Në RMV mbetet e vështirë për të pasur kujdestari të përbashkët për fëmijët edhe nëpërmjet Kodit Civil

Pas 17 vitesh martesë Sasho dhe gruaja e tij vendosën të divorcohen. Divorci e reduktoi ndjeshëm kohën që ai mundi ta kalonte me dy vajzat e tij, të cilat atëkohë ishin 16 dhe 7 vjet, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. “Koha më e gjatë që mund ta fitoni për ta parë fëmijën tuaj […]

Mars 14, 2025 - 09:00
 0  8
Në RMV mbetet e vështirë për të pasur kujdestari të përbashkët për fëmijët edhe nëpërmjet Kodit Civil
Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Fotoja në prapavi: Jupiterimages në Canva)

Pas 17 vitesh martesë Sasho dhe gruaja e tij vendosën të divorcohen. Divorci e reduktoi ndjeshëm kohën që ai mundi ta kalonte me dy vajzat e tij, të cilat atëkohë ishin 16 dhe 7 vjet, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Koha më e gjatë që mund ta fitoni për ta parë fëmijën tuaj nëse jeni i divorcuar dhe prindit tjetër i është dhënë kujdestaria është 72 orë në javë. Unë po përpiqem ta fitoj këtë të drejtë, sepse tani fëmijët e mi i shoh çdo të dytën fundjavë dhe ndonjë ditë gjatë javës”, thotë shkupjani Sasho Pangovski.

Vajza e tij e madhe së shpejti do të bëhet 18 vjet dhe për këtë gjë është i lumtur sepse siç thotë ai, do të shihen kur të dojë ajo, ndërsa ai vetë po bën përpjekje që të mund të kalojë më shumë kohë me të voglën. Pas divorcit Sasho vendosi t’i bashkohet shoqatës “Nashi”, ku tani është edhe kryetar, duke iu bashkuar kërkesës për prezantimin e kujdestarisë së përbashkët.

“Ne avokojmë për kujdestari të përbashkët të menjëhershme, ndërsa nëse njëri nga prindërit ka problem me varësinë apo agresionin, kjo duhet të vërtetohet në gjyq. Pozicioni fillestar i prindërimit 50:50 prindërve që duan të përfshihen në jetën e fëmijëve të tyre u mundëson ta bëjnë këtë gjë pa pengesë”, shton ai.

Debatet Kuvendore pa rezultat

Kërkesa për prezantimin e kujdestarisë së përbashkët daton që në vitin 2015, kur baballarët e divorcuar u bashkuan në një iniciativë civile. Para formimit të shoqatës në mesin e tyre ishte edhe Naum Ribaroski, i cili thotë se edhe në Kuvend janë mbajtur dy seanca për këtë propozim, por pa ndonjë përfundim konkret.

Me qenë se nuk ka mundësi ligjore për kujdestari të përbashkët, disa çifte të divorcuara gjithsesi e “aplikojnë” atë dhe ndajnë përgjegjësitë për fëmijët si dhe kohën që e kalojnë me ta, edhe pse gjykata ia jep kujdestarinë nënës në pothuajse 90 përqind të rasteve të divorcit.

“Sikur të kishte një ligj do të ndihesha më i barabartë me nënën, sepse jo të gjitha divorcet janë të këqija dhe, si në rastin tim, ne të dy jemi të përfshirë njëlloj në kujdesin dhe edukimin e vajzës tonë”, tha një banore e Shkupit, e cila dëshiron të mbetet anonime.

Marrëdhëniet e shëndetshme mes prindërve pas divorcit janë diçka e rrallë

Organizatat joqeveritare të bashkuara në Rrjetin Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje janë të mendimit se Koncepti i prindërimit të përbashkët është një model i shkëlqyer për prindërimin pas divorcit, sepse përfshin një përfshirje të barabartë të të dy prindërve në jetën e fëmijës. Por ata dyshojnë se ky model mund të funksionojë në një vend si Maqedonia e Veriut, prandaj Elena Dimushevska, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, thotë se nuk duhet të prezantohet si zgjidhje ligjore.

Ajo shpjegon se prindërimi i përbashkët nuk do të thotë që fëmija duhet të kalojë të njëjtën kohë me të dy prindërit, por që prindërit duhet të bien dakord dhe të vendosin bashkërisht për aspekte të ndryshme të jetës së fëmijës.

“Për të komunikuar pa probleme është e nevojshme që partnerët e divorcuar ta kenë pranuar divorcin si në planin racional, ashtu edhe në atë emocional, pra të mos ketë zemërim apo akuza të ndërsjella për arsyet e divorcit. Në një vend si Maqedonia ku këshillimi psikologjik është ende një temë tabu dhe ku vetëm një përqindje e vogël e partnerëve ndjekin këshillim pas divorcit, mbajtja e një marrëdhënieje të shëndetshme mes prindërve pas divorcit është një gjë e rrallë. Prandaj, edhe modeli i prindërimit të përbashkët do të ishte shumë i vështirë për t’u zbatuar, gjegjësisht nuk do ta përmbushte qëllimin e tij themelor – të kënaqë interesin më të mirë të fëmijës, përkatësisht një jetë harmonike të mbushur me dashuri dhe mirëkuptim”, thotë Dimushevska.

