Ministri Hoxha mbështet kërkesat e studentëve shqiptarë të Maqedonisë për barazi gjuhësore

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim dhe bisedë me Mevlan Ademin, një nga zërat kryesorë studentorë të protestave paqësore në Maqedoninë e Veriut, të cilat lidhen me çështjen e të drejtave gjuhësore. Gjatë diskutimit, ministri ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e studentëve për respektimin e plotë të së […]

Prill 16, 2026 - 00:30
Ministri Hoxha mbështet kërkesat e studentëve shqiptarë të Maqedonisë për barazi gjuhësore

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim dhe bisedë me Mevlan Ademin, një nga zërat kryesorë studentorë të protestave paqësore në Maqedoninë e Veriut, të cilat lidhen me çështjen e të drejtave gjuhësore.

Gjatë diskutimit, ministri ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e studentëve për respektimin e plotë të së drejtës për përdorimin e gjuhës amtare. Ai ka theksuar se këto të drejta duhet të garantohen brenda kornizës së zbatimit të plotë, të qartë dhe të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Ohrit, e cila përbën themelin e barazisë dhe funksionimit të një shteti multietnik.

Ferit Hoxha nënvizoi se një element thelbësor i demokracisë është dëgjimi i zërit të të rinjve dhe përkthimi i angazhimit qytetar në politika konkrete që sigurojnë barazi dhe standarde evropiane.

Sipas tij, mbështetja e këtyre vlerave është e domosdoshme për forcimin e institucioneve demokratike dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, të bazuar në sundimin e ligjit dhe përfshirje.(INA)