MPB ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mbrëmë ka shpallur fletarrest ndërkombëtar të lëshuar për ish-drejtorin e ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), Vasko Kovaçevski, i cili është një nga të dyshuarit në rastin “Aditiv”, transmeton Portalb.mk. Urdhri për Kovaçevskin është shpallur pasi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit […]

dhjetor 31, 2024 - 14:00
 0  6
MPB ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski
Vasko Kovaçevski në MPB. Foto printscreen

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mbrëmë ka shpallur fletarrest ndërkombëtar të lëshuar për ish-drejtorin e ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), Vasko Kovaçevski, i cili është një nga të dyshuarit në rastin “Aditiv”, transmeton Portalb.mk.

Urdhri për Kovaçevskin është shpallur pasi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) njoftoi dje se ka lëshuar urdhër për lëshimin e fletarrestit kombëtar për të dyshuarin, si dhe një deklaratë për lëshimi i një fletarresti ndërkombëtar.

Urdhri është publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rubrikën “Në kërkim” dhe thuhet:

Vasko Kovaçevski, babai Mile, nëna Deva, i lindur më 06.07.1969 në Manastir me vendbanim në f.Orizarë e Epërme “Kosturska” nr. 25 – Manastir. Kërkohet me urdhër ndërkombëtar të lëshuar nga PNKOK Shkup me Urdhër nr. KO nr. 108/24 datë 30.12.2024 Personi është nën hetim për një krim të kryer sipas nenit 353-c nga Kodi Penal i RMV-së”.

Krahas fletarrestit, dje nga PNKOK kanë njoftuar se kanë dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore Penale Shkup për caktimin e paraburgimit të ish-drejtorit të EMV-së. Propozimi është pranuar nga gjyqtari në procedurë paraprake dhe Kovaçevskit i është caktuar masa e paraburgimit tetë ditë, masë e cila do të aktivizohet pasi të gjendet.

Prokuroria paraprakisht kishte sugjeruar që Kovaçevskit t’i caktohen masat e sigurimit, por gjykata ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar një propozim të tillë, duke shpjeguar se i dyshuari nuk është në dispozicion të organeve të rendit.

Gjykata Penale në Shkup të premten ka njoftuar për vendimin me të cilin është refuzuar propozimi fillestar i PNKOK për caktimin e masës së sigurimit ndaj Kovaçevskit. Prokuroria tha se e kanë marrë dje dhe kanë vepruar menjëherë.

Përse Kovaçevskit nuk i është caktuar menjëherë masa e paraburgimit ka reaguar të premten ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili ka thënë se është i befasuar nga Prokuroria Publike që nuk e ka propozuar një masë të tillë në përputhje me Ligjin për procedurë penale.

Po të njëjtën ditë, përmes një komunikate për media, PNKOK i është përgjigjur deklaratës së Toshkovskit, duke theksuar se nuk kanë marrë dokument se ish-drejtori i dyshuar i “Elektranave të Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçevski, nuk është në dispozicion të organeve të rendit.

Nga atje, të premten kanë thënë se prokurorët publikë kompetentë do të veprojnë sipas kompetencave ligjore lidhur me masat e sigurisë kur të marrin njoftimin se i dyshuari nuk është në dispozicion të organeve të rendit.

Në aksionin me emrin e koduar “Aditiv”, i cili është kryer më 10 dhjetor, dyshohen gjithsej 23 persona, disa prej të cilëve ish-drejtorë të ndërmarrjes shtetërore Elektranat e Maqedonisë së veriut” (EMV), REC “Manastir” dhe REC “Oslomej”.

Më 11 dhjetor të këtij viti, me propozim të Prokurorisë Publike të NKOK-së, Gjykata Penale e Shkupit caktoi 30 ditë paraburgim për tetë nga gjithsej 23 të dyshuar në rastin “Aditiv”. Në mesin e tyre është edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Stefanov.

Stefanov ka qenë jashtë vendit ditën e shpalljes së aksionit, por është kthyer, pas së cilës është arrestuar dhe aktualisht është në paraburgim, së bashku me tetë të dyshuar të tjerë. Kovaçevski, nga ana tjetër, mbetet i padisponueshëm për organet e rendit.