Në RMV janë mbyllur tre diskoteka që kanë licencë por nuk plotësojnë kushtet teknike, po kontrollohen edhe 9 të tjera

Tri diskoteka janë mbyllur pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme teknike për t’u pajisur me licencë dhe për të funksionuar. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, sot në një konferencë për media tha se aktualisht janë duke u bërë kontrolle edhe në nëntë diskoteka që kanë marrë licencë, transmeton Portalb.mk. “Tri diskotekave do t’u hiqen licencat […]

Mars 19, 2025 - 14:01
 0  3
Në RMV janë mbyllur tre diskoteka që kanë licencë por nuk plotësojnë kushtet teknike, po kontrollohen edhe 9 të tjera
Diskoteka Pulse, foto nga Facebook-u i tyre

Tri diskoteka janë mbyllur pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme teknike për t’u pajisur me licencë dhe për të funksionuar. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, sot në një konferencë për media tha se aktualisht janë duke u bërë kontrolle edhe në nëntë diskoteka që kanë marrë licencë, transmeton Portalb.mk.

“Tri diskotekave do t’u hiqen licencat dhe do t’u shqiptohen të gjitha gjobat maksimale. Pas përfundimit të kontrolleve të atyre që kanë licencë, do të kalohet në kontroll të të gjithë atyre që nuk kanë licencë, por që kanë punuar në të kaluarën”, tha Miteva.

Vetëm 22 diskoteka në mbarë vendin kanë licencë për të punuar, është konstatuar gjatë kontrollit të Inspektoratit të Tregut, i cili është kryer pas zjarrit në diskotekën e Koçanit “Pulse” ku humbën jetën 59 persona, kryesisht të moshave 14-25.  15 klubeve u konstatua se u ka skaduar licenca.

Në Shkup janë kontrolluar 13 objekte, prej tyre vetëm 2 kanë licencë të vlefshme për kabare, 8 kanë licencë të skaduar dhe 3 objekte nuk kanë fare licencë. Në Kumanovë ka 3 objekte, të gjitha me licenca të vlefshme për kabare. Në Shtip, Vinicë dhe Dellçevë nga një objekt është i regjistruar si kabare dhe të gjitha kanë licenca të vlefshme.

Në Strumicë ka 4 objekte, 2 prej të cilave kanë licencë të vlefshme për disko klub, një me licencë të vlefshme për disko klub në ambient të hapur dhe një me licencë të skaduar. Në Gjevgjeli ka një objekt me licencë të skaduar. Në Veles ka një objekt me licencë të vlefshme për disko klub dhe një me licencë të vlefshme për kabare.

Në Manastir ka katër objekte dhe tre me licencë të vlefshme për kabare, një me licencë të vlefshme për disko klub në ambient të hapur. Në Prilep janë dy objekte, të dyja kanë licencë të skaduar. Një objekt me licencë të vlefshme është në Kavadar dhe një objekt me licencë të skaduar në Negotinë.

Në Ohër ka katër objekte, dy prej të cilave kanë licencë të vlefshme, një me licencë të vlefshme për disko klub dhe një objekt është pa licencë. Në Kërçovë ekziston një objekt me licencë të vlefshme për kabare. Në Gostivar është një objekt me licencë të skaduar. Në Tetovë janë gjashtë objekte, nga të cilat për katër nuk ka të dhëna, ndërsa dy janë me licencë të skaduar.

Paraprakisht, policia ka arrestuar pronarin e një klubi nate nga Kumanova, ku janë gjetur mjete piroteknike. Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve, si dhe në kuadër të kontrolleve të paralajmëruara në klubet e natës dhe kabaretë, zyrtarët policorë nga SPB Kumanovë e kanë gjetur T.V.(58) nga Kumanova, pronar i një kabareje nga Kumanova, duke nxjerrë aparate zjarrfikëse nga vetura e tij e parkuar para kabaresë dhe i ka futur në klub.

Kujtojmë se kontrollet e MPB-së vijnë disa ditë pas tragjedisë në Koçan ku në një klub nate u dogjën 59 persona. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga përdorimi i mjeteve pirotenike. Pamjet tregojnë momentin kur flakët mbulojnë çatinë. Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe prokurori publik Ljupço Kocevski në deklaratat e tyre zyrtare përmendën përdorimin e lëndëve piroteknike në objekt si një nga fokuset e hetimeve që do të vijojnë.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.