Dimushevska është e mendimit se institucionet nuk kanë kapacitete për ta zbatuar këtë model, në të cilin do të duhet të ketë kushte apo kritere për vlerësimin e kapaciteteve dhe aftësive prindërore për ta zbatuar atë në jetën e përditshme.

“Prezantimi i kujdestarisë së përbashkët nuk do të thotë se do ta marrin të gjithë, përveç përjashtimeve të caktuara, por ekziston vetëm si mundësi aty ku ka kushte për të. Do të mbetet opsioni që njëri prind ta fitojë kujdestarinë, edhe në familjet ku nuk ka dhunë në familje, por ka marrëdhënie konfliktuale”, thotë Dimushevska.

Sfidat e kujdestarisë së përbashkët

Edhe specialistja për çështjet e familjes Elena Mihajllovska thekson se kujdestaria e përbashkët nuk është e mundur pa bashkëpunim të mirë mes prindërve. Ajo thotë se ky model mund ta minimizojë stresin tek fëmijët zhvillimi socio-emocional i të cilëve luhatet nga divorci.

“Fëmijët ndihen më të sigurt kur e dinë se të dy prindërit janë të përfshirë në jetën e tyre dhe i mbështesin ata. Përgjegjësia e përbashkët do të thotë që të njëjtat rregulla dhe rutina mbeten, gjë që ua lehtëson dukshëm stresin atyre”, thekson Mihajllovska.

Por edhe krahas përparësive, kujdestaria e përbashkët ka edhe mangësi, konkretisht sfida të shumta që pa bashkëpunimin mes prindërve do të sillnin konflikte të reja që do të krijonin një ndjenjë jostabiliteti tek fëmijët.

“Koordinimi i orarit, transportit dhe aktiviteteve të jetës mund të jetë një sfidë e madhe si për prindërit ashtu edhe për fëmijët, gjë që mund të shkaktojë shumë konfuzion. Ka edhe presion financiar. Mbajtja e dy amvisërive mund të shkaktojë ngarkesë financiare, sidomos nëse njëri nga prindërit ka burime të kufizuara. Periudha e adaptimit mund të jetë e gjatë dhe e lodhshme, e të kërkojë një angazhim të konsiderueshëm të kohës dhe energjisë nga të dy prindërit”, shpjegon Mihajllovska.

Kujdestaria e përbashkët – risi në Kodin Civil

Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë thanë se procesi i ndryshimit të Ligjit për Familjen është i gjatë dhe kompleks dhe ndryshimet e propozuara janë ende në shqyrtim, por në kontekst të miratimit të Kodit Civil.

Aktualisht po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë, ku gushtin e kaluar përfaqësues të shoqatës “Nashi” u takuan me ministrin përkatës.

Мinistri Fillkov i dëgjoi kërkesat e tyre dhe dha shpresë se ato do t’i përcillen grupit punues që punon për Kodin Civil – njoftuan shkurt nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Ministria e Politikës Sociale, nga ana tjetër, theksojnë se Kodi Civil do t’i rregullojë aspektet bazë të së drejtës civile, përfshirë të drejtën familjare dhe ndër risitë e prezantuara do të jetë parimi i prindërimit të përbashkët.

“Kjo do të thotë se në rast divorci prindërit do të kenë të drejta dhe obligime të barabarta për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre dhe gjykatat do të marrin vendime në bazë të interesit më të lartë të fëmijës, duke garantuar barazi dhe respektim të të drejtave të të gjitha palëve”, theksojnë nga Ministria e Politikës Sociale.

Ankesa pranë Avokatit të Popullit

Padurimi dhe hakmarrja mes partnerëve të divorcuar janë pengesë që fëmijët t’i ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit, e cila vitin e kaluar ka vepruar sipas 57 ankesave në fushën e të drejtave të fëmijëve, ose më saktë në nënfushën e marrëdhënieve juridike familjare.

Ankesat më së shpeshti bëhen nga prindërit me të cilët fëmijët nuk jetojnë, por ka edhe ankesa të shumta nga prindërit të cilëve u është dhënë kujdestaria. Edhe pse në numër të vogël, ankesa të këtilla tek Avokati i Popullit vijnë edhe nga vetë fëmijët.

Si përgjigje nga zyra e Avokatit të Popullit thanë se prindërit më së shpeshti kanë ankesa për qëndrimin e prindit tjetër ndaj fëmijës, për mosrespektimin e vendimeve nga Qendrat për punë sociale, por edhe për punën e profesionistëve të punësuar atje.

Avokati i Popullit gjatë trajtimit të rasteve në këtë nënfushë u drejtohet Qendrave kompetente lokale për punë sociale, e pastaj edhe autoriteteve tjera kompetente, duke kërkuar që në mënyrë objektive ta perceptojnë gjendjen dhe kushtet aktuale në familje me qëllim të ushtrimit të papenguar të së drejtës së fëmijës për marrëdhënie personale dhe kontakte me të dy prindërit.

Statistikat zyrtare tregojnë se gjithnjë e më shumë martesa po përfundojnë me divorc dhe gjithnjë e më pak po krijohen të reja. Në tremujorin e fundit të vitit 2024 janë regjistruar 601 divorce, që paraqet një rritje prej 23,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikës.

Në të njëjtën kohë numri i martesave ka rënë për 14.7%, me gjithsej 2.430 martesa.