MPJ greke dënoi deklaratat e Mickoskit: Çështja maqedonase është zgjidhur në mënyrë të pakthyeshme

Ministria e Punëve të Jashtme greke dënoi deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, i cili e cilësoi çështjen maqedonase si të “pazgjidhur” dhe “ekzistuese” në Nju Xhersi, transmeton Portalb.mk. Në njoftim, Greqia thekson se ky është një provokim dhe një përpjekje për të rishikuar Marrëveshjen e Prespës, e cila, siç thonë ata, […]

Jan 23, 2025 - 14:00
 0  5
MPJ greke dënoi deklaratat e Mickoskit: Çështja maqedonase është zgjidhur në mënyrë të pakthyeshme
Flamuri i Greqisë në Athinë. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Ministria e Punëve të Jashtme greke dënoi deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, i cili e cilësoi çështjen maqedonase si të “pazgjidhur” dhe “ekzistuese” në Nju Xhersi, transmeton Portalb.mk.

Në njoftim, Greqia thekson se ky është një provokim dhe një përpjekje për të rishikuar Marrëveshjen e Prespës, e cila, siç thonë ata, e zgjidhi çështjen “përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

“Greqia kujton se për përparimin e mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimin e qetë të rrugës evropiane të vendit fqinj, parakusht është respektimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe natyrisht përmbajtja nga deklaratat dhe pretendimet irredentiste ndaj vendeve fqinjëve”, thuhet në deklaratën e MPJ-së greke.

Reagimi i MPJ-së greke vjen pas deklaratës së kryeministrit Mickoski nga SHBA-ja në të cilën tha se “duhet të fitojmë edhe në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë dhe kryeqytete të tjera botërore nëse duam që çështja maqedonase të marrë përfundimisht zgjidhjen e saj, sepse ajo nuk është zgjidhur, ajo flakëron dhe zgjat me shekuj dhe ekziston ende”.

Kujtojmë se Marrëveshja historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek, u nënshkrua me 17 qershor 2018. Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke pretenduar se janë bullgare.