Të djegur e të përvëluar nga faturat e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut

Tridhjetë e tre vjeçari Pavle jeton në një banesë me qira në lagjen Kisella Voda të Shkupit. Shpenzimet e tij mujore për qiranë janë 12.000 denarë, ndërsa për faturat e energjisë elektrike, ujit dhe komunalet ai ndan deri në 5.000 denarë në muaj. Por kështu ka qenë deri një muaj më parë, shkruan Radio Evropa […]

Mars 14, 2025 - 09:00
 0  7
Të djegur e të përvëluar nga faturat e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut
Faturë e energjisë elektrike (EVN). Foto: Meta.mk

Tridhjetë e tre vjeçari Pavle jeton në një banesë me qira në lagjen Kisella Voda të Shkupit. Shpenzimet e tij mujore për qiranë janë 12.000 denarë, ndërsa për faturat e energjisë elektrike, ujit dhe komunalet ai ndan deri në 5.000 denarë në muaj. Por kështu ka qenë deri një muaj më parë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Ndonëse deri në muajin janar ai ka paguar deri në 3.000 denarë për energjinë elektrike të shfrytëzuar, fatura për muajin shkurt ka qenë me katërfishin e kësaj shume.

E pashë disa herë dhe nuk mund ta besoja shifrën që e pashë në faturë e që ishte 12.300 denarë. Fatura e energjisë elektrike është njësoj sa edhe qiraja ime mujore. Nëse kësaj ia shtojmë edhe shpenzimet e tjera për muajin, paga ime nuk do mund t’i mbulojë. Kjo nuk është reale,” thotë ai.

Pavle është një nga mijëra qytetarët që në dy muajt e fundit janë indinjuar nga faturat e larta e energjisë elektrike që janë mbi mesataren.

Radio Evropa e Lirë vizitoi disa nga pikat e pagesës së EVN-së me ç’rast regjistroi një kolonë qytetarësh të moshuar të cilët me fatura në duar prisnin në radhë para pikës së pagesave të EVN-së në Qendrën Tregtare të Qytetit.

Një numër i madh i tyre kishin ardhur për ta plotësuar formularin e korrigjimit të faturës. Qytetarët nuk ishin të disponuar për bisedë, por gjithsesi na lejuan t’u hidhnim një sy faturave të tyre.

Në njërën prej tyre shuma për energjinë elektrike të shfrytëzuar ishte 50.000 denarë.

“Ne nuk ka mundësi të kemi përdorur aq shumë energji elektrike sa të marrim një faturë gati dy herë e gjysmë më të madhe dhe kjo na ndodh çdo vit në janar. Jam i vendosur ta çoj këtë çështje edhe në gjyq, kjo është vjedhje e pastër si pasojë e monopolit dhe shteti nuk më mbron”, tha një banore e Shkupit e revoltuar nga fatura e lartë.

Numri i ankesave të pranuara dhe të reduktuara i vogël, konteste administrative nuk ka

Për periudhën për muajt dhjetor dhe janar në “EVN Home” janë dorëzuar gjithsej 15.000 kërkesa për korrigjim të leximeve të matësve për matjen e sasisë së shfrytëzuar të energjisë elektrike.

Por, siç thotë kompania, vetëm 2.200 ose 15% e kërkesave për korrigjim janë pranuar dhe për ato është bërë korrigjimi i faturave. Nga atje thonë se numri i ankesave është 20 përqind më i ulët krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2023 dhe muajin janari të vitit 2024.

Edhe pse sipas Rregullave të furnizimit ekipet e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë obligim që t’i lexojnë matësit një herë në tre muaj, nga kompania thonë se po bëjnë përpjekje dhe po kryejnë lexim të rregullt mujor të matësve.

Mirëpo, nga fatura e Pavles nga lagjja Kisella Voda e Shkupit rezulton se matësi i tij nuk është lexuar që nga tetori i vitit të kaluar dhe faturat e tij për periudhën e kaluar janë caktuar sipas konsumit mesatar.

Në muajt e fundit ai ka paguar deri në 3.500 denarë për energji elektrike, ndërsa fatura e fundit në muajin shkurt ka qenë 12.300 denarë. Pas dorëzimit të ankesës ekipet e Elektrodistribucionit kanë dalë në terren dhe kanë lexuar matësin e energjisë elektrike, pas çka EVN Home ka bërë korrigjim minimal dhe ia ka reduktuar shumën e faturës për 700 denarë.

Megjithatë, të dhënat e tyre statistikore tregojnë se përqindja e matësve të lexuar në bazë mujore është rreth 85%, dhe kjo përqindje rritet në 95%  dhe atë brenda vetëm tre muajve. Çdo vit të palexuar mbeten vetëm rreth 3% e matësve dhe atë vetëm në rastet kur bëhet fjalë për përpjekje të shumta të pasuksesshme dhe objekte krejtësisht të paqasshme, thonë nga EVN-ja.

