Ndërtimtaria përballet me kosto në rritje, shtrenjtohen banesat dhe bie interesimi për blerje
Rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e ndërtimit po vlerësohet si shqetësim i madh për vetë industrinë, e cila po përballet me rritje të kostove dhe vështirësi në funksionim të qëndrueshëm të tregut. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, tha për KosovaPress se rritja e çmimeve nuk është artificiale, por pasojë


Rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e ndërtimit po vlerësohet si shqetësim i madh për vetë industrinë, e cila po përballet me rritje të kostove dhe vështirësi në funksionim të qëndrueshëm të tregut.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, tha për KosovaPress se rritja e çmimeve nuk është artificiale, por pasojë e zhvillimeve reale në treg dhe prekjes të edhe vetë sektorit të ndërtimit nga kjo situatë, njësoj si qytetarët.
“Rritja e çmimit në sektorin e ndërtimit është shqetësim edhe për ne si sektor i ndërtimit, jo vetëm për qytetarët të cilët atakohen drejtpërdrejt me këto çmime, duke pasur parasysh që domethënë këto çmime janë si rezultat i gjendjes reale, jo në mënyrë artificiale. Kjo ka ndodhur për arsye të rritjes së çmimit të lëndës së parë, mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së çmimit të pronave. Të gjitha këto janë indikacione, të cilat kanë shtyrë të rriten çmimet”, tha Vataj.
Vataj vuri në pah edhe ndikimin e rritjes së çmimit të derivateve, e cila, sipas tij, ka reflektuar drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe më pas në çmimin final të materialeve ndërtimore.
“Mirëpo, duhet me pasur parasysh edhe një gjë: rritja e çmimit të derivateve ka ndikuar shumë edhe në rritjen e transporteve, gjë që kanë ngritur edhe çmimin e materialit ndërtimor. Duke pasur parasysh që ne si Kosovë kemi import të jashtëzakonshëm nga jashtë, domethënë kemi shumë pak prodhim vendor, gjë që nuk e plotëson atë nevojën e tregut dhe kjo është edhe që është një ndër indikatorët që ka ndikuar në rritjen e çmimit”, u shpreh Vataj.
Duke folur për ndikimin në treg, ai ka konfirmuar se rritja e çmimeve në ndërtimtari ka ndikuar në uljen e interesimit të qytetarëve për blerjen e banesave.
“Rritja e çmimeve ka ndikuar edhe në uljen e interesimit të qytetarëve për blerjen e banesave, konkretisht në këtë rast, duke pasur parasysh që domethënë është një diferencë jashtëzakonisht e madhe në kohën pas-pandemike që ka ndodhur. Dhe këto sigurisht i bëjnë ata me u stopuar për një kohë, me parë realitetin. i cili po pritet të ndodh, a do të ketë rritje prapë të çmimeve apo do të vazhdohet me këtë trend”, tha ai.
Sa i përket masave për stabilizimin e kësaj situate, Vataj ka theksuar se përkrahja institucionale është thelbësore për të lehtësuar gjendjen aktuale.
Ai ka shtuar se ekziston nevoja për një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në një sektor që konsiderohet shtyllë e zhvillimit ekonomik. Sipas tij, bashkëpunimi me prodhuesit vendor dhe përpjekjet për rritjen e prodhimit të brendshëm janë kyçe për të zbutur varësinë nga importi dhe për të kontrolluar çmimet.
Pronari i një kompanie ndërtimi në Kosovë, Tunë Gjokaj për KosovaPress thotë se çmimet e materialeve bazë si hekuri dhe betonit, kanë pësuar rritje të ndjeshme duke detyruar edhe sektorin të ngadalësojë ritmin e punës dhe të pres stabilizim.
Sipas Gjokajt, betoni si një nga materialet bazë të ndërtimit brenda pesë javëve një metër kub është rritur nga 75 euro në 150 euro.
“Aktualisht produkti kryesor se është ndërtim ose ndërtimi i vrazhdë është betoni ose njëri prej produkteve kryesorë ose 50% gjithçka. Ka pasur ndryshim të madh edhe betony, edhe druri, se punojmë edhe me drunj. Edhe ai ka pasur ndryshim. Ka hekuri ndryshim, ka tulla ndryshim, gjithçka ka ndryshim aktualisht, po betoni është kjo më e madhja. Domethënë, kjo është super e madhe se s’mund e përballon kush. Prej pesë jave këndej 100%. Betoni është 100%, tulla diku 10%, hekuri është diku 18% edhe krejt produktet e hekurit se nuk është vetëm hekuri si shufër, po krejt produktet e hekurit si janë gozhda, disa të tjera, ka shumë sende se hyjnë në ndërtim”, u shpreh Gjokaj.
Sipas tij, rritja e çmimit të derivateve dhe varësia e madhe nga importi kanë ndikuar ndjeshëm në koston e materialeve ndërtimore, duke e bërë edhe më të vështirë menaxhimin e projekteve.
Në anën tjetër, ai vlerëson se rritja e çmimeve ka reflektuar drejtpërdrejt edhe në kërkesën e qytetarëve, duke bërë që shumë prej tyre të hezitojnë për investime të reja në patundshmëri.
Ndërsa, sipas agjencive të patundshmërive që ka kontaktuar KosovaPress, çmimet e banesave në Prishtinë varen kryesisht nga lokacioni, cilësia e ndërtimit, kërkesa dhe oferta në treg si dhe nga faktorë të tjerë.
Aktualisht, në shumicën e projekteve të reja dhe të gatshme për banim, sipas agjencive të patundshmërive, çmimet janë nga 1400 deri në 1700 euro për metër katror.
Ndërsa, në zonat më të kërkuara ato shpesh tejkalojnë 2000 deri në 2500 euro për metër katror. Ndërsa, për vitin 2025, rritja mesatare vlerësohet të jetë rreth 5–7%.
Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosoves, Indeksi i çmimeve të pronave të banimit u rrit 5,5% në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.
Prej 5,5% është rritur çmimi i pronave të banimit edhe në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025.
Nga të dhënat e ASK-së, në Regjionin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit janë rritur me 4,9% në tremujorin e katërt 2025 krahasuar me tremujorin e katërt 2024. Për regjionet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën 4,3% në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me tremujorin e katërt 2024.
