Muharremaj: Do të ketë transport urban në Suharekë, QKMF, shkollë e çerdhe
Bali Muharremaj, kandidati i AAK-së edhe për një mandat në Komunën e Suharekës, ka prezantuar planprogramin e tij për katër vitet e ardhshme. Ai ka pohuar se projektet e tij janë të bazuara në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, duke shtuar se do të përfundojnë edhe projektet që tashmë vetëm i ka filluar, por gjithashtu


Bali Muharremaj, kandidati i AAK-së edhe për një mandat në Komunën e Suharekës, ka prezantuar planprogramin e tij për katër vitet e ardhshme.
Ai ka pohuar se projektet e tij janë të bazuara në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, duke shtuar se do të përfundojnë edhe projektet që tashmë vetëm i ka filluar, por gjithashtu do të fillojë me të reja.
“Kuptohet që garojmë me disa projekte të reja. Ka edhe disa projekte që kanë filluar e duhet të përfundohen. Është një program që është vazhdimisht i lidhur me qytetarët. Katër vitet e fundit ka pasur ndryshime në qytetin e Suharekës, kështu që e kemi paraparë të vazhdojmë edhe një mandat për të përfunduar projektet që na kanë mbetur dhe që i kemi pasur të planifikuara për t’i përfunduar”, u shpreh Muharremaj.
Muharremaj theksoi se do të punojë edhe në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, punësim dhe ekonomi.
“Kuptohet që projekti i parë do të jetë Stacioni i Autobusëve, diku me 400 parkingje. Qyteti ka nevojë të ketë edhe transport urban. Po ashtu, do të ketë edhe një autobus që do t’i bartë pensionistët nga qyteti deri te Tregu Javor. Do ta kemi edhe një pishinë gjysmë-olimpike, pasi që është rritur standardi i Komunës së Suharekës dhe ka nevojë që edhe nxënësit e Suharekës ta mësojnë notin. Nga shkollat fillore, nxënësit do të barten me autobusë për t’u dërguar në pishinë.”
“Do të kemi edhe një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytet. Ka nevojë për një qendër më të mirë në qytetin e Suharekës. Do të ndërtojmë një shkollë ‘7 Marsi’, pasi që është duke u rritur numri i nxënësve; do të jetë me 36 paralele. Kuptohet se do të jetë me të gjitha standardet evropiane. Do ta kemi një objekt të ri të zjarrfikësve, sepse kanë nevojë. Do të kemi edhe një objekt të ri të ‘Eco Therandës’. Do të ketë edhe një shërbim të ri geriatrik, pasi të moshuarit kanë nevojë që të shkojmë t’i kontrollojmë në shtëpitë e tyre. Do ta kemi çerdhen e 11-të në Bllacë. Po fillojmë edhe me një fshat të ri, por gjithashtu do të ndërtojmë një stadium të ri, si dhe do të bëjmë fizibilitetin e ngrohjes së qytetit të Suharekës”, tha Muharremaj. /Klankosova.tv