“Për matësit që nuk mund të lexohen gjatë muajit, faturat përgatiten në bazë të konsumit të parashikuar, ku bazë është lakorja e konsumit dhe konsumi në 12 muajt e fundit. Fatura e përgatitur në bazë të konsumit të parashikuar nuk nënkupton automatikisht faturë më të lartë të energjisë elektrike. Ajo të përmbajë gjithashtu edhe vlera të parashikuara më të ulëta. Kjo do të thotë se në praktikë mund të ndodhë që përdoruesi të ketë shpenzuar më pak ose më shumë se vlerat e parashikuara në faturë dhe si pasojë të bëhen edhe korrigjimet e duhura”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Në rast se qytetarët nuk janë të kënaqur me përgjigjen e “EVN Home”, ata mund të drejtohen edhe pranë Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRrE), i cili është i obliguar të bëjë hetim dhe të sjellë vendim obligativ.

Nëse KRrE “sjell vendim” në favor të një qytetari, “EVN Home” ligjërisht është i detyruar ta korrigjojë faturën, zakonisht duke llogaritur një ulje në faturat pasuese. Në rast të një vendimi negativ, nga KRrE thonë se qytetarët kanë të drejtë të ngrejnë kontest administrativ.

Por në departamentin juridik të “EVN Home” nuk ka asnjë  kontest administrativ për tërë vitin 2024 dhe në dy muajt e parë të vitit 2025.

“Nuk ka konteste administrative për korrigjime nga konsumatorët e energjisë elektrike të konsumuar. Kjo është kështu për shkak se këto lloj vendimesh të Komisionit Rregullator të Energjetikës nuk kontestohen në Gjykatën Administrative”, u përgjigjën nga EVN-ja.

Mirëpo, nga kompania furnizuese e energjisë elektrike thonë se po veprojnë në përputhje me vendimet e KRrE-së.

Nga gjithsej 81 ankesa në vitin 2024 në Komisionit Rregullator të Energjetikës janë pranuar vetëm 8, ndërsa në dy muajt e parë të vitit aktual për fatura të larta janë ankuar 6 qytetarë, ndërsa KRrE-ja ka pranuar vetëm një dhe e ka urdhëruar “EVN Home” të bëjë korrigjimin e faturës.

Nga 1 janari i vitit 2025 çmimi i energjisë elektrike për konsum mesatar në të katër blloqet është rritur për 0,92 përqind. Në bllokun e parë çmimi është rritur për 0,68 përqind, në bllokun e dytë për 0,90 dhe në bllokun e tretë për 1,93 përqind. Rritja e çmimit për bllok është më e madhja në bllokun e katërt dhe atë për 2,24 përqind.

Pikërisht për ata që për herë të parë kanë hyrë në bllokun e katërt ka reaguar edhe Komisioni Rregullator i Energjetikës.

“EVN Home është e obliguar që t’i korrigjojë faturat e energjisë elektrike dhe të bëjë ndarjen e duhur sipas blloqeve sipas historikut të konsumit mesatar të amvisërive në tri periudhat e fundit të faturimit”, njoftojnë nga KRrE.

Nga “EVN Home” thonë se këto obligime po zbatohen. Për këta përdorues thonë se shfaqet një “njoftim sistemik” dhe kontrollohen gjithmonë individualisht nga Elektrodistribucioni. Ky proces verifikimi ka hyrë në fuqi pas futjes së bllok tarifave dhe kryhet përpara se fatura t’i dorëzohet përdoruesit.

“Nëse hyrja në bllokun e katërt është pasojë e gjendjeve mujore të mëparshme të palexuara, pra kilovat-orëve të pafaturuara, fatura korrigjohet menjëherë. Korrigjimet bëhen për të gjithë periudhën (nga leximi i mëparshëm deri në leximin e fundit), dhe sipas kësaj edhe konsumi shpërndahet në mënyrë të përshtatshme sipas tarifave të bllokut për të gjithë periudhën ndërmjet dy leximeve. E njëjta metodë e korrigjimeve zbatohet edhe për kërkesat për korrigjim të faturës të konsumatorit”, thanë nga atje.

Edhe tek Avokati i Popullit dominojnë ankesat për faturat e energjisë elektrike

Numri i ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike të faturuara nga “EVN Home” ka qenë vazhdimisht i larta në grupin e ankesave të parashtruara për vite me radhë.

