presidenti i shtetit dhe miratohen nga Kuvendi, ku njëri duhet të jetë përfaqësues i komuniteteve më të vogla etnike, dhe tetë të tjerë zgjidhen nga gjykatësit në zgjedhje të drejtpërdrejta.
Ndërkaq, dy anëtarët e tjerë, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ministri i Drejtësisë, mund të marrin pjesë në seanca, por nuk kanë të drejtë vote.
Shpërndarja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik ishin pjesë e premtimeve parazgjedhore të kreut të VMRO-DPMNE-së, Mickoski, i cili e mori udhëheqjen e Qeverisë në maj të vitit të kaluar.
Ndaj iniciativës së Mickoskit ka reaguar edhe opozita maqedonase.
Kreu i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, Venko Filipçe, tha se partia e tij pajtohet me reformat në gjyqësor, por jo, siç tha, përmes veprimeve arbitrare.
“Por, reforma që do të nënkuptojnë një gjyqësor të pavarur, efikas, që do të sigurojë drejtësi. Nuk duhet të lejojmë që drejtësia që kërkohet qytetarët të shndërrohet në një partizim të ri, dhe një pushtim nëpërmjet ndryshimit të Këshillit Gjyqësor nga Qeveria”, theksoi ai.
LSDM kërkon që hapat e ardhshme në sistemin e drejtësisë të bëhen me konsensus të të gjitha partive politike në Kuvend.
Me iniciativën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Maqedonia e Veriut i del hapur kundër Raportit të Misionit Vlerësues, të dërguar në Maqedoni nga BE-ja në vitin 2023, i cili është i inkorporuar edhe në Strategjinë Sektoriale për Reforma në Sistemin e Drejtësisë 2024-2028. Kështu ka thënë ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ndërsa ka shtuar se e gjithë kjo është gjithashtu pjesë e Agjendës Reformuese të BE-së për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të së cilës Maqedonia e Veriut përfiton fonde dhe grante në vlerë prej 750 milionë eurosh.
“Humbja e fondeve nga agjenda e reformave në kuadër të “Planit për Rritje” për Maqedoninë e Veriut do të kishte disa pasoja serioze si ngadalësimin e reformave, pasi ky plan lidhet me reformat strukturore të kërkuara nga BE-ja. Pa këto fonde, reformat mund të vonohen ose të mbeten të paplota. Do të ketë më pak investime, pasi Fondet e BE-së ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës, arsimit, administratës publike dhe ekonomisë. Humbja e tyre do të thotë më pak investime në sektorët kyç. Do të ketë besueshmëri më të ulët dhe Maqedonia e Veriut do të dërgonte një sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë, duke dëmtuar imazhin e saj si vend i gatshëm për integrim evropian”, ka thënë Lloga.
Ai ka shtuar se do të ketë rritje të barrës financiare, sepse siç thotë, pa ndihmën e BE-së, Qeveria do të duhej të siguronte fonde nga burime të tjera, si huamarrja, duke rritur borxhin publik. “Do të ketë vonesë në integrimin evropian. BE-ja mund ta shohë këtë si mungesë serioziteti në zbatimin e reformave, duke ndikuar negativisht në rrugën e integrimit. Nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbush kushtet e kërkuara, fondet mund të ridrejtohen për vende të tjera të rajonit”.
The post Mickovski kërkon por Lloga numëron pasojat nëse shkarkohet Këshilli Gjyqësor appeared first on Flaka, në çdo lajm... .