Nga “ekspert” në mbrojtës të kufizimit të të drejtave – rasti i Jeton Shasivari
Nga: OnTarget.Mk Shkrimi i fundit i Jeton Shasivari, i paraqitur si “recension profesional”, nuk mund të lexohet më si një qëndrim akademik i shkëputur nga konteksti politik. Ai përputhet në The post Nga “ekspert” në mbrojtës të kufizimit të të drejtave – rasti i Jeton Shasivari appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Nga: OnTarget.Mk
Shkrimi i fundit i Jeton Shasivari, i paraqitur si “recension profesional”, nuk mund të lexohet më si një qëndrim akademik i shkëputur nga konteksti politik. Ai përputhet në mënyrë të frikshme me akuzat dhe vlerësimet që po qarkullojnë në opinion – përfshirë edhe ato që burojnë nga qëndrimet e Bashkimi Demokratik për Integrim – se një “ekspert” po kontribuon në krijimin e konfuzionit juridik dhe në relativizimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Edhe pse nuk është përmendur zyrtarisht me emër, burime brenda BDI- së e identifikojnë pikërisht Shasivarin si personin që po mbron iniciativa që devijojnë nga zbatimi i drejtpërdrejtë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Dhe nëse lexohet me kujdes shkrimi i tij, kjo përputhje nuk duket aspak rastësi.
Në vend që të mbrojë një të drejtë të qartë – që studentët të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë studiuar – ai zgjedh të relativizojë problemin, duke u fshehur pas termave si “unitet i sistemit” dhe “rezerva strukturore”. Kjo nuk është analizë juridike; kjo është përpjekje për ta bërë të pranueshme një padrejtësi.
Edhe më problematik bëhet fakti që ky qëndrim vjen nga një profesor shqiptar. Në vend që të artikulojë qartë standardet e barazisë dhe të mosdiskriminimit, ai del në mbrojtje të një narrative që përputhet me qëndrimet e Gordana Siljanovska-Davkovës- qëndrime që pavarësisht formulimeve të kujdesshme, në praktikë prodhojnë kufizim të përdorimit të gjuhës shqipe.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Shasivarit lidhet me iniciativa të tilla. Sipas burimeve politike, ai ka qenë pjesë e proceseve ku janë mbështetur propozime që kanë shkuar në dëm të avancimit të të drejtave shqiptare, duke u rreshtuar përkrah figurave dhe qasjeve që publikisht janë perceptuar si kundër kërkesave legjitime të shqiptarëve. Një model që duket se po përsëritet.
Veçanërisht shqetësuese është tentativa për ta kushtëzuar zbatimin e gjuhës shqipe me “harmonizime të mëtejshme ligjore”. Kjo bie ndesh me vetë logjikën e ligjit ekzistues, i cili, si lex specialis, duhet të zbatohet drejtpërdrejt dhe pa barriera shtesë. Çdo interpretim tjetër është në funksion të zvarritjes dhe dobësimit të të drejtave.
Paralelizmat që po bëhen në opinion – me profesorë që në periudha të errëta kanë legjitimuar sisteme diskriminuese – mund të duken të ashpra, por ato lindin pikërisht nga ky lloj pozicionimi publik. Sepse kur një intelektual nuk sfidon padrejtësinë, por e racionalizon atë, ai bëhet pjesë e problemit.
Referencat formale ndaj Marrëveshjes së Ohrit në shkrime të tilla nuk e ndryshojnë thelbin: kjo marrëveshje është për barazi reale, jo për interpretime që e zbrazin atë nga përmbajtja.
Në fund, çështja është e qartë: studentët kërkojnë një të drejtë elementare, ndërsa një pjesë e “elitës akademike” po përpiqet ta relativizojë atë në emër të një “profesionalizmi” që gjithnjë e më shumë duket si vardisje ndaj pushtetit. Dhe kjo është ndoshta pjesa më e rëndë e gjithë kësaj historie.
The post Nga “ekspert” në mbrojtës të kufizimit të të drejtave – rasti i Jeton Shasivari appeared first on Flaka, në çdo lajm... .