Statistikat tregojnë se numri më i madh i ankesave për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit në vitin 2024 janë bërë për shërbimin për furnizimin me energji elektrike   – 153, e numri më i madh i tyre janë për fatura jo reale për energjinë elektrike të konsumuar.

Në periudhën e kaluar të vitit 2025 nga 28 ankesa të paraqitura për këtë shërbim, 11 kanë qenë për fatura jo reale.

“Këto fatura me shuma akontative janë rezultat i mosleximit të matësve të energjisë elektrike çdo muaj. Para dy vitesh, me iniciativë të Avokatit të Popullit, është ndryshuar Rregullorja për furnizim me energji elektrike, me të cilën është vendosur obligim për EVN Maqedoni ShA Shkup (EVN) që të lexojë matësit e energjisë elektrike çdo tre muaj, por numri i madh i ankesave me përmbajtje të tillë tregon se një obligim i tillë nuk zbatohet gjithmonë në mënyrë konsistente”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit përmes intervenimeve në EVN kërkon shpjegime, informacion dhe dëshmi për secilin rast – nëse matësi i ankuesit është lexuar rregullisht, me cilën metodologji është bërë faturimi, si dhe një pasqyrë të leximeve të matësit.

“Në rastet kur konstatohet se fatura për energjinë e konsumuar është joreale, ndërmerren veprimet e duhura sipas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit dhe sipas sigurimit të leximeve të matësve faturat për energjinë e konsumuar korrigjohen”, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit.

Laboratori shtetëror i vjetër-i ri për kontrollin e matësve të energjisë elektrike asesi të funksionojë

Krahas “EVN Home”, Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe Avokatit të Popullit, në Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ministrisë së Energjetikës ekziston edhe Byroja e Metrologjisë, e cila mund të bëjë inspektime shtetërore, të pavarura të matësve të energjisë elektrike me kërkesë të qytetarëve.

Kjo Byro ka autoritet për ta kontrolluar cilësinë e karburantit, arit, si dhe të bëjë kontrollimin e matësve të ujit dhe matësve të energjisë elektrike dhe ngrohjes, që pas kontrollit të saktësisë së tyre konsumatorët të mund të bëjnë edhe ankesa. Por edhe pse ka pajisje, për momentin shteti nuk e vë në funksion.

Pajisjet e sofistikuara për testimin dhe verifikimin e matësve kanë më shumë se shtatë vjet që mbahen në bodrumin e Byrosë së Metrologjisë, zbuloi ministrja Sanja Bozhinovska gjatë një vizite në këtë institucion.

Drejtori i Byrosë së Metrologjisë, Sedad Rushani, në një bisedë telefonike tha se nuk e di pse pajisjet e blera shtatë vjet më parë e për të cilat ka kontest aktiv juridik me furnizuesin nuk janë vënë në përdorim.

“Blerja është bërë më 5 janar të vitit 2018. Edhe krahas procesit gjyqësor, ne planifikojmë ta vëmë në përdorim. Gjatë muajit mars ne planifikojmë një prokurim publik për prodhuesin për trajnimin e punonjësve, për instalimin e softuerit dhe vënien në funksion të tij brenda një periudhë të caktuar kohore. Qytetarët do të mund të dorëzojnë kërkesë në Byronë si një organ shtetëror, ndërsa procedurën për kryerjen e inspektimeve në terren ne do ta saktësojmë së shpejti”, tha Rushani.

Por, kontrollimi i matësve në Byro nuk do të bëhet falas. Nëse rezulton se matësi nuk devijon nga shifrat e EVN-së, atëherë shpenzimet e këtij kontrolli do t’i mbulojë qytetari. Nëse matësi i energjisë elektrike nuk korrespondon me konsumin aktual, atëherë barra e pagesës bie mbi llogarinë e EVN-së.

Nga rreth 800.000 matës të “EVN Home” në Maqedoninë e Veriut, vetëm 150.000 lexohen në distancë. Nga kompania thonë se çdo vit bëjnë përpjekje që ta shtojnë numrin e këtij lloji të matësve.

Faturat e energjisë elektrike kohët e fundit janë bërë objekt akuzash politike mes qeverisë dhe opozitës.

LSDM-ja e kritikoi Qeverinë për heqjen e subvencioneve, e për këtë arsye qytetarët paguajnë fatura më të larta. Grupi parlamentar i socialdemokratëve në muajin shkurt dorëzoi edhe propozim ndryshime të ligjit, që do të ulnin tatimin për energjinë elektrike nga 18 në 5 përqind, si dhe të heqë TVSH-në për produktet ushqimore bazë.

Por, ky propozim nuk mori mbështetje nga qeveria. Deputetët e shumicës e akuzuan opozitën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike gjatë qeverisjes së saj, ndërkohë që thanë se tani çmimi i saj është stabil.